TIRANE- Në konferencën e sotme për shtyp, kryeministri Edi Rama deklaroi se zgjedhja e kryeprokurorit të Përkohshëm nuk ishte më e mira e mundshmja, por se ishte opozita ajo që nuk pranoi dialogun e ofruar.

Duke dashur të tregojë një fryme tjetër sa i përket drejtësisë, Rama falënderoi ish-kryeprokurorin Llalla për punën e vështirë dhe tha se ai nuk u sulmua kurrë nga qeveria e tij, edhe pse ngiti shpeshherë hetime deri tek anëtarët e kabinetit qeverisës.

Kryeministri madje përmendi emrat e katër kryeprokurorëve të sulmuar më herët nga qeveria e Sali Berishës.

“Dua t’ju kujtoj gjithë shqiptarëve se Maks Haxhia, Arben Rakipi, Theodhori Sollaku dhe Ina Rama u zgjodhën të gjithë me miratimin e Sali Berishës dhe të gjithë u masakruan publikisht dhe u baltosën po nga Berisha dhe partia e tij. Pse? Se u munduan të bëjnë detyrën. Adriatik Llalla të cilin dua ta falenderoj sot për punën dhe kontributin ku në më shumë se një rast ka vepruar me ndjekje edhe ndaj anëtarëve lart në qeveri nuk u pengua kurrë dhe as u sulmua nga qeveria që unë drejtoj, sepse ne jemi ndryshe”,- tha Rama.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: