KUCOVE – Tezja e 22­vjeçares Denisa Demaj, që u vra nga i dashuri tri ditë më parë, tregon se e njeh familjen e autorit dhe ka dyshime se ai mund të donte të martohej me mbesën e saj. Madje Leta Fejza shprehet me bindje se qëllimi i të arrestuarit Klaus Sakolli ka qenë trafikimi i Denisës për ta shfrytëzuar për prostitucion. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ajo tregon se si e njeh familjen e autorit të ngjarjes.
Si e keni marrë vesh ngjarjen?
Ngjarjen e mora vesh nga familja e motrës. Më lajmëruan menjëherë sapo ndodhi ngjarja dhe shkova direkt në Spitalin e Beratit, sepse kishin sjellë Edisonin. Meqenëse e kam shtëpinë në Berat, shkova menjëherë aty. Por kur mora vesh se kush ishte autori, ngjarja m’u duk edhe më e rëndë se ç’ishte.
Pse, e njihnit autorin?
Po si nuk e njoh! Ai ka ngrënë bukë në shtëpinë time që kur ka qenë fëmijë. Është rritur me fëmijët e mi. Por që kur u rrit filloi të merrte rrugën e keqe. Me çfarë nuk është marrë. Unë jam komshie me familjen e tij. Faiku, babai i tij, është njeri shumë i mirë dhe më vjen keq edhe për të pas asaj që bëri i biri, edhe pse ajo që vrau është mbesa ime, vajza e motrës. Por gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes janë si mos më keq. Fillimisht kur morëm vesh emrin e autorit, që e quanin Klaus, nuk po arrija ta njihja. Më tha djali im më vonë, sepse ai e njeh. Më tha që ishte djali i Faikut, por ai më përpara e kishte emrin Shyqyri, pastaj e ndryshoi për ato pisllëqet që ka bërë. Ka bërë plagosje, ka qenë i dënuar, madje merrej edhe me drogë. E përdorte a e shiste, nuk e di, por e di mirë që merrej me gjëra të tilla.
Ju ishit në dijeni të ndonjë lidhjeje që ai kishte me mbesën tuaj meqenëse e njihnit? Ose t’ju ketë thënë diçka se donte të fejohej me të?
Absolutisht asgjë nuk kam ditur. Nuk besoj se Denisa mund të ketë qenë e lidhur me të. Por ai ishte grindavec, çfarë nuk bënte. Mund t’i jetë fiksuar. E ka parë në rrugë dhe e ka ngacmuar. Të ishte ashtu, unë diçka do kisha marrë vesh. Ose nëse donte të fejohej me të, mua të paktën do më kishin thënë diçka, meqenëse ishim komshinj. Por edhe po ta dija që e ngacmonte, unë do i kisha thënë djalit që ta bisedonte me të dhe do e gjenim një zgjidhje.
Pra, sipas jush, ai nuk donte të fejohej me Denisën?
Nuk e besoj. Ai mund ta donte për gjithçka vajzën, por jo për nuse. E njoh mirë unë atë. Nuk ishte djalë për të krijuar familje ai. Ai e donte vajzën që ta rrëmbente, ta merrte dhe ta çonte jashtë si prostitutë. Prandaj ka këmbëngulur atë natë para se ta vriste, që i merrte në telefon dhe i kërcënonte. Pse e donte patjetër atë natë? Me forcë nuk bëhen këto punë. Mund të priste dhe ta bisedonte. Por siç duket atëherë i kishte vënë punët në vijë për të realizuar atë që donte dhe ngulte këmbë e bëri atë që bëri sepse nuk i eci.
Po me mbesën tuaj, Denisën, kishit biseduar ndonjëherë për të?
Jo, nuk më ka folur asnjëherë për të, as mua, as vajzës sime që e ka thuajse moshatare. Denisa ishte tip i mbyllur, nuk para fliste shumë me ne, ishte si e turpshme. Por nëse do ma kishte thënë se çfarë po i ndodhte, apo të kishte kërkuar ndihmë për ndonjë shqetësim që po i sillte ai, patjetër që kjo ngjarje do ishte parandaluar. Do t’ia kishim treguar mirë vendin atij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: