Qeveria amerikane tha sot se Bashkimi Europian nuk ka asnjë bazë ligjore për të vënë tarifa për kompaninë ajrore “Boeing”, pas miratimit që mori BE nga OBT për të sanksionuar importet e SHBA-së.

“OBT nuk autorizoi ndonjë hakmarrje për subvencionet, por vetëm një pushim tatimor të Uashingtonit, që u shfuqizua në fillim të këtij viti”, tha përfaqësuesi i Tregtisë amerikane, Robert Lighthizer, në një deklaratë.

“BE nuk ka asnjë bazë të vlefshme për t’u hakmarrë ndaj ndonjë produkti të SHBA-së. Çdo vendosje tarifash, e bazuar në një masë të hequr, është qartë në kundërshtim me parimet e OBT-së dhe do të detyrojë një përgjigje nga ana e SHBA”, shtoi ai.

Lighthizer tha se SHBA do të rrisë negociatat me BE-në dhe është e vendosur për të gjetur një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje, që adreson subvencionet masive që qeveritë europiane i kanë dhënë “Airbus”-it.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb