TIRANE– Janë prej më shumë se një dekade në mbështetje të kombëtares shqiptare të futbollit dhe u kanë dhënë bukuri ndeshjeve të kuqezinjve. Por entuziazmi që sjellin në stadium “Tifozat Kuq e Zi” do të mungojë në takimet që Shqipëria do të luajë në Shkodër apo Elbasan, pasi grupimi më i madh i tifozëve të përfaqësueses ka vendosur të bojkotojë ndeshjet në vendin tonë.

Me një njoftim të publikuar në faqen e tyre në internet, tifozët e zjarrtë të kombëtares kanë bërë të qartë se nuk mund të durojnë më trajtimin absurd që u bëjnë autoritetet shqiptare në stadium apo jashtë tij, ndaj kanë marrë vendimin ekstrem.

Ata thonë se do të vazhdojnë ta mbështesin ekipin në takimet jashtë vendit, aty ku respektohen,

Komunikata e plotë:

“Të nderuar tifozë,

Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri – Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruan terrorin që tifozët shqiptar përjetuan nga policia e shtetit shqiptar. Ne jemi tifozë, që e dojmë këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri.

Për arsyen e lartcekur, Tifozat Kuq e Zi, kemi marrë vendim të BOJKOTOJMË të gjitha ndeshjet e radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtajnin. Kombëtarën do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojne.

Me këtë rast, ftojmë policinë e shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikov dhe me armë tjera, të bëjë tifozin në tribunë.

Për veprimet dhe format e organizimeve tona të radhës, do të ju njoftojmë me kohë.

Me sinqeritet,

Tifozat Kuq e Zi”. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb