Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, komentoi deklaratat e Eric Wendt gjatë daljes së tij në Senatin amerikan, duke u ndalur te reforma në drejtësi, SPAK dhe raportet mes politikës shqiptare dhe SHBA-ve.

Sipas Kullurit, reforma në drejtësi nuk është produkt i qeverisë së Edi Rama, por një iniciativë e drejtpërdrejtë e SHBA-ve dhe BE-së.

“Reforma në drejtësi nuk është produkt i Ramës siç thotë Rama dhe PS. Është iniciativë e SHBA dhe BE dhe këtë e dimë shumë mirë. PS u bë formalisht nxitësja e reformës, por në fund e votuan të gjithë në Parlament. Asnjë nuk ka merita më shumë se të tjerët”, u shpreh ai.

Analisti deklaroi më tej se sheh një përplasje të hapur mes partive tradicionale dhe SPAK.

“PS, PD dhe Partinë e Lirisë i shoh në konflikt të hapur me SPAK. Ilir Meta merret me prokurorët e vet, Berisha me të vetët, Rama me ata që i godasin Veliajn dhe Ballukun, dhe të gjithë thonë që janë pro reformës dhe pro amerikanë. Janë qesharakë”, deklaroi Kulluri.

Ai u ndal edhe te deklaratat e Eric Wendt, duke theksuar se kandidati për ambasador ka përmendur qartë korrupsionin si një nga problemet kryesore në Shqipëri.

“Ambasadori i mundshëm Wendt ka përmendur fjalën korrupsion, jo vetëm krimin e organizuar. Ka përmendur korrupsionin si problem në Shqipëri. Përmendi edhe çështjen e portit të Porto Romanos, që është shumë sensitive”, tha ai.

Sipas Kullurit, deklarata e Wendt se SPAK është institucion apolitik ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për politikën shqiptare.

“Wendt tha se SPAK është apolitik, kështu u tha ‘shut up’ të gjithëve këtu”, u shpreh analisti.

Në fund, ai paralajmëroi se përplasjet mes qeverisë shqiptare dhe SHBA-ve mund të thellohen nëse do të ketë akuza të reja ndaj zyrtarëve të lartë.

“Nëse do kemi sërish akuza për Ballukun dhe Rama do e mbrojë, për mua ajo që dallohet qartë është një krizë diplomatike e qeverisë me SHBA. Rama nuk ka asnjë takim zyrtar me DASH apo presidentin. Rama dhe Berisha do krijojnë, nëse munden, edhe destabilitet politik për të mbrojtur veten e tyre”, përfundoi Kulluri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb