Futbolli i vajzave është prej disa vitesh prioritet kryesor i Federatës së Futbollit. Veç rritjes së numrit të vajzave që luajnë futboll, e rrjedhimisht edhe rritjen e numrit të ekipeve, cilësia gjithashtu është më e lartë e gara më e fortë, në të gjitha kampionatet ku angazhohen vajzat e futbollit.

Mbështetja nga FSHF për këto vajza që kanë dëshirë të luajnë futboll është e madhe, ndërsa nuk mungon mbështetja as për faktorët e jashtëm që merren me futboll. Federata e Futbollit ka pranuar së fundmi propozimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe për të mirëpritur në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ ekipin e vajzave të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, të cilat do të zhvillojnë një seancë të përbashkët stërvitore me ekipin përfaqësues rajonal të Tiranës së vajzave U-16.

Ekipi i vajzave të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe vjen në Shqipëri pas një turi që po bën në të gjithë Ballkanin, ku më parë ka ndaluar në Serbi, Mal të Zi, e Maqedoni të Veriut, teksa ndalesa e radhës është Shqipëria.

Ky aktivitet i iniciuar nga ekipi i vajzave të FA të Britanisë së Madhe ka si qëllim të fuqizojë më shumë vajzat që luajnë futboll dhe të japin mesazhin e rëndësishëm që futbolli nuk është vetëm për djem. Ndër të tjera, britaniket duan t’i shtyjnë më shumë vajzat e vogla drejt futbollit dhe të shkëmbejnë ndër të tjera edhe eksperienca me njëra-tjetrën.

Federata e Futbollit do të jetë në shërbim të ekipit të vajzave të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe si edhe të ekipit përfaqësues rajonal të Tiranës së Vajzave, duke i mbështetur me bazë materiale për stërvitje si edhe duke i vënë në dispozicion fushën me bar artificial ku do të zhvillojnë seancën stërvitore. Ky aktivitet do të zhvillohet më 12 qershor, në ora 12:00 në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Sakaq, në mbrëmjen e 12 qershorit, Ambasada e Britanisë së Madhe do të shtrojë një darkë për ekipin e vajzave të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe si edhe një përfaqësie të ekipit tonë kombëtar të vajzave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb