Nga KIÇO BLUSHI*

Në rininë time mbaj mend një grua të moshuar, të pispillosur, – emrin nuk ia mësuam dot kurrë, – të rënë nga vakti e të rrënuar nga vitet, e cila, ndonëse e vetmuar dhe e mposhtur prej pleqërisë, hakatej t’i mbushte mendjen vetes (apo të tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e kalimtarëve, – këtë s’e kuptuam kurrë!) se nuk pranonte të linte përshtypjen që qe bërë ajo që dukej, dmth plakur, rrudhur, vyshkur, ndaj vishej si çupërlinë dhe paraditeve, në diell e në shi, ulej e rrinte në një stol te parku “Rinia”, përballë hotel “Dajtit”, me një kapele rrethuar me kordele, pudrosur e lyer buzë-e-faqe me të kuq të gjaktë teksa mbante përherë, në duart e rreshkura e që i dridheshin, një libër të cilin bënte sikur e lëçiste pavarësisht se, as syzet dhe as dremitja, nuk e ndihmonin dot.  Asokohe ne studentët që mbrëmjet i kalonim te “Taivani” kishim përshtypjen se ajo zonjë e “randë lexonte” të njëjtin libër, frëngjisht. Nuk e ngacmonim, nuk e trazonim. Rezistenca e saj ndaj rrënimit të pashmangshëm të kohës, edhe pse ngjante si butafori vetëlëvizëse, kotanake e dëshpëronjëse, kushedi përse na impononte respekt të heshtur, solemn. 

Nuk e di përse kjo përqasje më vjen padashur, teksa shoh e dëgjoj drejtuesit e Ministrisë së Kulturës të flasin për arritjet në këtë fushë, ku ashtu si në ekonomi dhe në mirëqenie, edhe në kulturë përherë thuhet sikur kemi bërë hapa përpara, sikur jemi ku e ku më mirë se dje, krahasuar jo me ‘39-tën, si në monizëm, po me qeverinë pararendëse. Kultura e sfilatave, e reklamave, e snobizmit, e pasarelave e spektakleve mediatike, ku VIP-at hiçanakë lenë nam, po e sundon përditshmërinë, mendësinë dhe bashkëjetesën tonë kryesisht në art e kulturë.

Ben Andoni me shkrimin e tij “Tirana, vend i kinema-parajsës” sjell një pasqyrë shokuese, krahasonjëse, konkrete e të paimagjinueshme, kur Tirana, edhe pse ishte një katund i prapambetur paskësh qenë “vend i kinemasë-parajsë”, kurse sot, krahasuar me kohën e Zogut, ca më pak se një shekull më vonë, jeta kulturore e posaçërisht kinematë në kryeqytetin e sotëm “metropol”, kinse modern, gati njëmilionësh, kanë përfunduar në hiçmosgjë. Por krerëve tanë nuk u shkon ndër mend ta quajnë këtë dukuri një vajmedet. Kollarot dhe kostumet e tyre firmato kanë më shumë vlerë se kultura kombëtare. Ata kanë halle të tjera, më të mëdha se këto “punët e rëndomta të kulturës”, të cilat shumë, shumë vlerësohen si ca punë sazexhinjsh, të nevojshëm vetëm për raste zijafetesh, në kohë zgjedhjesh, dasmash apo synetesh.
Ministria dhe veçanërisht ai që është ministri aktual përherë do të dalin (do të vetëshpallen) më të zotët, më të aftët, më të përkushtuarit, më rezultativët se të gjithë pararendësit. Por nuk është e nevojshme të shkohet në periferi, nëpër provinca, mjafton Tirana për të kuptuar se si dhe përse kanë degraduar institucionet kulturore e artistike të trashëgimisë si dhe çfarë është investuar në çerek shekulli në këtë fushë. Edhe në kulturë krahasimet nuk bëhen me Evropën, as me njëri-tjetrin dhe ardhmërinë, po qeveri me qeveri, ministër me ministër. Shkurt, brenda kufirit: dje-sot, një kufi partiak që nuk të lejon të dalësh jashtë kornizës politike e që ngulmon t’i mbushë mendjen publikut se dje ishim keqemosmëkeq, ndërsa sot jemi miremëmirë. Për këtë arsye nuk ka asnjëherë bilanc, as konkurrencë, rrjedhimisht as strategji, as përparim, por vetëm degradim.

Fasadat nuk mjaftojnë më. Kujdesi për varakun e karameles bosh nuk i gënjen më votuesit, as militantët. Nuk krijon iluzionin e metropolit as fakti që kemi Akademi Shkencash, por pa shkencëtarë; as koncerte me këngëtarë të huaj, qofshin me gjak shqiptar, pasi këta nuk i përkasin as shkollës, as investimit, as meritës dhe as skenës shqiptare; as mburrjet me rekorde botërore në peshëngritje që kanë dalë kallp, pas testimit të drogës, nuk ngjallin më shumë gëzim e entuziazëm se një dron… Në këto vite arti, kultura dhe sporti kanë shkuar poshtë e më teposhtë, jo dhe aq rastësisht. Shiu që përmbyt këto fusha e ka emrin mediokritet. Ashtu si stadiumet e futbollit, edhe kulturën e kanë zaptuar trukimet, sherret, antivlerat, kuturuja dhe tenderat.
 
Ne jetojmë në kryeqytetin e vetëm ku nuk ka jo vetëm revista kulturore, artistike, kritike apo shkencore, por as sindikata dhe shoqata artistësh. Nuk kemi as ndonjë librari moderne, kafene apo edhe lokal, si pat qenë “Kursali” në kohën e Zogut… U desh të vinte Papa Françesku që sheshi më i bukur dhe i vetëm i kryeqytetit të kthehej në identitet. Tek ne çdo vit bëhen disa festivale ndërkombëtare të filmit jo vetëm në Tiranë, por në disa qytete, edhe pse nuk kemi salla kinemaje, as prodhim filmash të arrirë për përfaqësim sadopak dinjitoz. Jemi unikalë e më absurdët në këtë drejtim. Shtrohen qilima të kuq, si në Kanë, ndahen edhe çmime për artistë e regjisorë të huaj, të cilët ftohen më shumë për të justifikuar vjeljen e fondeve nga ministria, se sa për të sjellë përvojë. Bullgaria, Rumania, madje edhe Maqedonia bëjnë filma që po i imponohen tregut botëror, kurse autoritetet tona mburren që Kinostudion e kthyen më në fund në një ish, në zyra moderne të Ministrisë së Kulturës, sikundër u veprua kohë më parë edhe me Ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve, që së fundi përfundoi në zyrë pune të Ministrisë së Mirëqenies… E megjithatë nuk duhet të qahemi, se kjo mungesë e ky boshllëk me pasoja të pariparueshme për çdo komb nuk ndjehet, sa kohë kemi telenovelat turke, nakatosur darkave me kronikën e zezë e gërrmërret e “Facebook”-ut të sherr-politikës…

Në asnjë vend tjetër të Lindjes nuk ka ndodhur një rropamë e tillë me qendrat kulturore e artistike e konkretisht me ato të prodhimit të filmit, të cilat në kushtet e reja janë kthyer në servise filmi. Ato gëlojnë e mbijetojnë në një sistem deledash, as socialist, as kapitalist. Haveli i fali Kinostudios çeke tokën dhe pronën e familjes së vet pikërisht që të mos vdiste kinemaja çeke. Në asnjë shtet të Ballkanit Perëndimor nuk është vrarë dhe asgjësuar kujtesa historike e nuk ka vanitet të tillë kulturor si në Tiranë. Le më pastaj po të shkosh në periferi! Shyqyr që ekziston e funksionon natë e ditë Blloku për të vrarë e djerrëzuar kohën rinia! Edhe nga pikëpamja arkitekturore, përveç ndërtesave të ministrive që ndërtoi Italia (paçka se edhe qendrën te sheshi “Skendërbe” nuk ngurruan ta përdhosin e shëmtojnë!), nuk ke ç’sheh e ç’kujton. Turistët i tërheq përveç xhamisë, rrënimi spektakolar i Piramidës. Sali Shijaku e ka ngritur vetë shtëpinë e tij tironse duke e kthyer edhe në lokal, edhe në muze për veprat e veta. Por nuk kujtohet kush të ngrihet një muze për A.Buzën a për O.Paskalin. Ndërsa shkrimtarët dhe artistët, këta nderohen vetëm kur vdesin, nderim që nuk zgjat më shumë se dy apo tri ditë…  

Aktualisht ne kemi Teatër të Operas, po aty prej vitesh luhen opera klasike, shpesh vetëm për një natë, me artistë të huaj dhe dekore të marrë borxh. Muzika shqiptare duket se ka mbetur jetime, pa kompozitorë, pasi edhe ata nuk gjejnë asnjë motiv e inkurajim; muzika “kombëtare” po shkon turravrap drejt tallavasë dhe lakuriqësisë së shalëve me një shpejtësi të pandalshme. Ne kemi Pallat të Koncerteve, po aty bëhen më shumë panaire tregtie dhe tubime partish, se koncerte. Kemi edhe Teatër Kombëtar, jo një, me gjithë “Metropolin” e bashkisë bëhen tri, veçse në to zakonisht luhet Shekspiri, Molieri apo shumë-shumë ndonjë dramë amerikane apo komedi italiane, kurse për dramaturgjinë kombëtare vështirë të gjendet një vend në skenën e Teatrin të ashtuquajtur Kombëtar, i cili në fakt do të ish më mirë të emërtohej Teatri (ndër) Kombëtar i snobizmit dhe diletanizmit të Ballkanit Perëndimor. Dikur në këtë Teatër dramat i vinin në skenë regjisorë si K. Spahivogli, M.Luarasi e P. Mani, kurse tani… tani drama aty mund të verë në skenë edhe regjisorja e re Inis Gjoni! Tani mund të jepen premiera vetëm për një natë dhe pastaj shfaqja “paketohet”… Mjafton që “projekti” u realizua, fondet u dhanë, kurse për dështimin askush nuk mban përgjegjësi, sepse fajin e ka spektatori i pakulturuar!

Ashtu si u bë me kinematë që u zhdukën, do të bëhet edhe me Cirkun, edhe me ndërtesën e Teatrit Kombëtar, sepse si na bëri me dije ministrja Kumbaro, edhe aty do të ngrihen pallate… Si nuk e pyet kurrkush këtë zonjë se ç’bën ministria e saj për stimulimin e artit kombëtar, jo vetëm në teatër, në film, në muzikë e në pikturë, po edhe me librin shqip? E pra, kemi Bibliotekë Kombëtare, po aty visaret e kombit po kalben për shkak të mungesës së investimeve, ashtu si po ndodh në bibliotekën e Korçës, që po nxirren “librat e vjetruar në ankand”; ashtu si me arkivin kombëtar të filmit (kronikat i kanë blerë arkivat e botës); me Muzeun Kombëtar dhe Galerinë e Arteve pamore (rëndësi ka që disa piktorë marrin pjesë në Bienalen e Venecias dhe të Londrës!…), të cilat, që kur janë ngritur si institucione arti nuk kanë patur fatin “t’i gëzohen” asnjë përkujdesjeje teknologjike për mirëmbajtjen e veprave… Në një gjendje të mjerë janë sot kishat e Voskopojës, të Mborjes, të Labovës, kisha e Shën Shtjefnit në Lezhë, etj., nga më të rrallat në Evropë, të cilat ende kanë vartësi të dyfishtë: edhe nga kisha, edhe nga Qendra e Monumenteve të Kulturës. Kohët e fundit pamë në një televizion se si zyrtarët lokalë, me çelësa në dorë hapnin kishat e u thoshin gazetarëve të maskuar si trafikantë: zgjidh e merr ikonën që të pëlqen!… Në Voskopojë më thanë se janë afruar donatorë për restaurimin e kishave, por për këtë duhet të japë leje “Instituti i Monumenteve”. “Sipas rregullit”, që të jepet leja nga qendra, duhet më parë që donatori të… të nxjerrë leje, duke paguar nën dorë “monumentet” në Tiranë… Në Korçë ka një muze unikal, me vlera botërore, ai i ikonografisë, por edhe aty ndjehesh keq kur sheh se nuk ka as sistem ajrimi, as sigurie… Por ama në mes të Korçës u ngrit një kullë e lartë, si Eiffeli!… Këto institucione gëzojnë akoma “statusin” e vatrës së dikurshme të kulturës dhe të varësisë nga borderoja, pasi nuk ka ndryshuar marrëdhënia e tyre me publikun në kushtet e reja.

Mjafton të shihet së jashtmi Piramida, ish-Pallati i Kulturës në qendër të Tiranës, monumenti i Pavarësisë te “Tajvani” i kthyer në një shurrtore publike, që të kuptohet, qoftë edhe me sytë e një turisti, se si këto ngrehina që i kanë kushtuar popullit miliona, në një kohë kur nuk kishte bukë të hante, po përçudnohen dita-ditës, duke u bërë shëmbëlltyra më e qartë e më e dukshme e kohës, e degradimit të qëllimshëm të kulturës dhe trashëgimisë, jo vetëm fizikisht, po edhe moralisht e konceptualisht… Kjo, sepse në të gjitha kabinetet qeveritare mbetet postulat i paharruar thënia e Vath Korreshit, kur ishte ministër Kulture: karrigia e ministrit të Kulturës në qeveri është më në fund… E megjithatë, përherë do të na thuhet se nuk kemi mbetur pa arritje e përparime. Se ja, më në fund, teksa nëpër qytetet e tjera po restaurohen pedonalet, në kryeqytet u ngrit një “Bunk’Art” dhe “Shtëpia me gjethe”… Këto janë veshjet e modës më të fundit dhe tualeti i plakës sonë që ende, për inerci, quhet “zonja kulturë”, zonjë që, si në romanet magjikë të Markesit vazhdon të hiqet sikur lexon në gjuhë të huaj, të njëjtin libër, mu te stolat përballë hotel “Dajtit” të rrëgjuar, më zi se Piramida përbri…

***
Teksa ndjek mbrëmjeve “Gjeniun e vogël”, edhe emocionohem, edhe trishtohem. Mjafton ky konkurs fëmijësh për të kuptuar se sa shumë talente prodhon geni i popullit. Por kur mendon se për ta nuk ka shkolla të denja e të afta artistike, as skena, as motiv, as investime dhe as strategji kombëtare për kësi talentesh të rralla (do të ishte mëkat që këta fëmijë të mos dërgoheshin jashtë, prej nga me siguri nuk do të kthehen…), investimet për “shtëpinë me gjethe”, apo për “Bunk’ Art”, apo qindra mijë eurot dhënë këngëtarëve të huaj për një koncert, ngjajnë cinike.

Shembujt e mësipërm, jo se nuk dihen, por vlejnë sa për ilustrim. Për ilustrim të një sëmundjeje ndaj së cilës kemi imunitet. Besoj se qëndrimi zyrtar ndaj librit shqip, edhe pse nuk bie fort në sy, edhe pse kemi shifra rekord me botime librash (të huaj) për banorë, edhe pse tani organizohen dy panaire librash, edhe pse kemi qindra shtëpi botuese, libri shqip i autorëve shqiptarë, i traditës edhe i atyre që janë gjallë, e ilustron përbukuri mungesën dramatike, e, pse jo, edhe keqdashëse të vëmendjes zyrtare për edukimin dhe zhvillimin kombëtar të artkulturës. Leximi, si akt i pazëvendësueshëm, sidomos te rinia, ka prekur fundin. Për këtë nuk e ka fajin vetëm globalizimi, konsumizmi, teknologjia dhe interneti. Shkollat tona, që nga niveli më i ulët deri te më i larti prodhojnë me shumicë injorantë me diplomë ngaqë nuk ka pasur strategji zyrtare e kombëtare për kulturën, për librin, për shkollën, për gjuhën, për artin, për vlerat dhe trashëgiminë. Mungesat e frikshme të kulturës e kanë bjerrur e djerrur besimin te shoqëria dhe bashkëjetesa më shumë se varfëria. Libri shqip është më i persekutuar se kështjellat dhe ikonat, pronat publike, monumentet që “mbrohen nga shteti” dhe institucionet artistike. Prej mëse tri vitesh bibliotekat në mbarë vendin nuk blejnë dot libra se nuk kanë fonde nga bashkitë. Kësisoj, libri shqip mbetet mall stok. Shkrimtari Betim Muço, edhe pse jetonte në Amerikë, kishte çelur një shtëpi botuese për librin shqip, por i trishtuar, sivjet në verë më tha se një dhomë të apartamentit të tij në Tiranë e kishte ding me libra, të cilat nuk dinte kujt t’ia falte. Rrjeti i shpërndarjes së librit është edhe më i keq se i gazetave. Pedagogët e universiteteve i shesin vetë, me detyrim-përcaktim, tekstet shkollore. Kurse shkrimtarët shqiptarë duhet të paguajnë botuesit që të nxjerrin në dritë një libër. Edhe pse nuk bëhet fjalë për honorare, këto gjithsesi qenkan taksuar 50%. Por edhe pse jemi popull i vogël, me një gjuhë “të vogël”, ne kemi botues shumë të pasur dhe autorë tejet varfanjakë. Si mund të blejnë lexuesit e sotëm një libër që kushton gati dhjetë euro? Kam dëgjuar që Ministria e Kulturës të sponsorizojë këngëtarë e balerinë të huaj, por deri më sot nuk kam dëgjuar të çelë një projekt për botimin e  së paku një dhjetëshe autorësh shqiptarë…  

Ligji për sponsorizimet është sajuar i tillë që të favorizohen “producentët” dhe botuesit, por jo autorët, as përkthyesit, aq më pak lexuesit. Edhe kur japin ndonjë lëmoshë, biznesmenët nuk duan që emri t’u shkruhet në libër si falenderim. Ligji në fjalë nuk është i tillë që, si kudo në botë, të ndihmojë autorët dhe të lehtësojë donatorët nga taksat. Ministria e Kulturës ndan përvit çmime për librin më të mirë, por ato, si është provuar rëndom, shpërndahen nga klanet dhe për klientët e radhës të qeverisë. Është zbatuar e njëjta “politikë” si me tekstet shkollore. Klani i artistëve të djathtë që kanë firmosur peticione zëvendësohet me një klan të majtë dhe anasjelltas. Ashtu si për Teatrin Kombëtar që nuk ka detyrim të sjellë në skenë dramën kombëtare, edhe për botuesit nuk ka kontroll as për evazion fiskal, as për tirazhet fiktive, as për t’i detyruar ata të botojnë autorë shqiptarë. Kjo nuk është mendësi “moniste”, si aludojnë biznesmenët e librit që përfitojnë fonde ca nga qeveria dhe ca nga ambasadat, duke abuzuar me tirazhet dhe nivelin mjeran të përkthimit. Edhe në shtete të fuqishme, si Italia apo Franca, Ministritë e Kulturës janë për të mbrojtur dhe stimuluar kulturën kombëtare. Duke qenë popull i vogël e i varfër, një popull i dalë nga izolimi gjeografik, gjuhësor e politik, urgjenca për një strategji kombëtare për kulturën është mëse jetike. Por për këtë nuk lipset shumë mençuri. Sepse në të gjitha vendet e BE-së ligjet edhe praktikat janë të gatshme, por lipset sadopak dhembsuri e përgjegjësi për një shoqëri të mbetur në fushën e art-kulturës, rrjedhimisht edhe të moralitetit dhe të mirëbesimit të ndërsjellë shoqëri-individ, shtet-qytetar tepër gjatë në qorrsokak e në ngërç. 

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb