Kryeministri Edi Rama, në një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Kavajë, foli për ndryshimet që Partia Socialiste i ka ofruar këtij qyteti.

Rama tha se Kavaja sot është e ngjashme me qytetet e Italisë e të Mesdheut, e sipas tij, në të kaluarën kur qeverisej nga PD, kishte vetëm papastërti e fare pak ndriçim.

Po ashtu ai foli edhe për qeverisjen lokale që PD kishte para disa vitesh në Kavajë, ku tha se i vetmi ndryshim që ka parë, është ndërtimi i një pallati në qendër të qytetit.

“U bënë disa kohë që nuk kisha ardhur në qytet këtu në Kavajë, e sot kur erdha i vetmi ndryshim që pashë ishte një pallat mbi lulishte në qendër të Kavajës. Mjafton realisht të sjellësh ata në detyrë dhe pavarësisht se sa kohë i lë, aq kohë sa kanë do të bëjnë patjetër atë qe kenë bërë gjithmonë, më shumë keq se mirë, më shumë do të prishin punë e do të lënë pas gjurmë që më pas duhen mundim për t’i fshirë, se sa do të lënë gjurmë që duhen respektuar. Siç kanë bërë gjithmonë duan të bëjnë prapë, jo thjesht se janë po të njëjtët e do të bëjnë po të njëjtat gjëra, por thonë, që tetë vite më parë ndodhi një aksident dhe nga ky aksident PD humbi dhe PS fitoi, sipas tyre populli ia futi kot, sepse do të vazhdonte të mbante po ata. Ata s’kanë nxjerrë asnjë mësim, s’kanë bërë asnjë reflektim. Ata thonë që gjërat që kanë bërë 8 vite më parë kanë qenë të duhurat. Por atyre sa i jepet një mundësi, mbjellin në mes të qytetit një mal me ballkon. Më 25 prill shqiptarët do të vendosin për të vazhduar përpara, për të vazhduar rrugën e mundimshme të ngjitjes, e duke mos u kthyer rrokapjekthi mbrapsht. Të mos harrohet të thuhet se përse ata s’e meritojnë një shans tjetër, shumëkush harron e nga ana tjetër jam i vetëdijshëm që njerëzit e ndershëm, të mirë, që presin më shumë, kanë të drejtë të jenë të mërzitur, të pakënaqur, të kërkojnë shumë më shumë nga ne, e ne jemi të detyruar të pranojmë që kanë të drejtë, e të mos i japim të drejtë me fjalë, por edhe me vepra, duke qenë të vendosur për të shkuar përpara e duke e treguar që ne përpiqemi të jetojmë me kohën e sfidat e kohës. Kjo është arsyeja që Rama në këtë ndeshje është një skuadër, duke i shkuar tek njerëzit, duke i ofruar diçka të re. Diçka të re, ku njerëzit kanë mundësi të zgjedhin mes shumë kandidatëve, që përfaqësojnë qoftë eksperiencën dhe energjitë e reja. Qoftë ata që kanë një rrugëtim në PS, qoftë ata që vijnë nga rrugët e tjera të jetës. Pavarësisht, në mund të mos jenë socialistë 24 karatë, janë njerëz të ndershëm dhe veten e gjejnë tek Partia Socialiste e Shqipërisë. Në Kavajë kemi dy njerëz, që janë dy ekstreme sa i përket rrugës nga kanë ardhur. Njëri është Etjeni që vjen nga një rrugë studimesh, ristudimesh pune në institucione dhe punës çdo ditë që të jetë më i denjë, për veten, familjen, vendin dhe ata që përfshihen në PS me ide të reja, e që sot janë pjesë e integruar e PS. Vahidi është një qytetar këtu, një qytetar i mirënjohur në Kavajë, si një njeri i mirë në kuptimin më të plotë, një njeri i gjendur për ata që kanë nevojë, një njeri i gjendur për ata që duan një shërbim. Nuk është i biri i dikujt me emër, vjen nga një histori tjetër nga ajo e Etjenit, vjen nga e djathta tradicionale në Kavajë. E djathta tradicionale do të thotë anti-komunizëm e anti-fashizëm, ashtu sikundër edhe PS anti-komusite dhe anti-fashiste. Ajo nuk është e djathta as tradicionale, ajo është e djathta KÇK. Kavaja, sot është në gjendje të bëjë diferencën, sepse Kavaja s’na e pat dhënë mundësinë të vije këtu, sepse këtu të gjithë të fusnin dy gishta në sy dhe nuk dije të ikje në shtëpi. Të futeshe këtu, ishte si një shteg në Palestinë. Unë pata ardhur një kohë njëherë, e ishte një tmerr, sikur hymë në një zonë lufte, mbledhur të gjithë pa punë, bingo nga të katër anët, një gjysmë errësirë e lukuni e kjo ishte liri demokraci, më shumë më ka bërë përshtypje qyteti i mbushur me plehra. Sot vjen këtu dhe sheh një qytet mesdhetar që mund të ishte shumë mirë në Itali, e vendet e Mesdheut, sepse këta jemi ne”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: