TIRANË- Ajo është një personazh shumë i njohur i politikës. E angazhuar shumë e re në FRESH dikur dhe sot bashkëshortja e një prej liderëve politikë më të fuqishëm, por me fuqinë e një deputeteje. Bëhet fjalë për Monika Kryemadhin, deputeten e LSI-së dhe bashkëshorten e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Ata janë martuar 22 vite më parë dhe kanë dy vajza dhe një djalë. Monika është shumë aktive në jetën politike dhe shpeshherë edhe kritike por sot në rubrikën “Këndi i ekselencës” në emisionin e mëngjesit në News24, Vila 24 ajo zbulon gjithçka të pathënë më parë për jetën e saj, familjen, politikën dhe marrëdhënien me bashkëshortin e saj.

Si ka qenë Monika fëmijë?
Unë kam qenë fëmijë i shtresës së mesme. Gjithë jetën jam parë si një njeri normal, i padukshëm. Fëmijët e mi nuk janë të padukshëm.

Çfarë studimesh ndjekin fëmijët?
Goca ka zgjedhur financë-bankë, ka fituar të drejtën e studimit. Çuni është në mes të juridikut dhe ëndrrës së madhe për t’u bërë aktor Hollivudi. Unë shpresoj t’i realizohet por duhet të bëjë kompromise dhe goca e vogël i thotë madje po kur të martohesh ti e të bësh dashuri me femra të tjera në filma si do bësh?

Po ti vetë çfarë ke dashur të bëheshe?
Unë kam dashur të bëhesha balerinë ose astronaute.

Nuk do donit që djali të bëhej aktor?
Jam partizane sot që çdo njeri të ketë një zanat. Jeta është shumë e çuditshme dhe është si ashensor. Është mirë të kesh një zanat.

Do doja që një nga fëmijët e mi të bëhej mjek që kur të plakesha të më shërbenin.
Babai im ka jetuar 7 vjet me ishemi se i shërbente mamaja ime.

Po nëse dështon djali për t’u bërë aktor, çfarë do bëjë. E di si është profesioni i aktorit në Shqipëri.

Ju besoni se ai do kthehet në Shqipëri?
Unë shpresoj që ai të kthehet këtu. Megjithëse vajza e madhe më tha njëherë se më mirë një emigrante se të kthehem dhe të bëhem pjesë e luftrave tuaja. Më erdhi shumë keq. Morali politik këtu është aq i pamoralshëm… Këtu kanë vuajtur fëmijët e mi, jo ne. Janë të privuar nga shumë gjëra.

Sa lekë u ke dhënë kur ishin të vegjël në shkollë?
200 lekë se ishin në kolegj.

Po për veshjet?
Kam një fat të madh sepse vajzat e mia veshin rrobat e mia. Më gëzon kjo se do të thotë se kam guston e brezit të ri.

Kujt i ngjajnë fëmijët?
Bora i ngjan babait të saj. Është indiferente, e ftohtë. Unë them është Ilir Meta me flokë të gjata. Besari është emocional, ëndërron, është si unë.

Me kë jeni më shumë e lidhur, me djalin?
Unë me vajzat, me djalin jo. Djali im është shumë i lidhur me nënën time, sa një ditë më tha do bëj tatuazh foton e saj. I thashë ‘budalla je ti’, bëj fëmijët e tu.

Si jeni njohur me Ilirin?
Në Partinë Socialiste jemi njohur. Unë kam qenë pak e turpshme. Por pastaj pas fejese jo më. Mua nuk më ka pëlqyer Iliri në fillim, se ai është pak maskilist. Nuk është shumë xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Ne jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, e një vit më pas jemi lidhur.

Keni patur furtuna në jetë?
Kemi patur probleme padyshim. Uroj që të gjithë çiftet të jenë si ne. Ne nuk kemi patur probleme familjare, por furtunat tek ne kanë qenë politike. Dhe problemet e tilla të lidhin më shumë në çift.

A ju ndihmon Iliri për ndonjë punë?
Edhe për gjërat e veta personale më kërkon ndihmë për t’i blerë.

Po me fëmijët?
Edhe për fëmijët thotë mos m’i lodh shumë.

Si është raporti juaj me fëmijët?
Fëmijët padyshim duhen njësoj. Me Borën kam patur pak vështirë kur nuk mësonte dot tabelën e shumëzimit. Një ditë Iliri erdhi në shtëpi bashkë me Fahri Balliu, se e kemi mik shtëpi, me gruan e tij jemi të afërm, i thotë “Mos u mërzit se edhe xhaxhi Fahriu e ka patur 5 matematikën, rëndësi ka të lexosh libra”. Por sot Bora është shumë e mirë në rezultate.

A ju pëlqen të gatuani?
Mua më pëlqen të gatuaj. Ndërsa Iliri nuk gatuan, madje edhe bukën pret shtrembër.

A keni një librari të madhe në shtëpi? Sa libra?
Kemi një librari të madhe, por nuk e di sa libra janë. Ne tani kemi ndërruar shtëpi, për shkak edhe të zhurmave në ish-bllok. Tani kemi shkuar te “Kodra e diellit”. Shitëm një shtëpi më të shtrenjtë e blemë një më të mirë, por jemi më të qetë e kemi më shumë hapësirë. Tani edhe shpenzimet për energjinë i kemi më pak. Paguaja dikur 200 mijë lekë të vjetra, e tani 70 mijë.

Si është të ri biesh në dashuri me bashkëshortin?
Nuk është njeri që bën dhurata. Në 23 vite kam marrë vetëm një buqetë me lule.

Çfarë ju bën të jeni e dashuruar me të?
Të qenit burrë. Kur më ka sjellë lulet kam ndenjur dy javë pa gjumë, për faktin se m’i solli.

Cili ka qenë momenti më i vështirë me Metën? Si e keni parë përplasjen me Dritan Priftin?
Për mua ishte një manipulim. Kush do i beson titrat e asaj video. Perceptimi është bërë i domosdoshëm në Shqipëri. Ne e mbarsim opinionin publik me shumë informacione dhe pastaj ose i themi të vërtetën ose jo. Për mua më i vështirë ka qenë aksidenti që Meta ka bërë në zgjedhjet e 2005, dhe theu krahun. Unë nuk dija asgjë, madje as nuk e mësova kurrë kush i doli para që u aksidentuan.

A mendoni se ishte i qëllimshëm?
Nuk e di.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: