Devi Muka është i bindur që ka ndërtuar një cikël. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-ylli i bardhebluve, drejtor i akademisë, Muka tha se Tirana mori lojtarë shumë cilësorë dhe që dhanë maksimumin që në vitin e parë. Nga ana tjetër, Muka vlerësoi shumë si Shehin e stafin e tij, ndërsa pranoi se presidenti Refik Halili ka bërë më të mirën duke afruar futbollistë që ndërtuan një skuadër e cila ishte jashtë kësaj bote në krahasim me ekipet e tjera.

Tirana është shumë pranë titullit të 26-të kampion. Si e keni parë këtë sezon skuadrën?

Kjo skuadër, të them të vërtetën, u duk që në fillim se ishte jashtë kësaj bote në krahasim me skuadrat e tjera. Në fillim ishim diku skeptikë, sepse skuadra ishte e re. Nuk është se erdhi një apo dy lojtarë, por ishin të paktën 6- 7. U afruan shumë futbollistë në verë. Ishte sikleti i fillimit, gjithsesi u sollën mirë, u lidhën shumë mirë me klubin e Tiranës. Plus një punë shumë të mirë ka bërë edhe Orges Shehi, Osmani dhe të gjithë anëtarët e stafit. Ndoshta duken si të padukshëm se golat në fund i bën Seferi me gjithë Xhixhën, por janë stafi dhe lojtarët e tjerë që punojnë shumë. Tirana ka një staf të kualifikuar. Qëlluan edhe djem të mirë. Kanë futboll. Pati një gjë të mirë Tirana, është skuadër shumë e re, 24-25 vjeçe. Plus i madh për klubin.

Cila është arma më e fortë e kësaj skuadre?

Shumë i mëshojnë idesë së grupit… Unë mendoj se armën më të fortë ka sulmin. Duhet të veçojmë Seferin që po bën diferencën në fushën e lojës.

Mund të themi se Tirana e ka nisur një cikël?

Unë them se po. Pavarësisht se vjet dolëm të pestët, parvjet fituam titullin, gjërat ndryshojnë. Vjet lojtarët në fillim të sezonit ishin të dëmtuar. Vinim nga një Champions me çerekun e lojtarëve. Ka tre vjet që këtu po bëhet një punë shumë e mirë. Çdo gjë po funksionon siç duhet. Në akademi, tek ekipi i parë. Kjo e bën diferencën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: