Këngëtari i njohur Gerald Xhari, i njohur me emrin e artit “Big Basta” i cili prej vitesh jeton në Oakland të Zelandës së Re, ka qenë i pranishëm në bashkëbisedimin që kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë mbrëmjen e sotme me përfaqësues të Diasporës.

“Big Basta” i cili është dhëndër në Kosovë, pasi është martuar me këngëtaren e njohur Vesa Luma ka kërkuar të dijë nga Berisha qëndrimin e tij në rast të ardhjes në pushtet për “Ballkanin e Hapur dhe çështjen e besimit të thyer mes kosovarëve dhe shqiptarëve.

Berisha iu përgjigj atij duke thënë se do të firmosë një marrëveshje të rëndësishme me qeverinë kosovarë sapo të vijë në pushtet, duke i hapur rrugën shtetësisë për të gjithë shqiptarët e Kosovës.

Ndërkohë këngëtari i kërkoi kreut të PD që të vendos në zbatim ligjin për mbrojtjen e të drejtës së autorit, i cili pothuajse nuk funksionon kur bëhet fjalë për këngëtarët dhe tekst-shkruesit.

“Edukimi i fëmijës tim dhe e ardhmja e tij dhe e jona ishte zgjedhja e Zelandës së Re për të emigruar. Kam investuar më shumë se gjysmën e jetës sime në muzikë dhe më vjen keq se lufta për të drejtën e autorit në muzikë është e humbur. U frymëzova shumë nga artistët e vjetër që mezi nxjerrin të ardhurat për të nxjerrë muajin dhe ndaj kapa trenin për të ndërtuar një të ardhme për jetën time. Duke qenë se jam dhëndër në Kosovë ndjek me vëmendje lajmet për Kosovën. Duke qenë se jeni parë shpesh si babai i bashkimit të kombit, çfarë politike do të ndiqni që Shqipëria të rifitojë reputacionin në Kosovë dhe të rifitojë besimin e vëllezërve tanë atje?”, tha Big Basta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb