Mes 32 të arrestuarve për operacionin “Rruga e Gabuar” nuk është i dyshuari kryesor apo i etiketuar si “koka” e grupit. Dritan Gramozi u arratis pak para se të finalizohej operacioni.
Mësohet se 44-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim nga policë civilë, por është e pakuptueshme se si ai arriti të shpëtonte. “BalkanWeb” mëson se edhe gjatë seancës së sotme gjyqësore ku pritet që gjykata të japë masën për 32 të arrestuarit janë ngritur dyshime për dekonspirimin e aksionit.

Në lokalin ku pinte kafe Gramozi, pavarësisht se ai nuk u kap, policia arriti të arrestojë një tjetër të dyshuar shtetasin Rezart Hoxha. Për arratisjen e tij nuk ka ende një shpjegim nga policia.

Nga dosja e Prokurorisë del se, Dritan Gramozi është njeriu që prodhonte dhe siguronte dokumenta të falsifikuara, jo vetëm karta identiteti, por edhe pasaporta greke, italiane, bullgare dhe çeke. Ai pasi i gjente përmes bashkëpunëtorëve të tij personat që do të udhëtonin në mënyrë të paligjshme ju mundësonte atyre edhe kalimin e paligjshëm përmes pikave të Qafë-Botës dhe Kakavijës.

Kujtojmë se gjatë këtij operacioni u arrestuan 32 shtetas shqiptarë, mes tyre 1 punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë. Ndërkohë u zbuluan e sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentash të personave si dhe një armë zjarri automatik.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër, ku u përfshinë rreth 250 forca policie.

Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan, Tiranë, Korçë, etj. Ky operacion u zhvillua në vijim të procedimit penal “272”, në bazë të hetimeve dhe informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë se Krimeve të Rënda dhe në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese vendase e të huaja, ku u godit pjesa tjetër e grupit të strukturuar kriminal që vazhdonte aktivitetin pas goditjes në vitin 2018.

Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e BE-së, si dhe atyre shtetasve që iu ishte ndaluar hyrja në një nga vendet e hapësirës SCHENGEN.

Anëtarët e këtij grupi kriminal, pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada. Ky grup kriminal ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe shtatas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Në funksion të këtij hetimi janë dokumentuar disa episode ku personat e mësipërm kanë falsifikuar dokumente të udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit disa shtetasve.

Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e një punonjësi të policisë, i cili duke shpërdoruar detyrën ka kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononte për shkak të detyrës në një pikë kontrolli kufitar.

Gjatë operacionit nga policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal. Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe personat e tjerë të përfshirë. Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb