Teatri Kombëtar do të sjellë në skenë së shpejti, një kryevepër të teatrit bashkëkohor, “Equus” nga Peter Shaffer.

Ky produksion i rëndësishëm është i drejtuar nga regjisori i njohur në rajon, Dino Mustafic. “Equus” është një ndër veprat me kontraversale të dramaturgut Petter Shaffer (1926-2016).

Ky shkrimtar me veprat e tij komplekse, hyri në gamën e shkrimtarëve klasik, kur ishte ende gjallë.

Shaffer, i frymëzuar nga një histori e vërtetë shkruan këtë vepër në vitin 1973. Drama për herë të parë u vendos në Londër në vitin 1974,dhe fitoi çmimin “Tony Award” për shfaqjen më të mirë dhe menjëherë pas kësaj, shfaqja u vendos më shumë se 1000 herë në Broadway.

“Equus” është udhëtimi i mendjes së një djaloshi i cili me një çengel, verbon gjashtë kuaj. Historia flet për marrëdhënien e një psikiatri me pacientin e tij adoleshent, i cili pasionin e tij për kuajt e tregon me verbimin e tyre.

Fokusi i veprës bie mbi një shtatëmbëdhjetë vjeçar, Alan Strang dhe Martin Dysard,psikiatër i moshës së mesme i cili pranon ta kurojë atë.

Gradualisht,ai zbulon arsyet, të cilat shtynë djalin të kryejë krimin. Doktori, sa më shumë i afrohet pacientit dhe kupton motivet e tij, aq më shumë, shqetësohet se si duhet të sillet me Alanin dhe “botën e tij të brendshme” të cilën djali e ka krijuar në kokën e tij duke vënë në pikëpyetje motivin profesional madje edhe vetë ekzistencën e tij.

Nëpërmjet raportit me fenë, Alani krijon Perëndinë e tij “Equus” dhe ritualin personal.

Magjepsjen e tij për të mbinatyrshmen, ai e ngatërron me tërheqjen seksuale. Konfuzioni i tij, i lë hapësirë pyetjeve mbi marrëdhënien në mes vlerës personale dhe normave shoqërore.

Shfaqja vjen në formën e një trilleri psikologjik (histori hetimi) ndërthurur me elemente të thellë humori.

“Equus” ngre dilemën: Çfarë është normale? A duhet t’i edukojmë fëmijët për të qenë normal?

Humori, imazhet e forta dhe mjetet dramatike përcjellin qartë tema të rëndësishme si dhe theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet: mungesa qytetarisë, morali i rremë, erotizmi, fashizmit të të gjithë ideologjive, pandjeshmëria e shoqërisë ndaj të ndryshmes.

Vetë Shaffer, ka shkruar skenarin e filmit me të njëjtin titull ,bazuar mbi veprën dramatike.
Filmi “Equus” është xhiruar 1977, me regji të Sidney Lumeta pati tre nominime OSCAR , një prej të cilave ishte për “Skenari më i mirë” nga Petter Shaffer.

Premiera do të shfaqet më datat 17-18-19 Mars ora 19:00 në Teatrin Kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb