Ish-ambasadori Arben Çejku, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, dy muaj pas nisjes së përplasjes mes SHBA-ve dhe Iranit, e cila tashmë është shndërruar në një përballje ekonomike dhe strategjike për Ngushtica e Hormuzit.

Sipas Çejkut, parashikimet për një luftë të shkurtër kanë qenë të gabuara që në fillim. “Kur u tha që lufta do përfundojë brenda një jave apo disa ditëve me Iranin, kam thënë që do zgjaste. Nuk mund të kishte një luftë të shpejtë dhe rikthim në pikën zero të situatës,” u shpreh ai.

Diplomati theksoi se, edhe pse aktualisht ka një armëpushim, tensionet në rajon mbeten të larta dhe rreziku për një përshkallëzim të ri është ende prezent. Megjithatë, ai e konsideroi pozitiv faktin që po bëhen përpjekje për një zgjidhje afatgjatë.

“Fakti që bisedimet vijojnë tregon se konflikti do të paketohet dhe do të ketë një zgjidhje,” deklaroi Çejku, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut në situata të tilla.

Ai solli në vëmendje edhe precedentë historikë, duke përmendur kontaktet indirekte mes ish-presidentit amerikan George H. W. Bush dhe liderit sovjetik Mikhail Gorbachev, përpara ndryshimeve të mëdha në Bashkimin Sovjetik. Sipas tij, këto komunikime të fshehta kanë luajtur rol kyç në arritjen e marrëveshjeve.

“Në prapaskenë janë zhvilluar gjithmonë bisedime që nuk janë bërë publike. Kjo tregon se SHBA, Irani dhe vendet në konflikt kanë korridore komunikimi informal shumë të rëndësishme për të shkuar drejt një zgjidhjeje,” përfundoi ish-ambasadori.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb