Këshilltari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i ftuar në emisionin Studio24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me sekuestrimet e njoftuara nga SPAK për çështjen e AKSHI.
Në këtë çështje janë përfshirë ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj, si dhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Muharremi u shpreh se kushdo që ka abuzuar me besimin e dhënë nga Partia Socialiste dhe është përfshirë në çështje korruptive, po përballet sot me drejtësinë.
Sipas tij, rezultatet aktuale janë pasojë e reformës në drejtësi të ndërmarrë nga qeverisja socialiste, e cila ka mundësuar goditjen e korrupsionit në nivele më të larta.
Ai theksoi se për herë të parë po shihen masa konkrete si sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare në një shkallë më të gjerë se më parë, duke e konsideruar këtë si një tregues të forcimit të shtetit ligjor në vend.
“Kush abuzon me besimin e dhënë nga PS sot, kushdo që e ka thyer dhe ka ndyrë duart në çështje korruptive po merr përgjigje nga një organizëm. Kjo qeverisje socialiste ka bërë këtë reformë në drejtësi që po luftohet sot ky korrupsion dhe sot kemi për herë të parë sekuestrim të pasurive apo vlerave monetare më shumë se më parë’, tha ai.
