TIRANE- Brenda muajit janar pritet të përfundojë tenderi për dhënien me koncesion të autostradës Durrës-Kukës, e njohur si rruga e Kombit.

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi te shtunen se Rruga e Kombit është në fazën e fundit të proçesit të tenderimit duke shprehur besimin që të shpallet brenda muajit janar.

“Rruga e Kombit është në fazën përfundimtare të përgatitjes së proçesit të tenderimit dhe pjesa e tarifës do të jetë pjesë e ofertave që do sillen për këtë nga kompani të ndryshme. Jam optimist që brenda muajit janar tenderi do të shpallet”, ka deklaruar ministri për mediat

Dhënia me koncension shihet si e vetmja alternativë për mirëmbajtjen e rrugës, për shkak të kostos së lartë. Ndërsa për qytetarët që do të përdorin këtë aks rrugor, ende nuk është përcaktuar tarifa fikse se sa do të detyrohen të paguajnë. Autostrada nisi ndertimin ne vitin 2003 kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë tani dhe u hap ne qershor te vitit 2009. Kjo autostradë e lidh Durrësin dhe Shëngjinin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të zhvillohet shpejtësi 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese 180 kilometërshe që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që të mund të kalohet për vetëm 2,5 orë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: