TIRANE- Këngëtari i suksesshëm shqiptar Sinan Hoxha, nuk ka në plan të presë gjatë. Megjithëse vetëm para pak kohësh ai shpalli fejesën me bukuroshen kosovare Andrra Destani, Sinani tashmë e ka ndarë ditën e dasmës.
“Bluetooth” ka zbuluar se çifti do të martohet më 27 gusht në Tiranë.
Kemi mësuar gjithashtu se artisti ka zgjedhur të bëjë dy ceremoni. Në njërën do të jenë të ftuar të gjithë miqtë e tij të famshëm, pra vetëm VIP-a. Ceremonia tjetër u është rezervuar të afërmve të çiftit dhe do të bëhet vetëm me familjarë.
Sinani dhe Andrra kanë zgjedhur ta bëjnë festën e dashurisë së tyre që do i lidhë përgjithmonë, në periferi të Tiranës. Ata do të martohen te “Xibraku”, në të njëjtin resort ku lidhi kurorë me bashkëshorten e tij Linda, edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama disa vite më parë.
Nuk dihet ende nëse të dyja dasmat e Sinanit do të bëhen në po këtë ambient. Këngëtari i dashur i publikut dhe bukuroshja e zemrës së tij, Andrra, deklaruan se kishin jetuar plot dy vite lidhje në fshehtësi derisa e bënë publike historinë e tyre. Prej asaj dite, çifti ndan me dëshirë momente lumturie, duke postuar poza të shumta në rrjetet sociale prej udhëtimeve që bëjnë.
Tanimë priten fotot e para nga përgatitja e dasmës, dhe teksa ka kënduar në bashkimin e shumë çifteve për vite me radhë, ne jemi kuriozë të dimë: Po në dasmën e tij, a do të këndojë Sinani? Këtë kemi kohë ta zbulojmë deri në gusht.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
