I riu, Erjon Xhenje vra më armë zjarri mbrëmjen e të dielës (18 shtator) në Shkodër. Gazetari Senad Nikshiqi tha për BalkanWeb se disa persona janë afruar dhe kanë qëlluar drejt tij, ndërsa 19 vjeçari ka qenë në një lokal, në bulevardin ‘Bujar Bishanaku’.

Pas atentatit autorët janë larguar me motoçikletë nëpërmjet një rrugice të ngushtë. Dyshohet se disa persona, ende të paidentifikuar, janë afruar drejt të riut dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash. Në vendngjarje u zbuluan rreth 30 gëzhoja plumbash.

Në një reagim zyrtar policia e Shkodrës bëri me dije se motoçikleta është gjetur duke u djegur në lagjen ‘Gurrile’ dhe po ashtu është gjetur edhe arma e dyshuar se është përdorur në këtë vrasje.

“Disa persona janë afruar dhe kanë qëlluar drejt tij. Autorët kanë qenë me motoçikletë dhe më pas janë larguar nga një rrugicë. Është e paqarta se kush mund të jenë autorët, por policia është në hetim. Mendohet se kanë qenë të paktën dy persona në këtë ngjarje. Bulevardi Bujar Bishanaku monitorohet nga kamera sigurie, por autorët anë futur në një rrugicë dytësore për t’u larguar”., raportoi gazetari Senad Nikshiqi.

Sakaq uniformat blu kanë rrethuar zonën ku ndodhi ngjarja e rëndë dhe janë në kërkim të autorëve.

Reagimi zyrtar i policisë Shkodër:

 

 

Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.

Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb