Ndërsa e konsideroi pozitive masën e marrë nga komitetit i ekspertëve për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambiente të hapura, mjeku imonolog, e quajti skandaloze heqjen e saj kur futemi në lokal.

“Jashtë më tepër ti duhet të përgatitesh, dhe ta mbash atë në mënyrë të vazhdueshme. Por të kesh maskën rrugës dhe kur të futesh në lokal ta heqësh kjo është gjëja më paradoksale dhe më e pakuptimtë dhe e rrezikshme madje” -tha Sulçebe, ndërsa u shpreh në emisionin “Kjo javë” në News24 se rritja e numrit të të infektuarve në vend me Covid-19 është i pritshëm.

“Është e pritshme jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën dhe Botën, sepse klima tani vjeshta është ideale për përhapjen e virusit, aq më tepër njerëzit grumbullohen në ambiente të mbyllura, në punë në zyrë, kafene, shkolla etj, dhe është një vatër ideale e infeksionit. Nëse do të kemi një përhapje progresive, kjo gjendje mund të kalojë në nivelin e të pamenaxhueshmes, dhe nevojiten masa restriktive të fokusuara. Pra duhet të evitohet grumbullimi i njerëzve, distancimi fizik të jetë mbi 2 m larg njëri tjetrit, dhe mbajtja e maskës, e ul shumë transmetueshmërinë e virusit”, tha Sulçebe.

“Sistemi imunitar, njerëz është i përgatitur për të mposhtur këtë infeksion. Këto janë infeksione që shfaqen 1 herë në shekull, para 100 vjetësh ishte gripi spanjoll, pas 102 vjetësh doli Covid-19. Por duke qenë se popullata botërore bie në kontakt për herë të parë me këtë virus, atëherë duhet të futet në lojë imuniteti i fituar, i cili është me të vërtetë fantastik. Ka të bëjë me qeliza specifike që prodhohen menjëherë kur bien në kontakt me virusin por, ky imunitet i fituar do një 10 ditësh të krijohet, nuk është si imuniteti i lindur. Mendohet se 10-20% e popullatës janë në mënyrë të natyrshme të lindur të mbrojtur, por po themi për ata që nuk e kanë këtë veti, ndaj 10-ditëshi i parë është gjithmonë kritik i infeksionit. Nëse infektohemi nuk ka asgjë për t’u panikuar, duhet të jemi të qetë. Është një infeksion ‘gripal’, i cili kalon në 10-15 ditë, të jemi të qetë, e më pas çdo gjë do harrohet”, vijoi Sulçebe, ndërsa komentoi edhe ecurinë e infeksionit sipas grupeve të gjakut.

“Ka të dhëna shkencore, që ndikon edhe grupi i gjakut. Thuhet që grupi i gjakut A është pak më i rrezikuar për një ecuri më të vështirë të infeksionit, ndërsa grupi i gjakut 0 është më i mbrojtur e kalon më mirë infeksionin. Janë gjenetike. Është një karakteristikë e veçantë e virusit, i cili jo te të gjithë por te ata që hyn në një dozë më të lartë dhe jep një sëmundje simptomatike, jep një inflamacion. Mobilizim të qeliza e molekulave të organizmit që përgatiten për të luftuar dhe janë disa simptoma që janë karakteristike për këtë inflamacion që është ulja e limfociteve, janë ato që do që do mobilizohen për të krijuar imunitetin specifik. Dhe kemi një mobilizim të tyre, nga gjaku te indet. Ndaj kemi një ulje të tyre në gjak, që tregon se kemi një inflamacion. Rritja e ferritinës, është tregues i Sars COV 2 si edhe kemi çrregullime në koagulimin e gjakut, gjë që shprehet me rritje të D dimerit”, tha Sulçebe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb