Bashkëshortja e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikolla Gruevski, Borkica Gruevska ka paraqitur kërkesë për shkurorëzim në Gjykatën Themelore Civile në Shkup.

Njoftimi gjyqësor është publikuar publikisht në numrin e djeshëm të Gazetës Zyrtare, sepse Gruevski nuk është në dispozicion dhe nuk ka rrugë tjetër për ta informuar, raporton agjencia maqedonase e lajmeve INA

“Para Gjykatës Themelore Civile në Shkup, padinë e ka parashtruar paditësi Borkica Gruevska nga Shkupi, kundër të paditurit Nikolla Gruevski nga Shkupi, me adresë të panjohur, për shkurorëzim, me vlerë të kontestit 20.000 denarë”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuese e përkohshme e Gruevskit është emëruar avokatja nga Shkupi, Gabriela Jaksevski.

Kujtojmë se Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski me nëntë vite burg për shpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar, në vitin 2011 dhe 2012.

Gruevski  së bashku me disa ish-zyrtarë maqedonas janë dënuar për rastin e njohur si “Kosmos”, rrënimin e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë asokohe në pushtet VMRO-DPMNE, që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Nga trupi gjykues, vepra e kryer është vlerësuar si e motivuar për hakmarrje politike.

Hetimi kundër Gruevskit dhe zyrtarëve tjerë ishin iniciuar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga Zoran Zaev, ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate, e cila në atë kohë ishte në opozitë.

Aktualisht ish-kryeministri ndodhet në Hungari ku ka fituar edhe azil politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb