VLORË- Një 25-vjeçar i dyshuar si trafikant droge është arrestuar nga policia e Vlorës gjatë një operacioni ku janë sekuestruar municione luftarake, armë, mjete ujore dhe një sasi droge. I arrestuari është shtetasi Denis Muhametaj, 25 vjeç, banues në Llakatund, Vlorë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë si dhe në kuadër të një pune disa javore për kapjen e personave që kryejnë veprimtari kriminale dhe që posedojnë armë zjarri pa leje kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ”Mercury”, duke arrestuar 25-vjeçarin Muhametaj.

Në banesën e shtetasit të lartpërmendur në fshatin Llakatund janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

• 1 armë zjarri automatike model 56, 4 krehëra pistolete dhe kallashnikovi.
• 1260 copë fishekë pistolete dhe kallashnikovi
• 3 motorra për mjete ujore me 300 kw fuqi,
• 3 automjete tip furgon, autoveturë dhe kamionçinë,
• 15.7 kg kanabis, 340 kubikë kanabis.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale ”Kontrabanda me mallra të tjera”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ”Prodhimi, shitja e narkotikëve”, dhe ”Kultivimi narkotikëve”, parashikuar nga nenet 174, 278, 283/1 dhe 284 të i Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb