Numri i të vdekurve nga stuhia Ciaran, e cila ka çuar në shira të dendur dhe erëra rekord në të gjithë Evropën Perëndimore, u rrit në të paktën 16, të premten. Ndërkohë, zona të mëdha të Toskanës në Itali u goditën gjithashtu nga përmbytjet duke nxitur zyrtarët të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pasi specialistët e motit raportuan reshje rekord.

Të paktën gjashtë persona janë vrarë në rajonin qendror të Toskanës, thanë zyrtarët italianë, të premten pasi erërat e forta dhe shiu goditën Italinë qendrore. Kushtet ekstreme ishin të lidhura drejtpërdrejt me stuhinë Ciaran.

Në Toskanë, makinat u përmbytën nga pasi lumi Bisenzio  doli nga shtrati, ndërsa njerëzit u ngjitën në çati për t’i shpëtuar përmbytjes.

Shërbimet e shpëtimit në Itali morën gjithashtu dhjetëra thirrje për incidente në të gjithë rajonin për të ndihmuar shoferët e bllokuar në tunele të përmbytura ose të rrethuar për shkak të pemëve të rrëzuara mes erërave të forta.

Guvernatori i Toskanës, Eugenio Giani e përshkroi shiun e dendur si “të paprecedentë” dhe pas një takimi me kryeministrin Giorgia Meloni shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për zonat më të goditura të rajonit.

Mes të vdekurve ishte një burrë 85-vjeçar i gjetur i mbytur në katin e parë të shtëpisë së tij në Montemurlo, në veriperëndim të Firences. “Ajo që ndodhi sonte në Toskanë ka një emër: ndryshimi i klimës,” tha Giani në një postim në X.

Rreth 190 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në qytetin historik të Firences.

Në Campi Bisenzio, pronat e katit përdhes u dëmtuan, makinat e parkuara ishin gjysmë të zhytura në ujë dhe zyrtarët e shpëtimit lundruan në rrugët e përmbytura me varka gome.

Kryetari i Bashkisë së Firences Dario Nardella e përshkroi situatën si “kritike” pasi niveli i lumit Arno vazhdoi të rritet. Në qytetin italian, një burrë dhe gruaja e tij u gjetën të vdekur pasi makina e tyre u përmbys në Vinci, në perëndim të Firences.

Kryeministri italian ka njoftuar një paketë fillestare të ndihmës shtetërore prej rreth 5.4 milionë dollarë për rajonin.

Të paktën tre persona u raportuan gjithashtu të vrarë në brigjet e Portugalisë të premten pasi një varkë me vela me flamur danez u përmbys në një plazh në Santa Cruz në veri të Lisbonës, tha një zëdhënës i marinës.

Në qytetin belg të Gentit, një djalë 5-vjeçar ukrainas dhe një grua 64-vjeçare u vranë për shkak të rënies së degëve të pemëve. Në Francë, një shofer kamioni mbeti i vrarë kur një pemë ra mbi të dhe zyrtarët lokalë raportuan gjithashtu një vdekje të dytë në qytetin Le Havre.

Rënia e pemëve shkaktoi vdekjen e një gruaje në kryeqytetin spanjoll Madrid dhe një tjetër në jug të Holandës.

Që nga mëngjesi i së premtes, më shumë se 500,000 shtëpi në Francë mbetën pa energji elektrike, tha zëdhënësi i qeverisë Olivier Veran.

Shërbimi kombëtar francez i motit, Meteo-France shkoi në X dhe tha se shpejtësia e erës në Brittany ishte “të jashtëzakonshme” dhe “shumë pemë janë thyer”.

Shërbimet ajrore, hekurudhore dhe trageteve vazhduan të dëshmojnë anulime dhe vonesa të gjata në disa vende evropiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb