Më 28 dhe 29 Shkurt Tirana do të shndërrohet sërish në kryeqendër të zhvillimeve politike evropiane. Të mërkurën në kryeqytetin shqiptar do të mbahet Samiti Ukrainë – Europa Juglindore, pjesë e të cilit do të jetë Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelenski.

Ky samit zhvillohet pak ditë pas dy vjetorit të nisjes së agresionit brutal rus mbi Ukrainë. Presidenti Zelensky pritet të mbërrijë në Shqipëri mbrëmjen e së martës. Ndërkohë që një ditë më pas, së bashku me kryeministrin Edi Rama do të drejtojnë Samitin e rëndësishëm.

Kjo është vizita e parë e kreut të shtetit ukrainas në vendin tonë. Presidenti Zelensky në prag të mbërritjes, ka falenderuar dhe vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj vendit të tij.

Pjesë e Samitit mësohet se do të jetë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varheliy, si dhe liderë nga vende të ndryshme. Pak ditë më parë, në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, kryeministri Rama tha se fakti që presidenti Zelensky është bashkëorganizator i samitit, ka një rëndësi të veçantë.

Gjatë dy viteve si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka mbajtur një pozicion të qartë në mbështetje të sovranitetit territorial të Ukrainës, duke dënuar agresionin rus. Ndërkohë më datë 29 Shkurt, po në Tiranë do të zhvillohet Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës. Në këtë takim të rëndësishëm pritet të marrin pjesë krerë shtetesh dhe të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Plani i Komisionit Evropian për Rritje dhe Kovergjencë përfshin 6 miliardë Euro grante dhe kredi. Qëllimi i këtij plani është sigurimi i përfitimeve të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, Plani i Rritjes dhe Konvergjencës synon nxitjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe shoqërore mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Për të garantuar sigurinë e samitieve që do të zhvillohen përgjatë dy ditëve, Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese po hartojnë planin e masave të sigurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: