Ngjarja e rëndë e humbjes së dy djemve të familjes Arifi nga Deçani i Kosovës tronditi mbarë opinionin publik. Arif Arifaj së bashku me familjen, tre djemtë dhe bashkëshorten jetojnë në Gjermani në qytetin e Bruckerbergut. Ata jetojnë aty prej vitit 1989. Arifi një punonjës i një poste në Gjermani dhe bashkëshortja në profesion mësuese.

Atë ditë të tragjedisë, ku treni ju mori jetën dy djemve të tij një 17 dhe tjetri 14 vjeç, si zakonisht familja nisi ditën, duke dalë për në punë, Arifi rrëfen se bashkëshortja si çdo ditë shoqëron fëmijët deri aty ku ata marrin trenin për në shkollë. Në momentin që fëmijët zbresin nga makina e nënës nxitojnë të arrijnë stacionin në të cilin hipin në tren. Bashkëshortja ishte duke parkuar makinën, ata nxituan dhe ndodhi aksidenti fatal ku humbën jetën Hasani dhe Bleriani. Ngjarja preku të madh e të vogël por ata që e kanë përjetuar gjithçka ka qenë vëllai tjetër dhe dy prindërit. Babai i dy djemve Arif Arifaj ka rrëfyer ditën e sotme në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 si e mori vesh lajmin dhe gjithë detajet nga tragjedia.

Ai tha se gruaja ka parë gjithë skenën e rëndë kur ka gjetur dy djemtë në shina, teksa i vetmi ngushëllim është djali që ka mbetur gjallë.
“Fëmijët çohen në 6:30 dhe treni largohet nga ora 7:10 dhe gruaja i çon deri tek treni. Kur ka arritur gruaja aty pengesat kanë qenë të ulura. I ka lënë fëmijët dhe ka shkuar të parkojë makinën. Fëmijët kanë parë trenin e shkollës të ndalur dhe kanë marrë vendimin për të kaluar më tej. Nuk ishte hera e parë që fëmijët kalojnë si fëmijët e mi. Mendoj se ai treni që ka ardhur ka qenë me vonesë.
Ai tren nuk ka ardhur asnjëherë në atë kohë. Dhe shokët e fëmijëve dhe njerëzit më kanë thënë që ai tren në atë kohë nuk ka ardhur asnjëherë.
Djemtë janë futur me semafor të kuq. Nuk kalojnë përherë por kur janë me vonesë dhe fëmijë të tjerë futen dhe nuk kishte ndodhur në 17 vjet por ja ndodhi. Pengesa ka qenë e ulur dhe semafori i kuq. Me siguri si fëmijët që kanë pasur euforinë e vet që do ikë treni janë futur”, tha ai.

Arifi deklaroi se është gabim që trenat rajonalë kalojnë me shpejtësi në qendrat e banuara dhe stacione dhe apeloi për ndryshimin e ligjit në Gjermani. Ai tregoi dhe si e mori lajmin e hidhur nga djali që shpëtoi teksa ishte 18 km larg.
“Pa pasur parasysh se në çfarë mënyre kanë hyrë është një gabim i madh që trenat rajonal kur vijnë në stacione duhet ta ulin shpejtësinë. Duhet të vihet një ligj që shpejtësia e trenave të ulet në stacionet ku ka fëmijë që shkojnë në shkollë ose në oraret kur ka fëmijë. Ishte një largësi prej 5 metrash për të kaluar.

Unë isha në punë atëherë dhe nuk lejohet telefoni. E pashë rastësisht dhe kisha 30 thirrje telefonike nga gruaja dhe djali tjetër. E marr djalin në telefon dhe më tregoi shumë i qetë se çfarë kishte ndodhur. U shokova. Kam dorëzuar çelësat e makinës dhe i kam treguar shefit dhe kam ikur. Isha 18 km larg dhe se di si e kam bërë atë rrugë. Dhe rrugës më ka marrë djali në telefon dhe më ka thënë babi mos shpejto, eja ngadalë por nuk më ka thënë që kanë vdekur. Dhe mjekët më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë hajde ngadalë por nuk më kanë treguar nëse kishin vdekur apo jo”, tha i përlotur babai.

Pjesa më dërrmuese ishte kur gruaja kishte gjetur djemtë e vdekur në shinat e trenit dhe madje i kishte prekur. Meraku i madh është gjendja e tyre psikologjike dhe shpirtërore pasi kanë parë të gjithë skenën.

“Bashkëshortja duke u kthyer tek fëmijët pasi ka çuar makinën në parkim e ka parë që ka marrë dy fëmijët para. Djalin e tretë nuk e ka parë fare. I ka parë djemtë në binarë, në hekurudhë, i ka prekur me duar. Ka menduar se ka qenë vetëm një nga djemtë në hekurudhë, pastaj ka parë dhe të dytin. E ka thirrur djali tjetër, ‘nënë jam këtu’ dhe ajo është kthyer. Djali që është gjallë i bën në janar 16 vjeç.
Ai ka qenë pak centimetra larg të tjerëve, i ka parë me sy. Është i qetë, jo si përpara, është me lëndime por nuk është ashtu si ka qenë më përpara, ashtu si unë dhe familja ime. Është një gjë shumë e vështirë”, tha Arifi.

Ai pohoi se ka pasur reagime nga institucionet në Gjermani, nga të gjitha institucionet dhe nga shkolla ku studionin fëmijët.

“Këtu ka rregulla dhe asgjë nuk mund të keqinterpretohet. Falënderoj shtetin e Kosovës, na kanë ardhur dhe na kanë përkrahur. Shteti gjerman në bashkëpunim me shtetin e Kosovës kanë bërë përgatitjet për dërgimin e kufomave në Kosovë. Për trajtimin psikologjik na kanë dhënë disa numra për të folur dhe së paku për bashkëshorten dhe djalin dua përkujdesje.
Për gjithçka do flas me avokatin tim. Banorët e qytezës më kanë qëndruar afër dhe kanë qenë shumë të prekur të gjithë”, rrëfeu Arifi.

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj: Dhimbje e madhe për të gjithë

Ramosaj tha se ka qenë një dhimbje e madhe për tërë kombin. “Mërgimtarët kanë kaluar një tragjedi të madhe kur e kanë dëgjuar këtë ngjarje. Ne jemi tronditur shumë, e them se si kjo ngjarje nuk ka pasur ndonjëherë. Takimi me Arifin ka qenë i vështirë shumë, Arifi është një burrë i fortë dhe na ka dhënë një mesazh shumë të fortë që në raste të tilla duhet forcë për ta përballuar. Me Arifin kemi biseduar, fëmijët i njihja sepse Deçani është një qytet i vogël dhe njohim njëri-tjetrin. Kujtimet me dy fëmijët janë dhe do të mbeten sëbashku me ne, shpesh ne organizonim për mërgimtarët aktivitete sportive, edhe i kam takuar djemtë dhe familjen e Arifit sa herë. Kam kujtime të bukura”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb