Prokuroria e Trentos ka kërkuar mbylljen e hetimeve për çështjen që lidhet me një të dyshuar “organizatë kriminale me karakter mafioz të lidhur me vdekjen e Marco Pantanit”. Pas më shumë se një viti hetimesh dhe mbi 70 personave të marrë në pyetje, prokurorja e DDA-së, Patrizia Foiera, ka përmbledhur në 150 faqe procesverbale konkluzionin se, siç raporton “LaPresse”, “identifikimi i përgjegjësve dhe përcaktimi i përgjegjësive, edhe për shkak të kohës së gjatë të kaluar, nuk u mbështetën nga prova logjike dhe bindëse që të konfirmonin deklaratat e dhëna në atë kohë”.
Në qendër të hetimeve ishte hija e Kamorrës, e cila dyshohej se kishte ndërhyrë për t’i mohuar fitoren kampionit romanjol në Xhiron e Italisë të vitit 1999. Mëngjesin e 5 qershorit, 26 vite më parë, në Madonna di Campiglio, kur “Pirati” kryesonte bindshëm renditjen e përgjithshme, një kontroll hematologjik e përjashtoi nga gara, ndonëse fitorja dukej tashmë e sigurt. Që atëherë mbeti dyshimi se mostrat e gjakut mund të ishin manipuluar. Për “çështjen Pantani” kishte folur edhe Renato Vallanzasca, një nga kriminelët italianë më të njohur, i dënuar me katër dënime me burgim të përjetshëm, i liruar pas më shumë se 50 vitesh në burg, në vitin 2024, për t’u transferua në një qendër kujdesi për të moshuar për shkak të një sëmundjeje neurodegjenerative.
10 vite më parë Vallanzasca bënte disa zbulime tronditëse: “Më thanë të vija bast kundër Piratit, sepse ai nuk do ta përfundonte Xhiron, përndryshe Kamorra do të falimentonte”. Ngjarjet e Madonna di Campiglio, të rikthyera në vëmendje nga Komisioni Antimafia, bindën edhe gjyqtarin hetues të Trentos të urdhëronte rihapjen e hetimeve.
Përgjime telefonike dhe ambientale, dëshmi të marra për herë të parë, sekuestrime pajisjesh të përdorura nga bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe dokumente të siguruara nga prokurori të tjera, magjistratura e Trentos, edhe pse e vetëdijshme se juridikisht veprat penale të dyshuara ishin parashkruar, punoi për të hedhur dritë mbi çështjen dhe për t’i rikthyer dinjitetin figurës njerëzore dhe sportive të Pantanit. “Arrijmë në kërkesën për mbylljen e hetimeve, jo pa theksuar se kundër zbardhjes së plotë të ngjarjes ka luajtur padyshim koha e gjatë e kaluar dhe humbja e protagonistëve kryesorë të asaj periudhe, të cilët mund të kishin ndriçuar këtë këndvështrim të ri hetimor”, thuhet në kërkesën e prokurores së Trentos, Patrizia Foiera.
Sipas procesverbaleve të prokurorisë, ku është marrë në pyetje edhe prokurori antidoping, “Pantani ishte i vetëm, teknikisht dhe objektivisht i vetëm, pa mbështetjen institucionale sportive dhe pa një mbrojtje të fortë nga skuadra e tij. Kjo vetmi, e shoqëruar me brishtësinë e tij si njeri dhe si sportist, e çoi gradualisht në izolim social, ulje drastike të stërvitjes, humbje të rezultateve dhe largim nga çiklizmi”.
