Zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda me anë të një deklarate për media ka bërë një rezyme të punës së bërë nga ana e policisë dhe forcave të tjera të dërguara në terren për tërmetin.

“Ne kemi punuar në disa bashki si Tirana, Durrësi, Kamza, Fushë-Kruja, Shijak etj. Në Bashkinë e Shijakut deri në orët e pasdites janë kryer mbi 8000 banesave dhe janë verifikuar 50 pallate, ku 30 rezultojnë të dëmtuara rëndë. Ne jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë. Janë bërë 199 telefonata gjithsej në operatorët tanë, shumica nga Durrësi. Qytetarët të drejtohen pranë portalit “Shqipëria që duam.al”.”, tha Voda.

Rovana Voda ka treguar punën në terren, sa ndërtesa janë inspektuar dhe sa janë prishur.

“Në Durrës janë inspektuar 610 banesa, ku 27 rezultojnë të prishura. Në Shijak janë 45 ndërtesa të inspektuara. Ne kemi qenë në terren gjatë gjithë kohës në Durrës, në Shijak dhe në Thumanë. Janë angazhuar mbi 300 forca të armatosura dhe janë ndarë ndihma, sidomos për strehimin.8 objekte janë prishur në Thumanë dhe 12 në Durrës. Po ashtu, ne kemi vënë në dispozicion edhe mjekë e infermierë, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve”, u shpreh Voda.

Fjala e plotë e zv/ministres të Brendshme Rovena Voda:

Përshëndetje,

Vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës deri në orën 18:30 të ditës së sotshme në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë, sipas informacioneve që përditësohen me saktësi nga Qendra Kombëtare Operacionale e Mbrojtjes Civile, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për punën e palodhur gjatë gjithë këtyre ditëve.

SHIJAKU

Në Bashkinë e Shijakut deri në orën 17:20 të datës 03/12/2019 janë kryer 820 verifikime të banesave 1 deri në 3 kate, si dhe verifikime të 50 pallateve, ku 30 prej tyre janë të dëmtuara rëndë.

QENDRA E RE DISPEÇER

E risjellim sërish në vëmendje se janë vënë në funksion të plotë tre numra të gjelbër në dispozicion të qytetarëve për çdo nevojë, për qarqet Durrës, Lezhë, Tiranë:

  • 0694114100
  • 0694114101
  • 0694114040

Gjithashtu, ripërsërisim se për çdo shqetësim apo pyetje lidhur me tërmetin e datës 26 nëntor, qytetarët mund t’i drejtohen edhe Platformës së Bashkëqeverisjes:

www.shqiperiaqeduam.al

Deri në orën 17:30 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve është aktualisht: 199 (Tiranë – 76; Durrës – 101; Lezhë – 21; Elbasan – 1).

Shumica dërrmuese prej 169 thirrjesh ka qenë për verifikm dëmesh në banesë.

PUNA NË TERREN

Ndërkohë, kemi një përditësim të bilancit paraprak të inspektimeve, si në vijim:

  • Bashkia Durrës610 Objekte të inspektuara, 237 të pabanueshme, 27 për tu prishur;
  • Bashkia Krujë46 Objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;
  • Bashkia Shijak – 45 Objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;

Në rang qarku, 701 objekte të inspektuara

 Vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, ora 18:30, janë prishur 20 objekte të shkatërruara, 8 objekte në qytetin e Thumanës dhe 12 objekte në Durrës.

Grupet e punës në terren:

  • Durrës 22
  • Krujë 6
  • Shijak 6

STREHIMI

FA kanë angazhuar 334 forca dhe rreth 100 mjete për ngritje çadrash e menaxhim kampingjesh, pritje e shpërndarje ndihmash dhe shoqërim të ekipeve të ekspertëve.

SHËRBIMI SHËNDETËSOR

Lidhu me shërbimin shëndetësor për qytetarët e lënduar si pasojë e tërmetit, aktualisht janë 18 pacientë që vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Traumës, 3 në spitalin e Durrësit dhe 3 pacientë po marrin një trajtim më të specializuar jashtë vendit. Të gjithë pacientët janë në gjendje të stabilizuar, drejt përmirësimit. Aktualisht shërbimi është i përqëndruar në qendrat 24-orëshe afër zonave të prekura dhe me ekipet mjekësore në terren në hotele ku janë sistemuar banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit.

6,269 vizita mjekësore për banorët e akomoduar në hotele dhe në QSH 24/7 të ngritura pranë zonave të prekura. 435 të sëmurë kronikë kanë marrë barna.

435 të semurë kronikë të evidentuar në hotele po marrin trajtimin e nevojshëm me barna.

Në pikat e emergjencës vijon vaksinimi kundër gripit për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju uroj një natë të mirë dhe të qetë!

Faleminderit!

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb