Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Të nxehta, seksi dhe të famshme. Janë këto disa prej karakteristikave të femrave që këtë fundjavë kanë pushtuar plazhet. E veçmas kënaqësisë që bregdeti të jep, kënaqësi për sytë kanë qenë edhe personazhet që këtë javë kemi përzgjedhur për të sjellë te ju. Një prej moderatoreve më seksi, Liberta Spahiu, ka provokuar me një foto shumë ‘hot’ në plazh. Pushimet po i shijon edhe Rudina Xhunga, e natyrisht që nuk mungon as vajza e saj, që me sa duket po shijon detin. Pushime krejt ndryshe është duke kaluar edhe Floriana Garo, e cila ka zgjedhur Detin e Vdekur për të vizituar këtë verë.
Rike Roci
Biondja simpatike ka qenë ndër personazhet më të pëlqyera në “Big Brother”. Ndonëse nuk mundi të fitonte çmimin e madh, Rikja do të mbahet mend për format e saj seksi. E ku ka më mirë sesa plazhi për t’i ekspozuar këto linja! Në këtë foto, ajo ka ekspozuar edhe njëherë dekoltenë shpërthyese. Rikja po shijon pushimet me miqtë në Itali, ku dhe ka realizuar shkrepjen seksi.
Floriana Garo
Pas mbylljes me sukses të “Jo vetëm modë”, moderatorja ka nisur pushimet. Pas Turqisë, Floriana është drejtuar për në Izrael. Edhe ajo ka zgjedhur detin, por këtë herë detin më të veçantë në botë ndoshta. Prezantuesja është fotografuar në Detin e Vdekur teksa po shijon baltën kurative të këtij vendi. Së bashku me të është edhe partneri i saj me familjarët.
Adelina Tahiri
Javët e fundit ka qenë në qendër të shtypit për jetën private. Por duket se kjo nuk e ka shqetësuar aspak këngëtaren seksi. Krejt e lirshme, Adelina ka pozuar buzë pishinës, duke u treguar shumë bujare me fansat. Sa i përket jetës sentimentale, nuk ka asgjë të re rreth saj, duke u shprehur se po shijon beqarinë.
Liberta Spahiu
Pasi ka mbyllur një vit të mbushur me thashetheme për VIP-at, Liberta është shndërruar vetë këtë fundjavë në lajm. Prezantuesja ka sjellë një foto shumë seksi nga plazhi. Nuk ka ekspozuar asetet e saj, por një akull në barkun e nxirë të seks-simbolit kosovar ka bërë që të kthehet vëmendja drejt saj. Fotoja ka marrë menjëherë komentet pozitive të fansave të shumtë që Liberta ka.
Rudina Xhunga
Rudina Xhunga këtë vit ka zgjedhur të pushojë në Greqi. Së bashku me Amaris, vajzën e saj dhe bashkëshortin, u është drejtuar brigjeve greke. Ashtu si duket edhe nga fotoja, nënë e bijë po e shijojnë shumë detin. Për Rudinën këto janë ditët e fundit të pushimeve, sepse shumë shpejt do t’i rikthehet emisionit “Shqip”.
Adelina Berisha
Këngëtarja kosovare ka kaluar një fundjavë në pishina. Me format tërheqëse që Adelina gëzon, ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. E natyrisht që nuk mund të mungonte një shkrepje për të gjithë fansat, që e kanë përgëzuar Adelinën për fizikun perfekt që ka.
Albana Vokshi
Edhe për deputeten e selisë blu pushimet kanë qenë të bukura. Ka zgjedhur të pushojë në vendin tonë së bashku me familjen. Në këtë ‘selfie’, ajo na prezanton edhe me vajzën e saj. Të dyja duken shumë të lumtura, duke shijuar detin dhe diellin. Shtatori do ta rikthejë Albanën në sallën e parlamentit, ku një sërë çështjesh të rëndësishme janë duke e pritur.
Olta Gixhari
Aktorja është mërzitur duke marrë rreze normalisht. Ndaj, këtë fundjavë ka zgjedhur të guxojë buzë detit. Krahas fotove seksi që ka sjellë përgjatë gjithë verës, Olta na sjell këtë herë një ‘selfie’ nga ajri. Kështu, si një tip që guxon dhe eksperimenton, biondja ka vendosur të shëtisë detin me parashutë. Me aq sa duket nga fotoja, po e shijon këtë eksperiencë të re.
Blendi Fevziu
Pushimet e tij të luksit kanë qenë kryefjala e shtypit rozë përgjatë javës. Pas Greqisë dhe SHBA-ve, Blendi po vijon të pushojë, tashmë në Kankun. E ashtu si njihet tashmë për dashurinë që ka për sportet e ujit, ai e ka shfrytëzuar Kankunin edhe për të eksploruar botën nënujore. Ashtu si gjithnjë, edhe në këtë eksperiencë kaq të veçantë, moderatori i mirënjohur shoqërohet nga vajza, Mishel.
Ermal Mamaqi
Pas pushimeve me Amin dhe djalin e tyre, Ermali ka menduar të kalojë pak kohë edhe të atin. Kështu, aktori i humorit e ka përdorur detin jo vetëm për relaks, por edhe për peshkim me babain dhe këngëtarin Dashnor Diko. Me sa duket, kjo paska qenë një mbledhje mes meshkujve, pasi nuk kanë pasur pranë asnjë femër, duke shijuar kohën me njëri-tjetrin.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: