Për fat të keq, mbas një çerek shekul
li pluralizëm, vendi ynë nuk ka arri
tur të rishkruajë historinë. Patëm histori të deformuar e të politizuar plotësisht prej diktaturës për gati gjysmë shekulli dhe një pjesë e konsideruar e saj ka mbetur siç ishin “direktivat dhe vija e partisë”. Do të ishte në nderin e historianëve, të kishin kurajën të korrigjojnë atë që kanë shkruar dhe “studimet e sforcuara”. Kuptohet se në komunizëm askush nuk mund të shkruante e të thoshte të tijën, por gjithçka duhej të kishte partishmërinë dhe demaskimin e “reaksionit” e të “armiqve të popullit”. Ai që nuk vepronte kështu, nuk ishte se vetëm do të linte vendin e punës e shkonte ndonjë drejtor shkolle ose edhe mësues, por përfundonte keq dhe e paguante bashkë me familjarët. Së paku këtë nuk mund ta mohojë askush. Por që të vazhdojnë edhe sot, kjo për mua është e pafalshme dhe dëmton demokracinë tonë të brishtë. Si popull duhet të kemi historinë tonë si çdo vend i përparuar. Jemi në Europë dhe përpiqemi të meritojmë futjen në Bashkimin Europian. Mendoj se edhe kjo është diçka që na largon nga vendet e tjera.
Për Luftën e Reçit duhet sqaruar shumë shkurtimisht roli i Jup Kazazit. Jupi konsiderohet si një prej simboleve të luftës kundër komunizmit e për liri në vendin tonë. Për këtë, diktatura ka kërkuar ta njollosë në maksimum e ndokush, edhe mbrapa. Atë e kanë qitë edhe sikur ka luftuar bashkë me italianët kundër komunistëve. Së paku në Shkodër e edhe në Reç, brezi i sotëm duhet ta dijë nga paraardhësit se është shpifje e nuk është e vërtetë. Me të vërtetë ai pati post në kohë të Italisë, që e pati pranuar me këshillimin e disa personaliteteve e edhe deri të 4 “pleqve të Vlorës”, të konsideruar si heronj të luftës kundër italianëve më 1920. Pati qenë ministër vetëm 5 muaj dhe dha dorëheqjen bashkë me ministrin Hasan Dosti, mbasi nuk u pranua kërkesa për autonominë e Shqipërisë, flamurin shqiptar dhe lirimin e të burgosurve politikë, që ishin nga të tria anët politike. Ata të dy u larguan në mënyrë të menjëhershme, mbasi nuk iu pranua falja e tre të rinjve komunistë, Ferid Xhajko, Hamdi Mëzezi e Nikolla Tupe, të dënuar me vdekje. Mbas kësaj, atë e lanë në dispozicion e nuk e vranë si komunizmi “shokët” e vet. Ai edhe më përpara, që në 1939-ën, pati ndihmuar ballistët, legalistët e mjaft edhe komunistët dhe kujtdo mund t’ia demonstroj. Mbas kësaj, ai vazhdoi më haptas e më direkt aktivitetin kundër fashizmit. Mjafton që nëpërmjet një majori arbëresh, furnizonte me armë çetat e Ballit në veri. Emërohet komandant i forcave të Ballit për veriun. Edhe më vonë në kohë të gjermanëve del në mal e në bashkëpunim me Misionin Anglez për veriun. Janë disa dokumente prej Ministrisë së Brendshme, gjykatës ushtarake, prefektit të Shkodrës që urdhërojnë arrestimin e Jupit për braktisje detyre, tradhti të lartë e organizim kryengritje. Jup Kazazi lidhet, organizon, koordinon e bashkëvepron me çetat e grupet tjera e jo vetëm të Ballit e Legalitetit, por edhe me komunistët e kjo dokumentohet. Ai ka meritë të madhe për Luftën e Reçit.
Në periudhën e okupacionit, një ndër betejat më të mëdha në vendin tonë është Lufta e Reçit më 30-31 gusht 1943, ku u vranë rreth 40 e u plagosën mbi 100 italianë. (Këto shifra i kam marrë nga shkrimet e të tjerëve. Nuk kam arritur t’i nxjerr nga dokumente të arkivave). Për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë duhet të zbardhet e vërteta. Janë shkruar disa artikuj, një libër nga Mentor Quku që është studim me të dhëna nga arkivat, megjithëse atëherë i kanë munguar disa të dhëna të rëndësishme, ka intervista prej të dy krahëve politikë, prej pjesëmarrësve në luftë të reçjanëve. Për këtë ka dokumente të tjera në Arkivin e Shtetit. Mjaft intervista të anës së komunistëve janë bërë kur edhe ndonjë që dëshironte të thoshte të vërtetën, kishte frikë prej anës tij. Ai, edhe me ndonjë dokument me rëndësi që i kam dhënë unë, po punonte ta rishkruante studimin për atë luftë, por fatkeqësisht ndërroi jetë kohët e fundit.
Jup Kazazi pati meritën e madhe që nuk mund të mohohet dhe kjo dokumentohet se organizoi Luftën e Reçit, ku luftuan së bashku ballistë, legalistë, komunistë e popull i thjeshtë. Afërsisht 5 vjet mbas “çlirimit” jo vetëm nuk u festua, por as nuk u fol për atë luftë, pse ishte e freskët, pastaj komunizmi e përvetësoi krejtësisht, duke shtrembëruar të vërtetën dhe filluan ta festojnë e shkruajnë çdo vit. Jo vetëm nuk është e vërtetë, por bënin krim ata që shkruanin e shpifnin, Sadik Bekteshi, Rexhep Haka, Qazim e Fadil Kapisyzi etj., që e bënin luftën krejtësisht të tyren e për më tepër nxirrnin Jup Kazazin e “reaksionin” tradhtarë e kriminelë e sikur kishin luftuar bashkë me italianët kundër komunistëve. Këto epitete, një pjesë e tyre i mori për vete dhe u dënuan me akuzat si “armiq të popullit” prej komunizmit të tyre. Për këtë duhet të shihen gazetat ‘ZP’ e ‘Bashkimi’ të datës 31 gusht ose afër asaj date të çdo viti e sidomos deri në 1975, derisa ishin në këmbë disa që u dënuan. Megjithatë, kanë vazhduar të tjerë edhe mbrapa e për fat të keq, pak më me doreza, edhe në vitet e demokracisë.
Në gjurmët e tyre nuk shkruan të vërtetën me 31.08 e 1.09.2009 në gazetën “Shekulli” edhe Shaqir Vuka, duke i kaluar meritat si dikur “anës së tij” në artikujt “E vërteta e Luftës së Reçit” e “Reç 1943, ballistët në ndihmë të partizanëve”! E vërteta është se prej partizanëve ka qenë një çetë prej jo më shumë se 30 vetë e batalionit të Perlat Rexhepit, të sapoformuar, ose të formuar mbas kësaj lufte. Po të ishin prindërit e tij, kam besim se do të kishin kurajën të tregonin të vërtetën. I ati, Bejto Faslia, ka bashkëpunuar me Jupin e për këtë ka dokumente. Ai do të ishte njëri prej atentatorëve të Jacomonit të organizuar nga Jupi e që nuk u arrit. Bejto Faslia i ka thanë Qazim Kapisyzit: “More shoku Qazim, na po vrasim njeni-tjetrin. Na nuk e kena pasë kështu!”. Pra, i quajturi “shokë”, ishte vëllavrasës. Bejto ka qenë komunist, pa shkollë, por me sa di, unë ka pasur burrëri e nuk ka bërë keq. Po shtoj edhe një ngjarje tjetër. Kur isha i vogël, më ka takuar të loz me shokë të fëmijërisë në oborrin e shtëpisë së Koliqve, gati përballë Bankës në Shkodër, ku banonte familja Faslia e të tjerë, të futur nga shtetit horr e kriminel, që nxirrte të zotët përjashta e fuste njerëzit e tij. Një ditë e ëma e Shaqirit, në mos gabofsha, Shkurta, më pyet se i kujt isha e kur i thashë emrin e babait, ajo nënë më afroi te trupi e jo se m’u drejtua mua, por i doli nga shpirti: “Si babai yt s’ka pasur burrë Shqipëria”. Këtë unë nuk e kam harruar kurrë e kur ishim të rij, e kam pas përshëndetur me përzemërsi Shaqirin. Unë nuk ia kam pas marrë për të keq familjes së tij, pse kur kanë ardhur prej Reçit në Shkodër, kanë banuar në shtëpinë e Kazazëve. Ne përjashta me të vrarë, të burgosur, të persekutuar në kulm e të shpronësuar plotësisht, e familja e tij në shtëpinë tonë. Më vonë as nuk u pëlqeu kjo shtëpi e vjetër tradicionale dhe e madhe shkodrane, por zgjodhën atë të Koliqve në mes të Shkodrës. Shkrimi i tij me mllef për Jup Kazazin më bëri të kujtoj e të nxjerr nga thellësia e vuajtjeve, ku kishte mbetur, e ta hap e të mos e harroj edhe këtë, që ndryshe prej tyre, ana e jonë ka qenë e është më e moderuar e din të falë. Mbas këtij shkrimi joreal e me qëllim denigrimi, e shtoj edhe familjen e tij si bashkëfajtore me regjimin diktatorial, derisa ne na nxorrën në rruge e ata të ardhur nga Reçit, na zunë shtëpinë tonë. Më duhet të shpjegoj se ka pasur periudha që kanë ndenjur lirshëm në Shkodër prej të gjitha anëve politike, përfshi komunistët. Ka pasur edhe takime në mes tyre. Kjo është ditur jo vetëm nga të mitë, por edhe nga shumë të njohur që kanë jetuar deri para pak vitesh, ose ndonjë jeton akoma. Ai e merr për të keq edhe pse Jupi mund të ketë shkuar në Tiranë për t’u interesuar që të mos internonin familjen e Shefqet Beg Bushatit, vëllai i Sulçe Beg Bushatit, një prej trimave, luftëtarëve e komandantëve shkodranë më të njohur në luftërat popullore, i pushkatuar nga komunistët, e bashkëluftëtar me Jupin për liri e kundër komunizmit. Theksoj se djemtë e Shefqet Beg Bushatit, Sitki e Ismeti, që të rij komunistë, më kanë pas përshëndetur, përqafuar e kanë pas folur me shumë vlerësim e respekt për Jupin e familjen e Kazazve e kanë thënë se është familja më patriote dhe e ndershme e Shkodrës. Këtë, në konfidencë me dajën tim, Prof. Selaudin Bekteshin. Ai kërkon me çdo mënyrë të kapet për të njollosur, keqinterpreton e shtrembëron edhe shkuarjen disa ditë për pushime, pas dorëheqjes në maj 1943. Duhet të sqaroj se qeveria e atëhershme mbas dorëheqjes, nuk e dënoi me vdekje Jupin, siç bëri më vonë komunizmi me të vetët. Jupi qe lënë në dispozicion dhe në këtë periudhë, punoi më tepër kundër fashizmit. Pra, edhe fashizmi e diktatura e tij qenë më pak kriminelë se komunizmi, që vriste e masakronte këdo prej vëllezërve të vet shqiptarë, sadopak ta kundërshtonin, ose po të kishin parime të tjera. Se mos ndokush thotë se po mbroj fashizmin!? Aspak! Përkundrazi, të dyja qenë diktatura e kryen krime, por është e vërtetë, faktohet dhe e dinë shqiptarët, se krimet e komunizmit në vendin tonë qenë shumë më të tepërta e të tmerrshme se të fashizmit, që për më tepër ishte pushtues. Për të nxjerrë të vërtetën sinqerisht, duhet të ishte bazuar edhe në dokumentet që paraqes unë. Ata që kanë shkruar si dikur në diktaturë, i kanë pasur dyert e arkivit hapur dhe është e pamundur të mos i kenë dalë edhe këto, ndërsa unë me mund të gjatë mbas mëse 20 vitesh kam arritur t’i mbledh pak e nga pak e përveç dokumenteve që përmenda, me siguri ka të tjera.
Me rëndësi për t’u krahasuar me shkrimet tjera e për të nxjerrë disa të vërteta, është artikulli i Qazim Kapisyzit në ‘ZP’ datë 1.09.1993 “Mesazhe të mëdha dhe gjithmonë aktuale”, ku shkruan për Luftën e Reçit. Megjithëse komunizmi zyrtarisht kishte rënë, ai përdor stilin si kur ishte në fuqi, duke e përvetësuar luftën si të tyren dhe duke bërë bashkëpunëtor “reaksionin” dhe se ka luftuar bashkë me italianët kundër tyre. Ai shkruan si dikur: “Fashistët italianë, në bashkëpunim me krerët e reaksionit të vendit, duke parashikuar kapitullimin e shpejtë të Italisë, për të përjashtuar mundësinë e pushtimit të Shkodrës nga forcat nacionalçlirimtare, ndërmorën sulmin kundër forcave partizane…”. Nuk ka pasur forca shqiptare që kanë luftuar kundër shqiptarëve në Reç. Ka qenë vetëm ushtria italiane e nuk kishin nevojë për njerëz të tjerë. Ai shtrembëron krejtësisht të vërtetën, si dikur ai vetë me shokët e tij. Provohet e kundërta me dokumente dhe shpjegoj më poshtë se italianët sulmuan Reçin, kryesisht pse u krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” me iniciativeë e kryesinë e Jupit, ku u bashkuan të tria forcat politike. Kapisyzi thotë: “rrenë me bisht”, siç i thonë në Shkodër, kur thotë se italianët sulmuan Reçin për çetën e tyre, që donte të çlironte Shkodrën! Ka qenë krejtësisht e kundërta. Ai edhe për këtë falsifikon të vërtetën e përvetëson meritën e të tjerëve. Kapisyzi shkruan me pompozitetin e stilit komunist, se më 30 gusht erdhën 1200 ushtarë italianë e luftuan në proporcion 30 me 1 me çetën e parë të batalionit të Perlat Rexhepit, me rreth 40 vetë (në fakt rreth 30), por ata me trimërinë e kurajën e tyre i mundën keq. Pra, vetëm ata kanë meritat e “reaksioni” bashkë me italianët luftoi kundër tyre, ndërsa ata 40 vetë thyen 1200 e vranë 40 italianë, pra 30-fishin. Ai si pjesëmarrës i luftës, i afrohet të vërtetës vetëm me numrin 40 partizanë, që ka qenë gjithmonë i disafishuar nga ata e vërtetohet se nuk ka qenë batalioni me mëse 140 vetë, siç kanë shkruar e vazhdojnë. Sipas tij, “sa nisi pushka, partizanët e çetës së parë përkrah saj menjëherë u rreshtuan malësorët trima të Reçit, të fshatrave pranë si dhe çeta e dytë e batalionit. Ndodhi mrekullia …” etj., etj. Ai me çetë të dytë, siç duket konsideron 40 ushtarët e Fadil Deliallisit, që kaluan me anën e tyre. Ata luftuan veçmas e mbas Luftës Reçit u bashkuan dhe qenë baza e krijimit të batalionit, që bashkë me çetat arritën rreth 140 vetë.
Nuk mundem të mos tregoj, se në vitet e para të demokracisë, në kremtimin e Luftës Reçit, në tribunë ishte motra ime, Lirij e afër saj, një veteran i asaj lufte në moshë e që çalonte sepse ishte plagosur gjatë luftimeve, e afër tij Q. Kapisyzi. Ai burrë i tha: “A e man mend shoku Qazim se kur unë u plagosa në kambë e ishim afër, ti u largove e u mëshehe mbas shkambit, kurse më erdhi i pari Jup Kazazi, grisi këmishën e tij e më lidhi plagën me bllokue gjakun, deri sa erdhën me më mjekue”. “Shoku” Qazim nuk tha asnjë fjalë. Po shtoj edhe diçka tjetër, që del në librin e Mentor Qukut. Patjetër nuk mohohet edhe lufta e komunistëve, por jo të vazhdohet si dikur e të marrin meritat e të tjerëve, e jo vetëm me ua marrë, por t’i bëjnë edhe tradhtarë e armiq. Morën pjesë e luftuan, por me 30 vetë, pra me shumë më pak se Balli e Legaliteti. Duhet të arsyetojmë e gjykojmë: çka shkruanin Sadik Bekteshat me shokë, bien poshtë si shpifje, siç ka vazhduar komunizmi edhe për njerëzit e vet kur i eliminonte. E vërteta provohet nga mjaft dokumente të Arkivin Shtetit, përveç shkrimeve e dëshmive. Në Reç luftuan të tria anët politike e bashkë me ta, banorët e Reçit e të rrethinave.
Në periudha të caktuara të asaj kohe, siç e kam thënë edhe më lart, kanë qenë të gjithë të lirë, kështu edhe në Shkodër, përfshi udhëheqësit komunistë. Në Shkodër qarkullonte Vasil Shanto e të tjerë. Janë të dokumentuar e të jetuar edhe disa takime në mes palëve në Shkodër. Ata donin të impononin idetë sllavo- komuniste, që i bënë të tyret dhe prishën Marrëveshjen e Mukjes. Ata qenë kundra për zgjidhjen e çështjes Kosovës me referendum të kosovarëve. Në fakt, Qarkori i Shkodrës nuk ishte krejt kundra, por patën orientimet e qe hedhur Vasil Shanto si i K.Q. e prishi gjithçka. Kush mendonte e vepronte ndryshe, ishte “armik i popullit” e kështu vazhdoi deri më 1990. Jup Kazazi respektonte kundërshtarët politikë e për më tepër, kush luftonte pushtuesin. Kishte ide e kulturë perëndimore dhe zbatonte Marrëveshjen e Mukjes. Ai nuk i konsideronte armiq e tradhtarë ata që kishin ideal tjetër, pse kishte sensin e demokracisë dhe respektonte të drejtën e idesë e mendimit të personit. Atë e bënë komunistët që gjatë luftës e më vonë gjatë diktaturës së tyre vranë, burgosën e internuan mija e mijëra patriotë e iu persekutuan për 46 vjet familjarët e farefisin, përveç që edhe i shpronësuan. Ky qe ndër krimet më të mëdha të njerëzimit. Jupi ra në kundërshtim me ta, kur u pa haptazi që ishin të shitur tek sllavi, donin t’ju falnin Kosovën e të eliminonin fizikisht kundërshtarët politikë, ashtu sikurse vepruan dhe koha e provoi.
Në këtë kohë janë disa dokumente në shqip e italisht, që urdhërojnë kërkimin e arrestimin e Jupit. Një prej tyre është se Ministria Brendshme me nr.22478/2 e/8 dt.18.08.43 i bën gjyqit të posaçëm të shtetit denoncim për arratisje, tradhti e braktisje detyre. Urdhër-arrestimi nga gjykata ushtarake e luftës n.2216/43 në italisht, etj.
Pse italianët sulmuan Reçin me Armatën e IX? Pse ishin dy çeta të partizanëve, siç thotë edhe sot ana e tyre? Pse ishin tri çeta të Ballit dhe e një ose dy të Legalitetit? Aspak e vërtetë!
Arsyeja pse italianët sulmuan Reçin e kush e organizoi atë, provohet nga letra e ministrit të Brendshëm nr. 635/206 dt. 28.8.1943 drejtuar Komandës së Armatës IX prej 3 faqesh dhe është e çuditshme që deri sot në asnjë shkrim ose studim nuk rezulton, pra publikohet për herë të parë. Ky dokument është shumë i rëndësishëm dhe provon e shpjegon Luftën e Reçit e pse italianët sulmuan. Me këtë dokument bien poshtë ato që kanë thënë e që thonë edhe mbas v. 1991 ata që duan ta përvetësojnë. Ndër të tjera, aty thuhet se “më dt. 15 janë mbledhë në Gradiski të Lohjes çetat e ndryshme e kryetari i komisionit, Jup Kazazi, iu lexon letren e Lumo Skendos se formohet “Komiteti për shpëtimin e Shqipnisë” për Prefekturën e Shkodrës e Kosovë. Kryetarët e çetave kanë emnue nji zani kryetar Jup Kazazin e organizator Llesh Marashin, sekretar Enver Bushatin e anëtarë Dom Luigj Pici, Dr. Bahri Kopliku, Hasan Isufi e Ramadan Reçi. Në komision bajshin pjesë edhe Dom Zef Shestani, Xhelal Bushati, Prof. Prek Kaçinari, Ibrahim Mandija, Gjovalin Lin Luka e bajraktari i Reçit Nuz Sokoli”. Aty ishin tri çeta të Ballit, një e Legalitetit dhe dy të komunistëve Gjovalin Luka e Ramadan Reçi, që edhe ata votuan Jupin. Aty thuhet: “Jup Kazazi asht tuj pregatite bandat për me sulmue Shkodrën”. Po aty shkruhet: “Kryetari i komitetit, Jup Kazazi me organizatorin e çetave, Llesh Marashin, ka formue dorën e zezë, për nji atentat kundra ministrit Punve të Mbrendshme, këta persona janë të ngarkuem për atentat: Dan Elezi, nga katundi Zagorë (prej çetës Llesh Marashit); Bejto Faslia nga katundi Reç (i çetës Ramadan Bajraktarit) dhe nji person i panjoftun i pa emën i çetës Gjovalin Lukës”. Po për përgatitjen e atentatit është edhe një dokument tjetër, letër e ministrit të Brendshëm nr.1937/II me 24.8.’43, ku thuhet se i nipi i Sulçe Beg Bushatit, Fejzi Boriçi kryetar i grupit me tre shokë të tjerë (që janë personat e mësipërm) janë nisë për Tiranë për atentatin. “Në kaq jemi njoftu se kryetari i Komitetit asht Jup Kazazi me organizatorin Llesh Marashi, të cilët kanë formue Dorën e Zezë për nji atentat kundër ministrit P.Mbr”. Pra, grupi për atentatin ka kryetar Fejzi Boriçin e Dan Elezin që janë të Jupit dhe Llesh Marashit, me Ballin, Bejto Faslia dhe një pa emër të komunistëve”. Në fakt, jam krejt i sigurt prej tregimit të Zenel e Hamid Kazazit, se atentati ishte për mëkëmbësin e mbretit Jacomoni e jo për ministrin shqiptar. Një dokument i mëparshëm, letër/telegram e prefektit Shkodrës, drejtuar Ministrisë Brendshme nr. 635/106 dt. 1.8.1943, thotë: “Tash lajmërohemi nga Komanda e Rrethit se në katundet Linaj e Lepurosh të komunës Rrjolli, nji grup personash të armatosun prej afro 500 vetësh janë mbledh nën kryesinë e Jup Kazazit e Xhelal Sulo Beg Bushatit, të dy nga Shkodra. Qëllimi i kësaj mbledhjeje nuk dihet. Ju shkrue Komandës së Sektorit këtu për masat e rastit. – Prefekti”. Po këtë tekst më dt. 3.8.43 ministri i Brendshëm ia çon kryesisë së Këshillit të Ministrave. Telegrami shifër i ministrit, prefektit të Shkodrës nr.635/136 dt. 4.8.’43 thotë: “Më referohet se si bashkpunëtorët ma të ngushtë të Jup Kazazit për kryengritje para shumë kohësh kanë qenë Ahmet Osi, Ujk Tahiri dhe Elmaz Hoxha, te tre nga Kopliku. Në rezulton e vërtetë, të arrestohen. -ministri”.

Pra, thuhet: para shumë kohësh. Telegrami 361/22 dt. 4.08.1943 e akuzon Jupin për tradhti e përgatitje për kryengritje. Telegram tjetër thotë se po i përgatit atentat ministrit, që në fakt, siç kam thënë më lart, ishte për Jacomoni-n. Shumë domethënës e i rëndësishëm është edhe raporti i prefektit të Shkodrës, Ministrisë së Brendshme, për luftën më datë 3.9.1943 nr.635/258 (AQSH Fondi 252, dosja124, fleta 20, nr. 4) ku thuhet: “Kam nderin t’Ju njoftojm se operacionet e ushtrisë kundra çetave rrebele të Jup Kazazit me shokë kanë fillue me datën 30 të m. kaluem n’orën 4 të mëngjesit dhe ushtrija u tërhoq me datën 31.8.1943. Në ndeshje thuhet se kanë mbetë prej çetave Rifat Nuz Sokol Bajraktari, i biri i Bajraktarit të Reçit bashkë me Dr. Bahri Kopliku (shënim: gabohen pse dr. Kopliku ishte me Ballin, por ka jetuar deri vonë) dhe 10 persona të tjerë të pa identifikuem, të cilët janë varrosun prej çetave.

Prej ushtrisë kanë mbetun 8 ushtarë që nuk janë varrosë ende, nji kapiten ndodhet i vramë në lagjen ‘Prel Nikaj’ e nji karabinier në lagjen Kuç, të cilët nuk kanë mujt të tërhiqen pse këto katunde ndodhen në dorë të çetave. Popullsija e Reçit dhe Lohes asht largue ndër male dhe shumica e banorve të Reçit janë bashkue me çetat. Ushtrija ka damtue në operacjone 10 shtëpija. Nji rreshter milicije, i plagosun…. Mbas njoftimit që kemi prej komunës Shkrelit, çetat rebele i janë afrue kësaj komune; fuqija vullnetare (shënim: ka qenë e krijuar prej kolonelit italian) ka xanë vendet e dyshimta. -Prefekti”. (Shënim: Në raport gabohet numri i të vrarëve, mbasi janë më pak prej anës sonë e shumë më tepër prej italianëve. Ishte shpejt e nuk duhet të kenë pasë informacion të azhornuar).

E pra, nuk përmenden komunistët, të cilët e patën shtrembëruar të vërtetën historike e përvetësuar rolin e tyre udhëheqës. Po sqaroj se Llesh Marashi, për një periudhë shumë të shkurtër, jo punë muajsh, qe lidhur me komunistët si komandant çete, por u shkëput menjëherë sa pa qëllimet e veprimet e tyre. Ai qe me Ballin. Gjithashtu, Bajraktari i Reçit kryesisht ka qenë mik i Jupit dhe i palidhur politikisht. Patjetër ai si edhe bajtaktarët tjerë e banorët kanë pritë e strehuar të gjithë pa dallim se të cilës anë politike ishin. Djali i tij, Rifat Nuzi, njëri prej dëshmorëve, siç më kanë pas thënë të mitët, ka qenë simpatizant i Ballit. Ndërsa Ramadan Reçi (i shkruar edhe Bajraktari) ka qenë nip i Bajraktarit dhe komandant çete komuniste. Gazeta “Flamuri” e Ballit e atyre kohëve, shkruan gjysmë faqeje “Lufta e tmerrshme e Reçit” e është Jupi që organizoi e bashkoi tri forcat politike në këtë luftë. Kjo del nga dokumentet.

Përfundimisht, italianët sulmuan Reçin me gjithë forcat e tyre ushtarake, për të eliminuar forcat e organizuara nga Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë me kryetar Jupin, ku bënin pjesë çetat e Ballit, Legalitetit e komunistëve, pra të gjithë së bashku kundër pushtuesit, për të sulmuar e çliruar Shkodrën. Siç del nga dokumenti, edhe priftërinj janë shpërndarë për të përgatitur njerëzit e për të bërë propagandë. Jupi me influencën e vet e po kështu të tjerët, do të çonin në këmbë jo vetëm zonën e Reçit, por edhe krahinën e Shkodrës e sa t’i afroheshin Shkodrës, edhe qytetarët. Në fakt, këtë udhëheqja komuniste nuk e deshti, megjithëse komandantët e dy çetave të tyre qenë dakord kur u bë marrëveshja.

Në Luftën e Reçit morën pjesë prej Ballit, Jupi me çetën e njerëzit e vet, çetat e Xhelal e Enver Bushatit dhe e Llesh Marashit, prej Legalitetit ishin me një ose dy çeta si komandant Shaqir Meta e me të Shaban Elezi, Hysen Lohja e Fadil Dizdari e komunistët me rreth 30 vetë. Shumë të rëndësishëm qenë ushtarët e Regjimentit të III të Ushtrisë Kombëtare, që kishin dezertuar e ardhur nga Ulqini. Ushtarët kishin oficerët akademistë kolonel Fuat Dibra, që mbas 29 nëntorit komunistët e dorëzuan te jugosllavët, të cilët e pushkatuan si antikomunist e antisllav dhe majorët Zenel Kazazi e Dilaver Dine, të lidhur me Ballin. Ata kishin patriotizmin e ndjenjën e demokracisë e nuk i detyruan, por i lanë të lirë ushtarët e oficerët të shkonin me kë të donin dhe është e vërtetë se pjesa më e madhe, rreth 80-90 vetë, me 13 oficerë ndenjën me komandantët e mësipërm, pra me anën e Ballit dhe një pjesë, rreth 40 vetë, me toger Fadil Deliallisin e me sa di, edhe një oficer tjetër, u lidhën me komunistët, ndërsa një pjesë qe nis drejt shtëpive të tyre. Oficerët nuk i detyruan ushtarët, por i lanë të lirë për të vendosur.

Edhe kjo është për t’u vlerësuar. Ishte merita e Zenelit, i lidhur me Jupin, që drejtoi regjimentin nga Ulqini në Reç, ku i vëllai po përgatiste luftën. Dokumentohet se kur kaluan lumin Buna, ata i priti Haliti, vëllai i madh i Jupit, oficer karriere, e i udhëhoqi drejt Reçit. Shtoj se me ushtarët e Deliallisit e çeta të tjera qe formuar batalioni i Perlat Rexhepit prej rreth 140 vetësh, por ato ditë në Reç ishin rreth 30 vetë dhe Deliallisi me të vetët janë inkuadruar me batalionin mbas Luftës së Reçit. Qazim Kapisyzi, pjesëmarrës, shkruan se ishin 40 partizanë e jo 140 edhe këtu shton, (dhe që është jashtë logjikës), që ai si komunist e pjesëmarrës në këtë luftë, t’ju heqë të vetëve 100 vetë. Po shtoj se Deliallisi nuk qe kriminel e karrierist. Më vonë, me gjithë kontributin për luftën, me sa di unë, e patën lënë vetëm drejtor shkolle në Shijak. Edhe intervistat që i janë bërë atij, ishin në një kohë kur kishte frikë të kundërshtonte haptas çka kishte thënë komunizmi.

Edhe Llesh Marashi me çetën pati arritur nga Shkreli pak mbasi kishin filluar luftimet, por zuri pozicion shumë strategjik pse mbylli gjysmën e harkut që rrethonte italianët. Ajo anë ishte më e lirë e ata po avanconin. Ndoshta Kapisyzi mos i konsideron këta si çetën e dytë? Kështu, organizimi ushtarakisht nga akademistët Zenel Kazazi e Dilaver Dine, solli në thyerjen e ushtrisë italiane e tërheqjen e tyre.

Lufta qe bërë e ashpër, me fitoren tonë. Ushtria italiane pati ardhur me më se 1000 vetë e megjithëse ushtri e përgatitur dhe e organizuar, la rreth 40 të vrare e 100 të plagosur, ndërsa tonët pesë të vrarë e pak të plagosur në luftime dhe thuhet se pati edhe rreth 8 të vrarë të pafajshëm në rrethinat e zonës Reçit nga bombardimet e aeroplanit. Italianët dogjën edhe disa shtëpi. (Këto shifra i kam marrë nga shkrimet e të tjerëve, pra nuk jam i sigurt për saktësinë). Dihet në Shkodër se spitali u mbush me të plagosur të ushtrisë italiane dhe qenë një numër i konsideruar të vrarësh.

Jupi ishte organizatori e ai që i bashkoi të gjithë e këtë e provojnë edhe dokumentet e paraqitura më sipër. Aty luftuan shumë vendës të Reçit e rrethinave dhe qe shumë e rëndësishme pjesëmarrja e tyre në luftë. Mjaft me përvetësimin e meritave! Reçjanët, banorët e zonës e në përgjithësi veriu, si gjithmonë kishin patriotizëm e traditë, ishin trima e bujarë dhe në atë kohë pritën, strehuan e iu dhanë bukë pa dallim të gjithëve që ishin në mal. Bajraktari i Reçit, Nuz Sokol Bajraktari (Çelaj) ishte mik i vërtetë i Jup Kazazit e kjo nuk mund të mohohet, megjithëse ai nuk ishte i prononcuar politikisht. Ai në Reç, në shtëpinë e tij, i tha edhe për djalin, Rifat Nuzi, i ri që ishte afruar me Ballin: “Jup ta kam falë djalin”, e i dha pushkën të luftojë.

Për fat të keq Rifati u vra si hero, e kur Zeneli që e kishte afër, shkoi afër Bajraktarit e i dha lajmin, ai i tha vetëm: “Im bir dha jetën për atdhe, veç se kthejeni mbarë”, e vazhdoi luftën më me tërbim. Ky qe akt i rrallë trimërie, kurajë e jashtëzakonshme e për të mos u harruar. Për këtë, Jupi fliste me keqardhje të madhe e nëna më thoshte se i pati thënë që më mirë të ishte vrarë ai vetë, se Rifati, djali i Bajraktarit. U vra kapteri Ismet Dertliu, që ishte me Zenelin e me vonesë e patën konsideruar dëshmor, pse nuk kishte qenë me komunistët e siç kanë thënë, u interesuan të nipat e arritën ta njohin si dëshmor, megjithëse e meritonte plotësisht. Gjithashtu, dëshmor ra edhe kapteri Haxhi Islami. Edhe ai ishte i regjimentit të Ushtrisë Kombëtare e ishte në fillim me toger Deliallisin, por disa ditë përpara luftës qe larguar e bashkuar me trupat e Zenelit, pra me Ballin. Ra dëshmor edhe Zymer Duli nga Reçi. Ushtari italian e antifashist që kishte dezertuar, ishte me Jupin në mal dhe u vra ngjitur me të, ndërsa luftonte kundër bashkatdhetarëve të tij.

Për emrin e tij ka shkruar Ruzhdi Rroji, pjesëmarrës në këtë luftë, në ‘RD’ se, quhej Galdo Galderisi, ndërsa djali i hallës, Fahri Golemi, i ri atëherë, e kujtonte nga të thënat se quhej Giuseppe Di Martino. Unë nuk e kujtoj emrin që më ka pas thënë Zeneli që para vitit 1970. Ai u pati thirr në italisht: “Maskarej, ikni prej këndej, se kjo është toka e shqiptarëve!”. Jupi i ka pas treguar të shoqes se deshën ta vrisnin komunistët në Reç e po kështu e di edhe prej Zenelit, se italiani u vra anash nga një plumb drejtuar Jupit, prej nga ishin komunistët. Pati dalë fjala edhe prej tyre, pse nuk ishin të gjithë për vëllavrasje, e patën thënë se e kishte gjuajtur Jupin për ta vrarë Lilo Zeneli, më vonë një prej shefave e kriminelëve të Sigurimit. Komunistët kishin raportuar 100, por nuk ishin më shumë se 30 vetë e kur Zenel Kazazi që drejtonte ushtarakisht, i inspektoi, u dërgoi përforcime prej njerëzve të vet e i bllokuan italianët. Ka pasur rëndësi të madhe gjatë luftimeve marrja e mitralozit të rëndë italianëve e vrasja e ushtarëve, të cilët gjuanin nga një pozicion shumë i favorshëm e që shihte gati gjithë zonën. Atë e bëri Ujk Tahiri me një shok me aksion personal e me trimëri.

Qe meritë e madhe kryesisht e oficerit akademist, Zenel Kazazi me kolegun Dilaver Dine, që mbasi patën studiuar zonën, organizuan strehimin e të moshuarve, grave e fëmijëve, kështu që u reduktua në minimum numri i viktimave në civilë dhe sidomos organizimi ushtarak i luftëtarëve e pozicionimi i forcave solli fitoren kundër një ushtrie të rregullt, të armatosur mirë e disafish më të madhe në numër. Patjetër që edhe ana morale, pse ne mbronim trojet tona, kurse italianët ishin pushtues dhe ruanin më tepër jetën e tyre.
Mbas Luftës së Reçit e mundjes së italianëve, qëllimi i Jupit dhe i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë që në krijim, ishte të sulmohej e të çlirohej Shkodra, që arrinte kryesisht duke marrë kazermat e ushtrisë në hyrje të qytetit nga veriu, pastaj futeshin në qytet. Kjo ishte e studiuar ushtarakisht. Ushtria italiane ishte e demoralizuar dhe kishte lënë mjaft të vrarë e të plagosur në Reç. Këtë nuk e donin komunistët dhe i çuan fjalë. Nuk donin që të çlirohej Shkodra e të kishin meritë të tjerët!

Ky ishte patriotizmi i tyre. Qe pengesë edhe pse italianët këtë herë donin të fusnin në luftë edhe trupat e milicisë shqiptare të mobilizuar e “forcat vullnetare” dhe Jupi nuk deshi të luftonte me bashkatdhetarë. Këtë e di mirë prej xhajave të mi, nga Ruzhdi Rroji e me mjaft hollësi nga Lekë Harapi.Ka edhe një fakt tjetër. Jupi ishte mëse i kërkuar nga italianet e qe njoftuar prej shqiptarësh që punonin, por nuk ishin vegla të okupatorit, se për raprezalje ata donin të internonin në Itali të shoqen Nasiben, që në atë kohë ishte shtatzënë e me gjithë djalin 2 vjeç, atje ku patën internuar mjaft antifashistë. Italianet deri atëherë kishin internuar në Itali asnjë grua me fëmijë. Ajo gjeti në kohë strehim tek ulqinakët, ku e motra Fahrija ishte e martuar me Qazim Ulqinakun. Kur erdhën ta merrnin italianët, nuk e gjetën në shtëpinë e saj. Më 18 gusht 1943 lindi vajza në ilegalitet e me mamì në shtëpi. Jupi prej malit çoi fjalë t’i venin emnin Liri, mbasi po luftonin për liri.

Unë kam shkruar për shkrimet e Kapisyzit e Vukajt jo për replikë e për t’i kundërshtuar, pse kisha për ta bërë kur janë shkruar e për më tepër shkrimi i fundit, por kam marrë çka kanë shkruar ata e provoj të kundërtën për shumë gjëra të rëndësishme. Kjo është për të zbardhur të vërtetën dhe lexuesi të ketë mundësinë të gjykojë. E them se nuk u heq meritat e pjesëmarrjen komunistëve, por sot nuk duhet mbuluar e vërteta.

Ka diçka që më bën mjaft përshtypje. Kur kremtohet Lufta e Reçit, krahët politikë e bëjnë secili për “hesap të vet”. Kur ishte në fuqi e djathta, vinte një grup i vogël prej të majtës, ndërsa vitin e kaluar, që është e majta në fuqi, vijnë t’organizuar e me autoritetet edhe nga Shkodra. Prej të djathtëve mungonin personalitetet, ishin kryesisht të komunës, popull i zonës e rinia që festonte e gëzonte. Kur do t’i fitojmë nocionet e demokracisë? Për të mirën e vendit, politikanët duhet të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin e të jenë më tolerantë, pavarësisht prej ideve të ndryshme që kanë. Edhe ky kremtim duhet të jetë vend takimi, paqëtimi e festimi të përbashkët.
Gusht 2015

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: