Kryeministri Edi Rama, në një takim me gratë e vajzat e Elbasanit, tha se përfaqësimi i tyre është rritur në çdo institucion të vendit.

Rama theksoi se nuk duhet të kthehemi pas në kohë, pasi do të bëjmë gabime si në të kaluarën, por shtoi se me mund dhe durim duhet të vazhdohet përpara me Partinë Socialiste.

“Nuk ka stacion më të bukur dhe të duhur, se sa ky stacion, me gratë dhe vajzat e Elbasanit, për të folur për zgjedhjet e 25 prillit, e cila është e qartë, mes këmbënguljes, punës, besimit dhe durimit dhe dorëzimit, e kthimit mbrapa, e rifillimit para disa vitesh si ka ndodhur në të shkuarën. Disa herë shqiptarët kanë bërë një zgjedhje që i ka çuar pranë greminës. Duke u tërhequr prej hunde nga drejtues të papërgjegjshëm. Kanë zgjedhur më pas për të mos u zgjatur, të shkojnë pas Sudes, Vehbiut, Xhaferrit, duke menduar se duke dhënë një merr dy, e s’ke nevojë të lodhesh, të punosh. Kështu është dhe zgjedhja e 25 prillit, ata që duhet të rikthehen japin këtë recetë. Si mund të jetë kështu, si mund të ndodhë kështu, e si mundet të ketë sot njerëz që të besojnë akoma në këto lloj çudish, çudish të dhimbshme, të cilat shqiptarët i kanë paguar shumë shtrenjtë në të shkuarën.

Zgjedhja për ne dhe me ne është e qartë, është të vazhdojmë të punojmë pa pushim, të vazhdojmë të ngjitemi, pa rënë pre e rezistencës që i vjen gjithkujt që sfidon për të shkuar më tutje. Ne jemi në kushtet që tejkalimi i fazës së pandemisë është një histori e shkuar. Vaksinimi masiv i duket gjë e zakonshme. Dëgjoj njerëz të thotë që e keni për detyrë. Patjetër që e kemi detyrë, por ne detyrat i bëjmë me seriozitet dhe ne bëmë vaksinimin masiv. Për detyrë e kemi të ndërtojmë shtëpitë atyre që iu goditën nga tërmeti.

Pse e kemi për detyrë këmbëngulim me besim e shumë durim për ta bërë punën siç duhet. Ju këtu jeni nëna, motra, vajza dhe mjafton të shohësh se çfarë ndryshimi ka ndodhur në nivelin e besimit që i është dhënë vajzave. Ne sot kemi një qeveri kur më shumë se gjysma janë nëna, gra. Ne kemi në nivelin e administratës shumë gra që drejtojnë. Historitë e suksesit e grave dhe vajzave janë më tepër sot, sot duket diçka e zakonshme që në këshillat bashkiak të jenë gra e vajza. Vërtetë që sot duket e zakonshme, por për të arritur këtu, duhej një punë e madhe nga PS. Duke qenë gjysma më e mirë, në çdo çift, duke qenë shtylla në çdo familje, gratë dhe vajzat janë të parat që duhet të kuptojnë dhe të bëjnë të tjetër të kuptojnë që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë duhet shumë mund. Kërkon të vazhdojmë të bashkuar, të ngjitemi pa u dorëzuar.

Shqipëria e ardhmja jonë nuk është një vizion, por është një horizont që ne e shohim, por me punë do e arrijmë dhe e prekim. Janë bërë shumë gjëra në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë. Është hedhur një bazë e fortë për ta transformuar Elbasanin në një destinacion turistik, me prurje vizitorësh, për të rritur nivelin. Këto janë një horizont i prekshëm, na duhet vetëm vendosmëria dhe dëshira tek puna. Nuk duhet të biem pre e kënaqësisë për gjërat që kemi bërë, ka shumë njerëz të pakënaqur, unë ata i mirëkuptoj, por i them se nuk ka rrugë tjetër, sepse rruga tjetër mund të jetë katastrofë. Janë po ata që i kemi provuar dy herë dhe e kemi parë që kanë dështuar, si mund të përsëritet e njëjta gjë, nuk duhet të ndodhë dhe s’do të ndodhë.

Sot jemi vërtetë të lehtësuar, për faktin se kemi përmirësuar shumë shërbimin dhe kujdesin për gratë dhe vajzat në momentin e parë që shkojnë në shkollë. Sot kanë libra si bashkëmoshatarët e tyre. Sot nuk i del përpara për të marrë vendin sipas meritës, kjo vlen edhe për nënat, për ata që nuk kanë burrë të famshëm, të pasur. Të gjitha nënat që janë pjesë e një familje të zakonshme. Kjo është një arritje e rëndësishme.

Nënave të reja, i ofrojmë kujdes të veçantë, që tek kushtet e lindjes. Janë gjëra që duket sikur kanë qenë aty, por në fakt, janë gjëra që janë bërë bashkë dhe do t’i bëjmë. Dua t’iu them se këtu në Elbasan, jeni të gjitha të vetëdijshme se sa shumë është bërë për ta kthyer këtë zonë në një zonë të qetë, zonë me rend, qetësi dhe siguri. Ashtu sikundër jeni të vetëdijshme sa shumë është bërë që fëmijët të dalin, të luajnë, në një qytet ku deri dje nuk dilje. Të gjitha janë arsye që tregojnë dhe provojnë se kush ka bërë këto, mund të bëjë më shumë dhe ka mundësinë që t’i bëjë. Kush i ka bërë këto? Fuqia e bashkimit tonë. Fuqia për ta parë të ardhmen si një sfidë. Ne së bashku këtë vend do e bëjmë me se s’bën”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb