GREQI-Sondazhet më të fundit për referendumin e së dielës në Greqi tregojnë një rezultat të balancuar me një diferencë të ngushtë në votimin, që mund të vendosë të ardhmen e Greqisë. Sondazhi i kryer nga instituti ALKO dhe i botuar në gazetën ‘Ethnos’ tregon një kryesim të lehtë në favor të “po” në referendumin e së dielës. 44.8% shprehen pro masave shtrënguese, 43.4% kundër tyre, ndërsa 11.8 % janë të pavendosur.

Ndërsa një sondazh tjetër i botuar tek gazeta ‘Protothema’ e ngushton edhe më tej diferencën. Sipas tij, 41.7 votojnë pro, 41.1% votojnë kundër dhe 10.7% janë të pavendosur. Sondazhet vijnë një ditë pas paralajmërimeve të fondit monetar ndërkombëtar se Greqia mund të përballet me një krizë të rëndë në rast të një ‘jo’-je në referendum.

E ndërkohe Kreu i Komisionit Europian Juncker deklaroi përpara votimit të së dielës së edhe nëse Grekët votojnë pro masave shtrënguese, negociatat do të jenë të vështira. Por nëse votojnë ‘jo’, tha ai, atëherë pozicioni i Athinës do të dobësohet në mënyre dramatike.

Ndërkaq, kreu i shoqatës së bankave greke është shprehur se bankat greke do të kenë likuiditet deri të hënën në mëngjes, më pas varen nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo do të thotë se duke nisur nga e hëna, bankomatet në Greqi do të jenë bosh nëse BQE-ja nuk shton fondin emergjent.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: