Arrestimi i Alqi Bllakos ishte temë diskutimi në studion e emisionit “Pikat mbi I”, “News 24”. Për të folur mbi këtë çështje, të ftuar në studio ishin analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala.

Gazetarja tha se ka shumë dritëhija vetëdorëzimi i Bllakos, duke argumentuar të dy versionet që kundërshtonin njëra-tjetrën, ajo e SPAK-ut me të Policisë. Nga ana tjetër, Zheji tha se nga informacionet e tij, Bllako ka qenë deri në moment të fundit duke negociuar dhe ka marrë garanci për mbështetje në këtë proces.

Lala: Policia njoftonte, se Alqi Bllako është vetëdorëzuar gjatë mbrëmjes së djeshme. Kjo ishte pjesërisht e pasaktë, sepse ai është vetëdorëzuar gjatë orëve të mëngjesit të sotëm. Policia pretendon se Bllako të ishte në mbikëqyrje nga policia. Fakti që policia nuk e arrestoi në shtëpi, tregon që një gjë nuk shkoi si duhet. Policia ka qenë pjesë e asaj lojës për të përhapur tymnajë.

Zheji: Policia e Shtetit nuk ka zbatuar protokollin për personazhin që SPAK ka kërkuar ta arrestojë. Përderisa të hiqet imuniteti, në mënyrë vullnetare, ai duhet të ishte në monitorim. Kam edhe unë burimet e mia. Kushdo që ka një urdhër arresti dhe pritet çlirimi nga grupi parlamentar, policia merr shkresën dhe personazhi nuk shpëton. Ne kemi një boshllëk, një humbje nga radari. ky është mesazh i rëndë, që tregon se Bllako mund të ikte. Informacioni që kam, kur ai ka dalë nga radari i monitorimit, ka marrë garanci të fundme. Ai ka dashur të takojë 1-2 persona që i kanë dhënë garanci që do të jetë i mbështetur gjatë arrestit. Është moment i një garancie finale. Nëse ai do të arratisej do të pranonte fajësinë. Ai ka marrë këtë sinjal: Dorëzohu mos e bëj anormale çështjen, kështu e kemi më të lehtë të japim ndihmesën e duhur. Ai ka ardhur nga një jetë luksi dhe është shquar për një njeri për jetë të mirë. Kjo periudha ka shërbyer për garanci. Alqi Bllako e ka tentuar arratisjen, por në moment të fundit është stepur nga regjisorët dhe i kanë thënë nëse bën këtë prish gjithçka. Postimi i Hazizajt s’ka qenë diversion. Hazizaj është një avokat shumë i mençur.

Lala: Sipas urdhërimit të SPAK, polica duhet ta kishte në mbikëqyrje dhe të monitoronte lëvizjet. E kemi të errët pjesën. Policia në asnjë moment nuk pranoi që nuk e gjeti Alqi Bllakon. Policia sulmoi median. Ne kemi të paqarta disa orë, i kemi të errëta. Kam kontaktuar me të gjithë kupolën drejtuese të policisë, që ishte e pafuqishme për të më dhënë informacion për Bllakon. Kishte një masë sigurie ndaj tij. Nga momenti që jemi njoftuar zyrtarisht deri në orën 23:30 min, policia s’ka pasur asnjë informacion dhe nuk jepte të dhëna. Më pas nxjerr njoftim dhe thotë është vetëdorëzuar. Kjo është jo normale. Sigurisht avokati ka bërë strategjinë e tij. Mund ta ketë bërë vetëdorëzimin edhe për të shmangur kamerat. Por kjo histori, nga firmosja e urdhër arrestit, deri te dorëzimi janë orë të errëta. Nuk ka asnjë informacion. SPAK përgënjeshtroi policinë. SPAK deklaroi se Bllako është ndaluar në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm.

Zheji: Nuk është e vështirë për të mbikëqyrur një person, që nuk duhej të bëhej në mënyrë të padukshme. Këtu kërkohet thjesht markimi fizik, domethënë ta ndjekësh hap pas hapi kudo që shkon…

Lala: Ju thatë se dyshoni lidhur nga shumë të dhëna që Alqi Bllako ka tentuar arratisjen, por më pas ka negociuar. Nga cili ka marrë garanci?

Zheji: Po ka kërkuar. PS, pjesë e grupit parlamentar që ishte nuk i dha garanci që do ta mbronte. Tahiri u mbrojt, ndërkohë që ishte e qartë që për çështje ditësh do të hapeshin shumë petë lakrori. Ai u konsiderua një njeri që do të mbrojë veten e vet. Në këtë moment tjetrin e kap dëshpërimi. Bllako s’është një vrasës i vetëm, është një vrasës me një bandë. Ai është një ekzekutor ekselent i bandës. Nuk ka një fytyrë hajduti. Ne jemi më të përgjegjshëm se politikanët. Nuk them gjëra që s’kam prova, por kam informacion që ka kërkuar garanci deri në momentin e fundit. Ai ka pasur frikë, ka tentuar të largohet sepse është lënë i vetmuar. Bllako e kuptoi që ishte i vetmuar, i lëshuar. Në këto orë të zeza, sheh që askush nuk të merr në telefon. Tani kërkon informacion te ato që i ke bërë nderë, anëtarët e bandës, të gjithë zhduken. Ai është në përgjim absolut. Banda e di që është në përgjim. I vetmi kanal negociues është avokati. Është shumë e thjeshtë. Është kërkuar ndihmë. Mesa duket negociatat kanë zgjatur aq sa ai mund të ketë qenë edhe jashtë shtetit, duke pritur përfundimin e negociatave.

Lala: Pavarësisht se Bllako kishte hyrë në politikë aktive, sa herë që politika është nën akuzë bëhen pirueta dhe këta njerëz nuk arrestohen. Është një histori që ka një mjegullnajë. Nuk kam informacion mbi vendndodhjen e Bllakos gjatë negociatave që pretendon Zheji. Bllako nesër do të paraqitet për masën e sigurisë. Sipas dosjes së SPAK Bllako ka pasur udhëtim me Zoton. Momenti i dytë që është në fakt edhe shumë e rëndë, ka të bëjë që sipas SPAK ai ka financuar babain e tij, me një rrogë 6 mijë euro. Ndërkohë që Edmond Bllako nuk ka shkuar më shumë se 2 apo 3 herë. Ai rezulton një pozicion, brumëpunues buke.

Zheji: Neve nuk kemi marrëveshje ekstradimi, ka plot vende. Deri në momentin që njeriu kthehet në të pandehur ka nuhatje të mirë, shkon në vende që nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Në Bali, Dubai, në Kolumbi, nuk gjenden. Banditët i kemi më të mirë se çunat që bëjnë policin, janë më të mirëpaguar dhe kanë parë botë me sy. Çfarë trajnimi i kemi bërë ne policisë? Asgjë, s’bëjmë sepse s’kemi fonde.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: