Një sulm kibernetik i përmasave të mëdha ka goditur këtë të premte trafikun në qindra faqe interneti në zonën e bregut lindor të Shteteve të Bashkuara.

Sulmi pirat ka goditur mes të tjerash faqet më në zë të web-it, si Twitter, “Financial Times”, Spotify, Reddit, e-Bay dhe “New York Times”.

Bllokimi ka zgjatur për rreth dy orë, ndërsa tashmë trafiku në internet ka rifilluar rregullisht.

Lajmin e ka bërë të ditur shoqëria DYN, serverët e të cilës u vunë në shënjestër nga piratë informatikë që çoroditën rrjetin duke shkaktuar një mbipopullim të trafikut.

Mes faqeve të tjera të prekura nga ky sulm kanë qenë edhe ato të Visa, Amazon, Netflix, CNN dhe Tumblr.

Ende nuk ka patur një deklaratë nga autoritetet amerikane lidhur me ngjarjen dhe asnjë, të paktën deri më tani, akuzë, transmeton tch.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për sulme kibernetike me qëllim manipulimin e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa kanë paralajmëruar me një kundërpërgjigje që Kremlinit do t’i vijë së shpejti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: