Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka ngritur disa shqetësime sa i takon funksionimit të institucionit që ai drejton, në auditimin publik. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Shehu tregoi se gjatë punës është vënë në dijeni të rasteve ku punonjësit janë shprehur se kanë frikë të auditojnë punën e kryeministrit.
Shehu theksoi se përballë situatave të tilla ai si drejtues institucioni nuk ka zgjidhje opsionale dhe hapësirat e tij për veprim mbeten të kufizuara.
Ai theksoi se ekspertët kërkojnë asistencë ndërkombëtare për të forcuar integritetin dhe efektivitetin e auditimeve shtetërore.
Arben Shehu – “Kur e kam marrë detyrën jam hasur në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv/ministri z. Gent Caka. Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri. I kam kërkuar shpjegime, një lloj sqarimi të shqetësimit dhe më ka thënë se “nuk është problemi që ne të adresojmë te personat përgjegjës, të cilët kishin vlerësuar si përgjegjës të shkeljeve të mundshme”. Më tha se shqetësimi nuk është transmetimi i gjetjeve te Cakaj, por mungesa e mundësisë për t’ia transmetuar ato kryeministrit, sepse ai duhet të jetë autoriteti drejtues në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për shkak të situatave të tjera që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit unë jam i gatshëm që t’ju vë në dispozicion jo vetëm praktikën, por t’ju relatoj gërmë për gërmë historinë e problematikave që ka mbartur. Në vazhdimësi më ka dërguar shkresa të ndryshme. Në një letër që më ka drejtuar, është shprehur se do t’iu kërkojmë institucioneve ndërkombëtare që mua personalisht (Kryetarit të KLSH) t’i jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, sepse siç shkruante “unë nuk kam mundësi për shkak të frikës që të auditoj punën e kryeministrit”.
Tani unë çfarë duhet të bëj në këto lloj situatash? Këto janë raste konkrete, unë i vlerësoj të gjitha. Unë e fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit dhe deri në minutën e fundit që do të jem pjesë e do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, përfundoi kreu i KLSH.
