Më shumë se 7 milion pacientë janë në listat e pritjes të Sistemit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS), paralajmërojnë mjekët duke dhënë alarmin.

Situata në spitale është dramatike, siç komenton gazeta britanike “Daily Mail”, duke theksuar se shtatë milionë njerëz presin radhën për t’u vizituar tek një specialist apo për t’iu nënshtruar një operacioni në institucione dhe klinika të Sistemit Shëndetësor Kombëtar.

Ka disa pacientë që rrezikojnë edhe të verbohen, theksojnë mjekët britanikë.

Vlen të theksohet se pothuajse gjysma e pacientëve që ishin referuar te një specialist, do të duhet të presin të paktën 18 javë për t’iu nënshtruar operacionit/trajtimit përmes Sistemit Kombëtar të Shëndetit Britanik.

“Pacientët që do të duhet të presin radhën e tyre për t’u trajtuar tejkalojnë popullsinë e disa vendeve, përfshirë Danimarkën dhe Zelandën e Re. Për shumë pacientë, vonesat rrisin ankthin e tyre për gjendjen e tyre shëndetësore. Më shumë se 360,000 pacientë do të duhet të presin një vit ose më shumë për të marrë kujdesin mjekësor”, thuhet në publikimin përkatës.

Autoritetet shëndetësore britanike nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë pasi situata nuk pritet të përmirësohet në të ardhmen e afërt.

Greva katërditore e infermierëve dhe mjekëve specialistë që kërkonin rritje të pagave të tyre dhe pandemia e sëmundjes Covid-19 e intensifikoi problemin, por ka pasur shumë kohë më parë vonesa në trajtimin e pacientëve”, tha Danielle Jeffries, analist në “think-tank” të pavarur “The King’s Fund”.

Ajo thekson se ndërsa ndikimi i pandemisë Covid po rëndon sistemin shëndetësor të Britanisë, problemi i rritjes së kërkesës për pacientë është afatgjatë. Dhe pasojat e mundshme mund të jenë të tmerrshme.

Studimet tregojnë se për çdo muaj që vonohet trajtimi për pacientët me kancer të gjirit, zorrëve dhe qafës së mitrës, shanset e tyre për të vdekur nga sëmundja rriten me 6 deri në 13%.

Nga ana e tyre, mjekët e syrit po japin alarmin pasi disa pacientë mund të pësojnë humbje të përhershme të shikimit sepse nuk janë në gjendje të vizitojnë një specialist në kohë për të parandaluar përkeqësimin e kushteve serioze si glaukoma, e cila prek shikimin e rreth 700,000 britanikëve.

“Situata është jashtëzakonisht urgjente,” thotë Mel Hingorani, një konsulent në spitalin e syve Moorfields dhe sekretar nderi i Kolegjit Mbretëror të Okulistëve.

“Ne shohim njerëz që verbohen pasi nuk kanë akses në shërbimet mjekësore,” shton ai. Në mënyrë tipike, gazeta “Daily Mail” raporton se pacientët me kancer në listën e pritjes të Sistemit Shëndetësor Kombëtar arrijnë në 229.721, të sëmurët nga zemra në 372.803, sëmundjet e syve në 656 mijë dhe problemet gjinekologjike në 570 mijë.

Përveç kësaj, sipas shifrave zyrtare, rreth 117,000 njerëz vdiqën në Britani në vitin 2021, ndërsa prisnin radhën e tyre në listën e NHS në Mbretërinë e Bashkuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb