Nga: NDRIÇIM MEHMETI *
Solidariteti social në përgjithësi është një koncept i ri për shoqërinë shqiptare. Mungesa e tij, shfaqja vetëm në kushtet e tejskajshme të fatkeqësive kombëtare apo natyrore kanë qenë objekt i shumë debateve. Me të drejtë, duke hequr disa paralele, jo politike me kohët përpara 1990, dukej se shoqëria ishte më shumë solidare dhe më pak individuale se tani. Për shembull, në përmbytjet e fundit në Shqipëri u shfaqën disa shkëndija solidariteti, të cilat u shuan si flakë kashte. Fakti që zjarrfikësit u patronin shtëpitë njerëzve dhe vetë njerëzit nuk ndihmonin njëri-tjetrin për të kryer këtë shërbim, tregon se mungesa e solidaritetit, për fat të keq është kthyer në një normë në shoqërinë shqiptare. Ndërsa humbet shumë nga solidariteti shoqëror, shoqëria shqiptare, sipas njerëzve që kanë marrë në dorë të menaxhojnë shtetin, institucionet ligjvënëse dhe ato kushtetuese, është duke fituar “solidaritetin politik”, çka në këndvështrimin e tyre është shumë i rëndësishëm.
Në ditët e fundit, opinioni publik, politika, media, institucionet e drejtësisë u gjendën të papërgatitura për faktin se një deputet i parlamentit shqiptar do të shfaqte një skenar për vrasje politikanësh, mbrapa të cilave qëndronin krerët më të lartë të shtetit shqiptar, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministri i Brendshëm. Përtej analizës politike të ngjarjes, tanimë të stërholluar deri në detajet më të imta, mund të themi refleksionet e ditëve të fundit, pas propagandimit të solidaritetit politik. Kryeministri e gjeti rrugën e solidaritetit me kryeparlamentarin duke i ndenjur afër. Dy politikanët më të fuqishëm për nga vota popullore në vend janë takuar në këto ditë kaq shpesh, sa nuk janë takuar ndonjëherë në jetën e tyre. Shumë vite më parë, po këta dy politikanë, takoheshin po kaq shpesh, kur të dy në atë kohë kishin kundërshtar Fatos Nanon. Por ndërsa kryeministri gjeti si rrugë ta injoronte problemin “Doshi”, të gjente mënyrat për ta degraduar “ngjarjen në një telenovelë”, “ngjarje të stisur pa asnjë bazë të vërtete”, kryeparlamentari zgjodhi një rrugë tjetër, më radikale. Krejt ndryshe nga më parë u shfaq kryeparlamentari Meta. Dy javë më parë, atë e tradhtoi durimi dhe “urtësia e padëgjuar ndonjëherë në drejtimin e parlamentit” dhe brenda pak minutave, i ktheu deputetët në aktorë të filmave pa zë, për miratimin e ligjeve më shpejtësi skëterrë. Duke e parë se kjo ishte rruga më e mirë, sesa ajo e zgjedhur me shumë stërmundim, për të treguar babaxhanin në krye të parlamentit, të njëjtën gjë bëri edhe të enjten që kaloi. Madje Meta, pasi përshëndeti “pikën e tij të dobët”, Doktorin, deklaroi se “do të ndiqte çdo zhvillim nga zyra e tij”. Nga cila zyrë? Duke e flakur, kostumin e burrit të urtë parlamentar, u vendos në zyrën e tij në parti. Për të treguar forcën dhe pushtetin që zotëron sot në arenën politike shqiptare, kryeparlamentari kishte tubuar përkrahësit e tij “madje edhe demokratë të ndershëm”, përpara zyrës së udhëheqësit të madh, për të “ruajtur rendin kushtetues”. Një nga një, në një ditë të zakonshme pune, me makinat e paguara prej shqiptarëve, deputetë, ministra, zëvendësministra e hierarkë të lartë të partisë-Meta, dikush i ruajtur e dikush jo, kishin mbërritur në mbështetje të Kryetarit të Madh. Po cili ishte qëllimi? E zbuloi fare thjesht ish-ministri i Brendshëm: Solidaritet politik për Kryetarin e Pagabueshëm. “Pas kësaj ne – deklaroi – ish-ministri i Brendshëm – do të dalim më të fortë”. Solidariteti politik i dha të drejtën ish-ministrit të Brendshëm, ministrit aktual të Drejtësisë, deputetëve të parlamentit shqiptar, të mbledhin përkrahësit e tyre, pikërisht në ditën e paralajmëruar të protestës së opozitës? Solidaritet politik apo demonstrim i forcës politike? Madje këta ish-qeveritarë, qeveritarë e parlamentarë, që paguhen me lekët e shqiptarëve nuk e vranë mendjen fare se turmat mund të dilnin nga kontrolli dhe pasojat të ishin të paparashikueshme. Ata nuk u kujdesën as për të mos prishur normalitetin e ditës të komunitetit në lagjen ku është selia e partisë së tyre. Nuk u kursye as bllokimi i paligjshëm i rrugës nga njerëz që ishin përgatitur të merrnin fatet e vendit në dorë, në emër të mbrojtjes së kryetarit të tyre. Shkollat aty afër kanë dëgjuar më shumë ushtimat, britmat dhe ulërimat deri në ekstazë për pastërtinë dhe figurën heroike të kryetarit, sesa zërin e qetë të mësuesve që shpjegonin. Solidariteti politik ishte shumë më i rëndësishëm në 12 mars sesa ai shoqëror. Dhe përse u ngrit në majën më të lartë “të veprimit qytetar”, solidariteti politik? Për faktin se na duhet një angazhim i madh i popullit për të ndërmarrë një reformë të rëndësishme? Për t’i thënë ‘ndal’ dhunës dhe vrasjes së grave në ditën me diell? Në mbrojtje të fëmijëve që dhunohen seksualisht, trafikohen, lypin, shfrytëzohen seksualisht, u shkulet veshka dhe zemra për transplante? Në emër të të pastrehëve, paushqyerve, në Novoselë, Fier e gjetkë? Në emër të ndërtimit të shkollave të rrënuara dhe shtëpive me plastmasë që fryjnë nga të katërmbëdhjetë anët të komunitetit rom? Në emër të një aksioni për të ndërgjegjësuar shoferët të mos pinë alkool, të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke shpëtuar më shumë jetë njerëzore?
Jo. Solidariteti politik ndodhi krejtësisht “spontan”, në mbrojtje të kryetarit të parlamentit, që ka qëlluar të jetë edhe kryetar partie. Sikur të mos mjaftonte imuniteti, votat e marra, truprojat, aleati i tij në pushtet duheshin edhe një grup njerëzish që kundroheshin me endje prej kryetarit nga dritarja, e që merrnin buzëqeshjet e podiumit të improvizuar dhe sallonit të mbushur plot me politikanë. Solidaritet politik, në emër të kujt? Të mbrojtjes nga persekutimi politik, i kryetarit, përmbysja e mundshme e të cilit përmbys ëndrrat për pushtet e fitim, apo në mbrojtje të principeve të demokracisë? Përse i duhet partisë që deklaroi në fillimet e saj “se u themelua, për të plotësuar boshllëkun e solidaritetit dhe kohezionit shoqëror”, me “qëllimin për integrimin e Shqipërisë në Evropë”, të kërkojë solidaritet politik nga njerëzit, ndërkohë që në misionin e saj më të zakonshëm është që të përdorë bashkëqeverisjen në të mirë të qytetarëve. Në misionin e kësaj force do të ishte që në emër të solidariteti shoqëror, të kërkonte të mos zhvillohej asnjë tubim i përkrahësve të saj, edhe pse i pretenduar spontan, përderisa pak metra më tutje, individë të së njëjtës shoqëri protestonin me pretendimin se politikanët duhet të përgjigjen si të barabartë para ligjit. Partia e kryeparlamentarit vendosi solidaritetin politik në vend të atij shoqëror, jo spontanisht, por të menduar mirë. Madje shkuan edhe më tutje, duke treguar se cili ishte qëllimi i vërtetë i tubimit në rrugën që mban emrin e një prej rilindësve tanë më të mëdhenj, “Sami Frashëri”: Partia kishte thirrur në tubim, përndryshe, sipas variantit të partisë, mbështetësit ishin tubuar vetë, për të treguar forcën që lind nga ky grupimi politik, “sa herë që sulmohen”. “Sa herë që sulmohemi”, aq më shumë marrim vota”, – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i partisë. Kjo kishte shumë rëndësi për turmën, që nuk pushonte nga ovacionet jo për atë që bëri deklaratën, por për kryetarin. Po për shoqërinë, sa vlerë ka kjo deklaratë e solidaritet politik? Mos ndoshta më shumë vota për LSI dhe Metën do t’i thonë në një kohë të shkurtër tutje fukarallëkut, apo më shumë verë e dashur për familjen e kryetarit do të importohet jashtë vendit? Mos vallë fasonët do të rriten disa herë më shumë se tani? Mbase të gjitha ndodhin, porse solidariteti politik, i shfaqur në këtë mënyrë, nuk premton për ditë të mira. Udhëheqësit në demokraci kanë mekanizma të shumëfishta në mbrojtje të vetes, dinjitetit të tyre, llogaridhënies për pushtetin e fituar me votat e popullit dhe nuk kanë nevojë për turma të eksituara. Solidariteti politik për kryetarin të kujton fjalët e Gustav Le Bon në librin “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, i cili duke folur për manipulimin që i bëjnë udhëheqësit turmave, thotë: “Pushteti i udhëheqësve është shumë despotik, por është pikërisht ky despotizëm që i bën të tjerët të binden. Nuk është e vështirë të bindesh se si i detyrojnë ata klasat punonjëse, bile dhe ato më të fuqishmet që t’u binden, megjithëse për të mbajtur pushtetin e tyre, ata nuk kanë asnjë mjet. Ata caktojnë numrin e orëve të punës, sasinë e rrogës mujore, organizojnë greva sipas kohës që e shikojnë ata të arsyeshme. Në ditët e sotme udhëheqësit e turmës po e mënjanojnë gjithnjë e më shumë pushtetin shoqëror, i cili po humbet rëndësinë e vet, si pasojë e grindjeve”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: