Policia e Sarandës ka vënë në pranga 24-vjeçarin nga Laçi, Xhanelo Tarja, i cili i mori jetën pas dy goditjeve me thikë 41-vjeçarit Klodian Bakiaj.

Së bashku me të, policia ka ndaluar edhe vëllain 18-vjeçar të autorit të ngjarjes, Xhoi Tarja, pasi sipas Bluve “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Lefter Talo”, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta”, kryen krimin e rëndë për një vend parkimi në afërsi të hotelit.

Uniformat Blu gjithashtu kanë arrestuar edhe administratorin e lokalit ku ishin të punësuar si kamarierë dy vëllezërit.

“Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. A., 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb