Spanja do ta nisë sot Botërorin e Katarit kundër Kosta Rikës, sfidë që starton në orën 17:00. Një ndeshje e lehtë në letër për iberikët, por leksioni i ardhur dje nga Arabia Saudite ndaj Argjentinës ka mobilizuar edhe më shumë skuadrat e mëdha, përfshi atë spanjolle.

Këtë e deklaroi edhe trajneri Luis Enrique në prag të ndeshjes së parë: “Do të jetë një ndeshje shumë e komplikuar për ne. Qëllimi ynë është të arrijmë në finale. Duhet të kemi besim. Ne e njohim mirë Kosta Rikën, është një kundërshtar i vështirë, po flasim për një rival në Botëror dhe nuk ka ndeshje të lehta apo rival të dobët” – u shpreh numri një i stolit iberik.

Te Spanja e dinë mirë se çdo hap fals në sfidën e parë do të komplikonte shumë ecurinë e mëtejshme, pasi ndeshja e radhës është kundër Gjermanisë. Në krahun tjetër, Kosta Rika ka eksperiencë e duhur në Kupën e Botës, pasi është hera e tretë që merr pjesë, shto edhe faktin që ka një emër të madh si Keylor Navas, por duhet ketë edhe pak fat me vete për të marrë një rezultat pozitiv ndaj furisë së kuqe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb