TIRANË- Artan Bajraktari është rikthyer në detyrën e shefit të Interpol Tirana. Bajraktari u pezullua nga detyra pasi akuzohej se kishte fshehur kërkesën e autoriteteve belge për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Burime për “News24” kanë konfirmuar se Bajraktari ka 3 javë që ka rinisur punën në krye të Interpol Tirana. Vendimi për rikthimin e tij në detyrën e mëparshme është marrë nga Drejtoria e Standardeve dhe Disiplinës në Policinë e Shtetit.

Rikthimi vjen pasi Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij. Bajraktari u pezullua me firmën e ish­-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, me të cilin më pas pati edhe një ballafaqim në Prokurori, për shkak të deklaratave të ndryshme. Didi e akuzoi Bajraktarin se kishte fshehur urdhër-arrestin e dërguar nga shteti belg për deputetin Mark Frroku, por shefi i Interpol mohoi akuzën duke deklaruar se e kishte vënë në dijeni Drejtorin e Policisë.

Më 5 maj, Gjykata e Apelit e shpalli të paligjshëm arrestimin e Bajraktarit, vendim që solli më pas edhe pushimin e çështjes nga Prokuroria.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb