Shtatë persona, mes tyre dhe një fëmijë 6-vjeçar u vranë dhe 144 të tjerë u plagosën kur një raketë ruse goditi sheshin kryesor të qytetit historik në veri të Ukrainës, Chernihivin. Njoftimi u bë të shtunën nga ministria e Brendshme e Ukrainës.

Sulmi ndodhi ndërsa banorët e qytetit ishin nisur për në kishë me rastin e një festë fetare thanë autoritetet ukrainase, duke shtuar se 12 nga të plagosurit ishin fëmijë dhe 10 prej tyre, oficerë policie.

“Një raketë ruse goditi qendrën e Chernihivin tonë, sheshin, universitetin politeknik, dhe një teatër”, shkruante në rrjetin social Telegram Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili ndodhet për një vizitë pune në Suedi.

“Një e shtunë e zakonshme, të cilën Rusia e ktheu në një ditë dhimbjeje dhe humbjeje”, shkruante ai më tej.

Në një video të shkurtër që shoqëronte postimin e zotit Zelenskiy shfaqeshin mbeturina të shpërndara nëpër një shesh përpara teatrit, si dhe makina të parkuara, të dëmtuara rëndë.

Chernihivi njihet si një qytet i kishave shekullore. Ai shtrihet rreth 145 km në veri të kryeqytetit të vendit, Kievit. Ministria e Brendshme tha se si pasojë e sulmit çatia e teatrit ishte shkatërruar.

Rusia ka sulmuar me raketa e dronë qytetet ukrainase që ndodhen larg vijës së frontit, si pjesë e asaj që e quan një operacion special ushtarak, që nisi në shkurt të vitit të kaluar.

Forcat ajrore ukrainase njoftuan më herët të shtunën, se kishin rrëzuar 15 nga 17 dronë iranianë Shahed, pjesë e një sulmi që Moska kishte ndërmarrë gjatë natës.

Rusia akuzon Ukrainën për sulme me dronë
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi për një seri sulmesh me dronë ukrainas të shtunën që kishin si objektiv sipas saj Moskën, Novgorodit një qytet në veriperëndim të kryeqytetit rus si dhe Belgorodit, që ndodhet në kufi me Ukrainën.

Zyrtarët rusë thanë se nga sulmet nuk rezultoi asnjë i lënduar, por shtuan se droni që kishte si objektiv rajonin e Novgorodit, kishte dëmtuar një avion luftarak dhe kishte shkaktuar zjarr në një aeroport ushtarak. Rajoni i Novgorodit shtrihet qindra km larg nga kufiri i Rusisë me Ukrainën. Ministria ruse e cilësoi sulmin si terrorist.

Më vonë forcat e mbrojtjes ajrore ruse njoftuan se kishin bllokuar një dron që po fluturonte në drejtim të Moskës, duke e detyruar atë të rrëzohej pranë Putilkovos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb