Departamenti i Folklorit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ka çelur një ekspozitë me instrumentet muzikore që janë përdorur në Shqipëri në kuadrin e praktikave dhe ritualeve tradicionale.

Kabza, pipza, curlja, defi, dajrja, daullja, tingëza, sazet, çyre, violina, klarineta, e çiftelia përcjellin stadet e muzikë-bërjes  nga format parake instrumentale te repertorët  më të konsoliduara.

Kuratorja Mikaela Minga,  jep një shpjegim më të detajuar:

“Tinguj të heshtur sepse është një metaforë që në çastin që instrumentet u futën në arkiv si artefakte,  kanë heshtur, nuk janë luajtur më. Muzikë-bërja, është e tillë që disa instrumente dalin jashtë përdorimit e disa rezistojnë, është e vërtetë që ka rrudhje të ndjeshme të praktikimit të kësaj tipologjie instrumentesh tradicionale. Por uroj që muzikantë të caktuar mund t’ju zgjohet interesi duke i parë”, shprehet Minga.

Ekspozimi i tyre në hapësirat tërësisht modeste të institutit ngre shqetësim dhe mbi konservimin e tyre, nevojat për të plotësuar kushtet e konservimit nga lagështia e ajrit te temperaturat.

“Kemi bërë maksimumin e mundshëm për t’i ruajtur në kushtet optimale. Sigurisht ka shumë vështirësi, është i nevojshëm edhe një laborator restaurimi i tyre ndaj unë shpresoj që ekspozita të jetë edhe një formë sensibilizimi sepse jo vetëm ato që shkojnë ne UNESCO kanë nevojë për vëmendje nga institucionet, por edhe ato që ruhen, bartin gjurmë të një praktike të një tradite kulturore që është e nevojshme që të komunikojë me të tashmen”, tha ajo.

Ekspozita e kuruar nga Minga dhe Vilma Nallbani është realizuar në bashkëpunim me koleksionistin Ermal Sela dhe sjell në vëmendje edhe emrat e mjeshtrave Hasan e Mehmeti Ruri, Ramazan e Erli Gurra, dhe një “violinë popullore’ që mendohet se u ndërtua në Shqipëri nga Muharrem Gurra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: