VLORE- Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë investimet që po bëhen për pastrimin e sistemit të kanalizimeve në qytet. Gjatë një inspektimi në punimet që po bëhen për pastrimin e Kanalit të Ujrave të Larta, kryebashkiaku Leli iu drejtua bashkëqytetarëve të tij, duke u kërkuar të jenë më të kujdesshëm për investimet e bëra në sistemin e kanalizimeve.

Ai ka theksuar se, puna për pastrimin e këtij kanali po vazhdon, pavarësisht se jemi në vigjilje të festave të fundvitit.

“Problemet e trashëguara janë të mëdha dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i minimizojmë ato, duke u paraprirë situatave të përmbytjeve në qytet”, shprehet Leli. Por, sipas tij, kjo nuk mjafton. Për të, Bashkia mund të bëjë punë, por jemi ne të gjithë së bashku që duhet t’i mbrojmë këto punë. “Veçanërisht në këtë vigjilje festash, kur bëhemi pak më shumë shpërdorues, harxhojmë më shumë para dhe prodhojmë më shumë mbeturina”, tha Leli.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm duke hedhur mbeturinat në vendet e caktuara për këtë qëllim, dhe jo në kanalizimet e shkarkimit të ujërave.

“Si bashkëqytetari juaj, ju kërkoj qytetarisht, të jemi më të kujdesshëm me ato që prodhojmë dhe vendet ku hedhim. Ato janë të caktuara”, tha Leli.

Aktualisht, Bashkia e Vlorës po vazhdon me intensitet punën për pastrimin e sistemit të kanalizimeve të qytetit. Megjithëse në vigjilje të festave, të gjithë punonjësit e strukturave në varësi të kësaj bashkie, janë në terren. Puna është përqëndruar në të gjithë gjatësinë e Kanalit të Ujrave të Larta, që zbret nga Ujëmbledhësi mbi godinën e spitalit dhe vazhdon në drejtim të Nartës, për në det. Tonelata të tëra mbetjesh po largohen çdo ditë, duke krijuar normalitet në këtë kanal, më i rëndësishmi në të gjithë sistemin e shkarkimit të ujrave në qytet dhe ku nuk ishte ndërhyrë prej 30 vjetësh.

Pamja tashmë ka ndryshuar. Ky segment që, deri para pak ditësh ishte plotësisht i bllokuar dhe jashtë funksioni, tashmë është shumë funksional.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: