Dr. Gentian Caco

Mjek Kirurg Vaskular

Departamenti i Kirurgjisë Vaskulare/Spitali Hygeia Tiranë

Dr.Gentian Caco, Kirurg Vaskular në Spitalin Hygeia Tiranë, informon mbi metodën më bashkëkohore dhe efikase që Spitali Hygeia ofron për trajtimin e venave varikoze, trajtimi me Radiofrekuencë.

Këmbë të enjtura, dhimbje, rëndese… . Sa femra ankojnë çdo ditë bezdi të tilla? Për më tepër damarë të shëmtuar, këmbë që nguron t’i ekspozosh… . Në ditët e sotme të jesh elegante, të ndjekësh modën, të ndihesh e të tregosh se je më e re nuk mbeten dëshira apo thjesht një obsesion për femrat moderne. Revistat rozë por edhe reklamat kudo janë plotë e përplot me imazhe perfekte dhe ilaçe çudibërëse për këmbë të bukura e të lehta. Vërtetë bukurisë e freskisë femërore nuk i ikën asnjëherë moda, por në shoqërinë e sotme jo rrallë herë ngatërrojmë shëndetin me bukurinë, mjeksinë me makiazhin. Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti është “gjendja e mirëqenies së plotë fizike, shpirtërore dhe sociale e jo vetëm mungesa e sëmundjes”. Dhe në fakt mirëqenia fizike dhe shpirtërore lidhen ngushtë kur bëhet fjalë për sëmundjen e venave varikoze. Po, ç’është kjo sëmundje dhe si mund ta trajtojmë?

Venat varikoze janë një sëmundje shumë e shpeshtë dhe nëse përfshijmë edhe format më të lëhta të saj mund të themi se ajo prek gati 40% të populates, pa dallim midis femrave e meshkujve, por, duke qenë se aspekti estetik shqetëson më shumë femrat ato janë edhe pacientet më të shpeshta dhe madje edhe më kërkueset. Termi vena varikoze ose variçe nënkupton vena të zgjeruara dhe të përdredhura.

Venat janë enë gjaku që kthejnë gjakun pa oksigjen nga periferia drejt zemrës dhe mushkërive për tu pastruar përsëri. Trupi i njeriut ka aq shumë vena saqë një pjesë e tyre nuk kanë as emra. Venat janë të shpërndara në trupin tonë si rrënjët e një bime duke filluar nga degë fare të vogla që bashkohen me njëra tjetrën duke formuar degë gjithnjë e më të mëdha deri sa përfundojnë në pak vena të mëdha. Venat e këmbëve grupohen në dy sisteme: venat e thella që gjenden thellë mes muskujve dhe venat sipërfaqësore që mbledhin gjakun nga lekura dhe indi dhjamor nën të. Venat e thella janë sistemi kryesor që transporton gjakun e këmbëve drejt zemrës. Këto vena nuk preken nga sëmundja varikoze. Miti i “variçeve të thella” nuk është i vërtetë. Sëmundjet që prekin venat e thella janë shumë më serioze. Venat sipërfaqësore bashkohen në dy vena kryesore që quhen venat Safena. Njëra nga këto, e madhja, shtrihet në anën e brendshme të kercirit dhe të kofshës, ndërsa tjetra, safena e vogël ndodhet në pjesën e pasme të kërcirit. Në shumicën e rasteve variçet janë degë të venës safena të madhe, më rrallë janë të lidhura me venën safena të vogël por jo rrallë herë sëmundja prek të dyja këto vena. Venat e sipërfaqes komunikojnë me venat e thella më shumë degë dhe sëmundjet që prekin venat e sipërfaqes mbingarkojnë qarkullimin e gjakut në venat e thella dhe me kalimin e kohës i dëmtojnë edhe këto.
thumbnail_Trajtimi me radiofrekuence
· Sëmundja e venave varikoze mund të prekë degë shumë të holla, që dallohen si kapilarë të kuq apo vijëzime të kuqe të grupuara në formë degësh ose rozete. Këto janë vena të vogla të lekurës dhe quhen teleangiektazi. Janë shumë të shpeshta dhe sipas femrave janë shumë të shëmtuara ndonëse nga ana mjekësore janë një problem i parëndësishëm. Ato i hasim më shpesh në zonën e kofshëve ose pas gjurit dhe preken më shpesh femrat mbi peshë.

· Venat e përdredhura me diametër 1 – 3 mm, që duken si damarë jeshile në blu nën lëkurë, janë degë më të mëdha varikoze. Këto quhen vena retikulare. Edhe këto hasen më shpesh tek femrat dhe përgjithsisht shoqerohen me formën e mësipërme.

· Venat më të gjera se 3 mm që shfaqen si të fryra dhe dallohen si reliev mbi lëkurë janë venat varikoze të vërteta. Këto janë degë të mëdha të venave safena dhe shkaktojë edhe simptomat dhe komplikimet e kësaj sëmundje.

Pacientët me vena retikulare dhe variçe ndjejnë enjtje, lodhje dhe rëndim të këmbëve pasi qëndrojnë disa orë në këmbë. Gjatë natës jo rrallë pësojnë ngërçe. Venat varikoze mund të inflamohën, lëkura mbi to skuqet, enjtet, vena fortësohet dhe bëhet shumë e dhimbshme në prekje. Këto shenja mund të prekin zona të gjera të këmbës, kryesisht në kërcinjtë. Ky komplikim njihet si tromboflebit akut dhe mund të paraqitet nga format e lehta që trajtohen me medikamente lokale deri në forma të rënda që kërkojnë shtrim në spital dhe trajtime të gjata. Në format më të rënda tromboflebiti mund të prekë edhe venat e thella të këmbëve dhe atëherë është sëmundje serioze dhe ndonjëherë e rrezikshme. Komplikime të tjera të variçeve janë edhe formimi i njollave të errta apo alergji në formë ekzeme në lëkurën e këmbëve. Komplikime të tilla nëse shfaqen mbeten pjesërisht edhe pas trajtimit të venave varikoze. Variçet mund edhe të çahen dhe të shkaktojnë hemorragji ndonjëherë të rëndësishme. Një tjetër komplikim shumë serioz i variçeve është hapja e plagëve në pjesën e poshtme të kërcirit. Plagë të tilla janë shumë të vështira dhe shumë rezistente për tu trajtuar dhe shpesh mbeten një problem kronik me të cilin pacienti duhet të bashkëjetojë gjithë jetën.

Trajtimi i hershëm i venave varikoze është shumë i rëndësishëm për të parandaluar të gjitha sa përmendëm. Metodat për trajtimin e venave varikoze janë disa por përpara se të propozohet njëra prej tyre pacienti duhet të vlerësohet nga një mjek specialist vaskular. Vizita bazohet në ekzaminimin Eko Doppler. Me anë të këtij ekzaminimi vlerësohet funksioni i venave të thella dhe sipërfaqësore si dhe shpërndarja e variçeve. Të gjithë trajtimet për venat varikoze synojnë t’i

përjashtojnë këto vena të sëmura nga qarkullimi në mënyrë që të evitohen komplikimet lokale dhe të mos rëndojnë qarkullimin në venat e thella. Metodat e trajtimit janë mekanike, termike ose kimike. Parimi i trajtimit të venave varikoze është trajtimi fillimisht i venave më të mëdha dhe i degëve më të vogla në fund. Në përgjithësi, trajtimi fillon me venat safena të sëmura.

Metoda më e vjetër e trajtimit është kirurgjia. Me këtë metodë bëhet ndarja e venës safena të sëmurë nga venat e thella me një prerje në rrëze të kofshës ose pas gjurit, me anë të të cilës realizohet heqja e të gjithë venës safena në kofshë e ndonjëherë edhe në kërci me një sondë kirurgjikale nën lëkurë dhe heqjen e degëve varikoze me prerje të një pasnjëshme në zonën ku lokalizohen variçet e dukshme. Si çdo proçedurë kirurgjikal, edhe kjo aplikohet duke përdorur anestezi dhe pason me ditë qëndrimi në spital. Rekuperimi pas operacionit kërkon disa ditë, ndonjëherë edhe disa javë gjatë, gjatë të cilave gjymtyra e operuar mbahet e fashuar me bende elastike. Në Spitalin Hygeia Tiranë trajtimi kirurgjikal I venave varikoze aplikohet në ato raste kur variçet ose vena safena janë shumë të zgjeruara dhe metodat e tjera miniinvazive nuk gjejnë aplikim.

Metodat më të aplikueshme dhe më bashkëkohore që përdoren rëndom sot në botë për trajtimin e venave safena të sëmura janë metodat termike. Këto metoda realizohen duke aplikuar vetëm anestezi lokale dhe kalimin e një sonde në venën safena të sëmurë e cila bën djegien me energji termike të murit të brendshëm të venës, duke bërë të mundur që vena të mbyllet dhe në të të mos kalojë më gjak. Mbyllja e venës safena të sëmurë redukton fryrjen e degëve varikoze të dukshme që lidhen me të. Venat varikoze trajtohen më pas me mikrokirurgji ose me sklerotizim kimik. Metodat termike të mbylljes së venave safena kryhen ambulatorisht, me anestezi lokale, pa plagë ose me plagë shumë më të vogla sesa në rastin e kirurgjisë, rekuperimi është shumë i shejtë, madje pacienti I kthehet aktiviteteve ditore brenda dittës. Ne në spitalin HYGEIA disponojmë dhe aplikojmë trajtimin e venave varikoze me Radiofrekuencë që është një nga metodat termike më të provuara, më efikase dhe me më pak dhimbje pas ndërhyrjes.

Trajtimi kimik që njihet me termin skleroterapi realizon mbylljen e venës së zgjeruar duke injektuar brenda saj një medikament që nxit një reaksion në murin e brendshëm të venës dhe çon gradualisht në mbylljen e saj. Medikamenti futet në venë me anë të injektimeve me shiringë me age të vogla. Ky trajtim nuk ka nevojë për anestezi, bëhet ambulatorikisht dhe pacienti rikthehet plotësisht në aktivitetin e tij. Anë negative e këtij trajtimi është se duhet të aplikohen disa seanca me distancë kohore nga njëra tjetra deri në arritjen e rezultatit përfundimtar. Skleroterapia është metoda e zgjedhur për trajtimin e venave retikulare dhe teleangiektazive, por ajo përdoret edhe për venat varikoze madje edhe për venat safena të sëmura, por shkalla e suksesit të trajtimit në këto raste është më e vogël sesa trajtimet termike. Shpeshherë skleroterapia përdoret si metodë plotësuese gjatë ose pas metodave termike apo kirurgjikale.

Ndërsa për teleangiektazitë e lëkurës mundësitë e trajtimit janë me sklerotizim ose me Lazer të lëkurës, ku edhe ky I fundit ofrohet po në Spitalin tonë. Target i lazerit vaskular është hemoglobina, proteina e kuqe në qelizat dhe në enët e gjakut. Gjatë trajtimit me lazer qelizat e lëkurës që rrethojnë enët e gjakut nuk dëmtohen. Zona e përzgjedhur trajtohet me një shpërthim drite të shkurtër, por intensiv, e cila çon në djegien e venës varikoze. Zona e trajtuar do të duket më e kuqe dhe e fryrë për disa orë ose, në disa raste deri në disa ditë. Në rastet e trajtuara me lazer, rezultatet e trajtimit mund të shihen pas dy deri katër seancave.

Në spitalin HYGEIA, siç edhe e theksuam ne realizojmë të gjitha metodat e trajtimit të përmendura më lart. Për një sukses në aplikimin e trajtimit/eve është e rëndësishme që pacienti të vlerësohet paraprakisht me Eko Doppler, dhe pasi të përcaktohen venat e sëmura dhe rradha e trajtimit të tyre, në bashkëpunim me pacientin të zgjidhet metoda e trajtimit që i përshtatet më mirë shkallës së sëmundjes si dhe nevojave apo mundësive të pacientit. Në përfundim të trajtimit ne duhet të arrijmë jo vetëm funksion të mirë të qarkullimit venoz të këmbëve, pa komplikime dhe mundësi sa më të vogël për përsëritje të sëmundjes, por edhe një rezultat sa më estetik sepse, siç e përmendëm qysh në fillim, shëndeti është mirëqënie fizike por edhe psikologjike.

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: 04 23 90 000

Email: [email protected] Facebook: https://web.facebook.com/Hygeia.Hospital.Tirana.HHT/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: