VATIKAN- Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Radio Vatikan” ka theksuar se vizita e tij në selinë e shenjtë do të hap rrugë për një komunikim më të mirë ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit. Sipas tij, gjatë takimeve të shumta në selinë e shenjtë është shtruar domosdoshmëria për thellimin e bashkëpunimit konkret mes Kosovës dhe Vatikanit.

“Diskutuam që të kemi një listë të prioriteteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, të shohim interesin e përbashkët. Do të dorëzojmë një listë të prioriteteve që mund të realizojmë, marrëveshje të bashkëpunimit konkret”, ka theksuar Thaçi. Zëvendëskryeministri ka çmuar vëmendjen e Selisë së Shenjtë ndaj shoqërisë së Kosovës dhe gjatë takimeve të tij, ka thënë se i ka njoftuar bashkëbiseduesit për realitetin e sotëm duke folur për arritjet dhe sfidat që ka vendi.

Thaçi ka folur edhe për rëndësinë e vlerave ndërfetare dhe ndëretnike paqësore, vlera këto që në Kosovë, sipas tij, kultivohet nga të gjithë, në mënyrë të veçantë nga komunitetet fetare të vendit. Në intervistën për “Radio Vatikan”, Thaçi ka çmuar kontributin plot vlera që komuniteti katolikë i jep shoqërisë së sotme dhe në takimet e tij në Vatikan ka thënë se është folur edhe për një thellim e përforcim të marrëdhënieve mes dy palëve. Ai ka folur edhe për aspiratat e qytetarëve të Kosovës për tu bërë pjesë e NATO-së dhe BE-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: