Rezistenca qytetare vijon edhe pas 50 ditësh protestë, ndërsa aktivistët deklarojnë se mobilizimi nuk do të ndalet pavarësisht rrethanave.
Një prej aktivistëve, Edison Lika, u shpreh se fakti që qytetarët vijojnë të dalin në shesh edhe në ditën e finales së Botërorit tregon vendosmërinë e tyre për të vazhduar kauzën.
Sipas tij, protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë në rrugë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai akuzoi se ndaj protestës janë përdorur mënyra të ndryshme për ta ndalur, por sipas tij mobilizimi qytetar do të vijojë.
Aktivisti theksoi se sipas protestuesve, fundi i kësaj rezistence lidhet me dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe plotësimin e kërkesave të tyre, përfshirë ndryshime ligjore dhe ndalimin e projekteve që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura.
“Jemi pas 50 ditësh sërish në protestë. Kush do ta mendonte se pas 50 ditësh do të ishim këtu edhe në ditën e finales së botërorit? Kemi qenë këtu nga dita 1 për t’i dëshmuar njëri-tjetrit dhe qeverisë se e kemi seriozisht. Jemi me të njëjtën konsistencë e vendosmëri që të tregojmë se nuk largohemi pa u larguar ai që është strukur në Kryeministri.
Protestën kanë munduar ta ndalojnë me qindra mënyra, e ç’është më e rëndësishme nuk do të arrijnë ta ndalojnë. Kjo protestë pavarësisht vullnetit të kujtdo, nuk ndalon më, është një nga ato vullkanet që nuk ndalojnë.
Protestën e ndalon vetëm dorëheqja e Ramës dhe plotësimi I të gjithë pikave, kur të ndryshohet ligji dhe të largohen fadromat nga zonat e mbrojtura nga Zvërneci në Rrjoll”, tha ai.
