TIRANË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesnata”, zbardhen 2 raste të vjedhjes në dy biznese, të kryera në Tiranë, gjatë ditëve të fundit.

Identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar, të cilët qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, e hodhën pistoletën nga dritarja e automjetit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga dy shtetas 16 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një bashkëmoshatar i tyre, të tre banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, kanë vjedhur një laptop dhe katër celularë, në dy dyqane me pajisje elektronike.

Pas informacioneve se autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një armë zjarri pistoletë, një laptop dhe 11 celularë.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb