Qeveria belge ka vendosur t’i ndërpresë mandatin ambasadorit të saj në Korenë e Jugut, pasi gruaja e tij kishte rrahur me shpulla një shitëse në një dyqan të Seulit.
Xiang Xueqiu, bashkëshortja e ambasadorit Peter Lescouhier, kishte kërkuar falje për episodin e paprecedent, por Ministrja e Jashtme belge Sophie Wilmes, ka vendosur ti ndërpresë detyrën ambasadorit. Edhe pse Lescouhier i kishte shërbyer vendit të tij me vendosmëri dhe përkushtim, ‘situata aktuale nuk i lejon të zhvillojë rolin e tij me qetësi’, ka shkruar ambasada në një postim në Facebook. Episodi i takon muajit prill, kur zonja Xiang, 63 vjeç, ishte drejtuar në dalje të dyqanit.

Pasi kishte provuar disa rroba gruaja e ambasadorit ishte drejtuar në dalje të butikut. Një shitëse e kishte ndjekur për tu siguruar që veshjet e gruas nuk ishin të butikut dhe këtu ka lindur një debat që përfundoi me sulm nga ana e Xueqiu në dëm të shitëses dhe të një asistenteje tjetër të dyqanit, që ndërhyri për të shuar sherrin. Pamjet e telekamerave të sigurisë u shpërndarë në rrjet duke ngjallur shumë indinjatë tek koreano-jugorët.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb