Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka qëndruar disa orë pranë arkivolit që mbante trupin e babait të tij, teksa mijëra njerëz vinin për homazhe.

Pak para varrimit, ai mori fjalën. Zëri i dridhej, por nuk nguroi tëpërmendte veprimtarinë e babait të tij.

“Ndarja nga babai ynë, Hilmiu, ka shumë porosi dhe ndjenja. Ajo që është me rëndësi është se ata që besojnë në të drejtën e tyre, krijojnë edhe vlerë të re. Dhe babai ynë në një kohë jo shumë të lehtë arriti të krijojë njerëz që e duan dhe e mbrojnë lirinë”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, i pari i Qeverisë tha se liria e Kosovës ka ardhur me shumë mund, edhe të babait të tij dhe të shumë njerëzve, duke treguar më pas edhe për porosinë.

“Liria e Kosovës ka ardhur me shumë mund, dhe është si rezultat i shumë mundimeve dhe si rezultat i ndihmës së miqve tanë. Porosia është t’i mbetemi besnikë, ashtu si ishte besnik për lirinë babai ynë. U prefsh në paqe plak”, ka thënë Haradinaj.

Hilmi Haradinaj vdiq para dy netësh pas një sëmundjeje të rëndë. Babai i Haradinajt është nderuar nga njerëzit më me ndikim të Kosovës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: