TIRANE- Ajo ka mbi 500 mijë ndjekës në rrjete sociale dhe një foto e saj fare e thjeshtë merr mbi 10 mijë pëlqime. Nuk është vetëm e bukur, por edhe shumë e talentuar. Nuk është as beqare e nuk zhvishet në videoklipe, por sërish merr klikime pa fund. Kjo është Xhensila Myrtezaj, artistja që këtë verë i vuri të gjithë në alarm. Me një këngë plot ritëm e me një pamje të mrekullueshme, ajo ka nisur një sezon që premton të jetë i shkëlqyeshëm. Në një rrëfim për “Bluetooth”, bukuroshja me sytë e qeshur na tregon për punën, jetën, pasionet e dashurinë për aktorin e famshëm Besart Kallaku. Diçka na ka thënë edhe për dasmën…

Xhensila, sa e kënaqur je me realizmin e këngës tënde më të re?
Jam e kënaqur në 90% të realizimit të këngës. Por sërish ekziston mundimi brenda vetes që disa gjëra mund t’i kisha bërë edhe më mirë. Kjo lidhet ngushtë edhe me natyrën time, unë jam shumë kërkuese ndaj vetes.

Kur ka nisur puna për krijimin e saj dhe sa kohë ka zgjatur?
Është një periudhë e gjatë kohore dhe shumë intensive që unë merrem me këngën. Në fakt, çdo projekt i imi ka një tejzgjatje kohore, sepse unë jam shumë detajiste. Gjithmonë kam një plan në kokën time se kur do të dalë dhe si do të dalë. Për këtë arsye punëve u paraprij gjithnjë, pasi kohën nuk e kemi kurdoherë në avantazh, ndaj mundohem dhe kujdesem qëecë çdo gjë në ritmin e duhur. Unë jap shpirtin në çdo projekt timin.

Po për videoklipin, sa kohë është punuar?
Idetë për skenat janë ideuar nga dikush tjetër krejtësisht, apo ke dhënë edhe ti idetë e tua? Është punuar me ditë të tëra. Unë eci gjithmonë me moton: Bashkimi bën fuqinë. Sigurisht që, pa bashkëpunëtorët e duhur, ky klip nuk do të kishte ardhur as në kohën që unë i kisha përcaktuar, e as në cilësinë dhe realizimin e duhur. Ndaj i jam jashtëzakonisht shumë mirënjohëse të gjithë grupit, që kanë punuar me një energji shumë pozitive, e cila po reflekton në sukses. Idetë i kam pasur më se të qarta për videon. Çdo skenë e kam menduar vetë. Çdo detaj ka qenë i projektuar në kokën time.

Po veshjet, kush i ka zgjedhur?
Një mirënjohje dhe falënderim shumë i madh i shkon Niko Komanit, për idetë shumëngjyrëshe dhe të përshtatshme për mua. Ai është një djalë jashtëzakonisht i talentuar dhe shumë inovator. Unë jam shumë skeptike dhe asnjëherë nuk rrezikoj në stilin tim, që lidhet ngushtë me imazhin tim. Niko ia arriti të më ndryshojë në mënyrën më të mirë. Ai zgjodhi të mesmen e artë, duke më ndryshuar deri në një farë pike, pa humbur unë identitetin tim. Gjithashtu falënderoj edhe një zonjë duarartë e cila nxjerr gjithmonë produktin që ne kërkojmë, ajo është Afërdita.

Xhensila, e ke të vështirë të interpretosh përpara kameras? Keni bërë shumë dubla?
Absolutisht jo, nuk kam asnjë vështirësi të interpretoj para kamerave, madje jam shumë kompakte dhe e lirshme. Nuk kam komplekse ose ndrojtje nëse në setin e xhirimit ka edhe kalimtarë kuriozë, nuk ma tërheq vëmendjen asnjë gjë. Fokusohem në kamera dhe bëhem një me të. Ne kemi bërë shume skena të ndryshme në ambiente të ndryshme. Më shumë kohë na kanë marrë lokacionet dhe ndryshimi i ambienteve. Unë futem nën lëkurën e këngës dhe nuk e kam absolutisht të vështirë të interpretoj. Madje, te kënga “RING THE Alarm” jam argëtuar pa fund e kam qeshur pa fund.

Fansat, po e pëlqejnë këngën? Çfarë të kanë thënë?
Fansat janë shtysa më e madhe e imja, që sapo morën vesh që unë do të sillja një projekt të ri, filluan të më mbështesnin fort, duke më dhënë një energji dhe forcë shumë të madhe. Kur mësuan titullin e këngës, e cila ende nuk kishte dalë si projekt i finalizuar, ata filluan me ‘hashtage’, duke më dërguar piktura ku shkruhej #RINGtheALARM, video të ndryshme ku tregonin që më mbështesnin. Jam shumë e sinqertë në këtë që po them. Është shumë e vështirë të mos kesh dashurinë dhe përkrahjen e tyre, pa të cilën, ndoshta nuk do të isha këtu ku jam sot.

Po Besit, si i duket?
Besi ka qenë me mua në çdo hap e projekt timin; ka qenë, është dhe do të jetë mbështetja ime më e madhe. Ai shijon, ashtu si dhe unë për të, çdo sukses. Ne e diskutojmë gjithnjë këtë pjesë, merakosemi dhe gëzohemi më shumë për punët e njëri-tjetrit se për veten. Gëzimi është i dyfishtë kur sheh partnerin të realizuar. Ai është gjithnjë pozitiv dhe ka shumë besim tek ato që unë dua të bëj.

A ka nisur për ty axhenda e koncerteve? Si pritet të jetë kjo verë?
Po, ka nisur me shumë koncerte të ndryshme. Kjo verë do të jetë shumë intensive sa u përket koncerteve.

Xhensila, përveç këngës, me çfarë tjetër mbushet dita jote? Ç’pasione të tjera ke?
Kam shumë pasione. Çdo ditë e imja nis me një pasion të ndryshëm. Ka ditë që dua vetëm të lexoj, ka ditë që më lind dëshira të gatuaj ëmbëlsira, ka ditë që i përkushtohem vetes, duke mos harruar edhe obligimet në çift (qesh). Nuk më pëlqen ta harxhoj kohën time me gjëra të padobishme, dhe e mbush atë me gjëra të shëndetshme e me njerëz të mirë.

A merresh me sport, sepse duam të kuptojmë si ia bën që je gjithmonë në formë?
Unë jam shumë sistematike. Çdo mëngjes, kur nuk kam kohë të shkoj në palestër, kam disa programe që m’i ka dhënë instruktori im, të cilat nuk janë të tejzgjatura dhe çdo njeri mund ta gjejë kohën e t’i kryejë ato në kushtet e shtëpisë. Nuk jam e fiksuar pas sporteve, por më pëlqen shumë të vrapoj. Nuk ka mënyrë më të mirë për të çliruar energjitë negative.

Pushime në çift për këtë verë, keni planifikuar?
Jo, ende nuk e kemi menduar dhe s’kemi folur. Për këtë jam pak në alarm. Kam frikë se këtë verë do të jetë shumë e vështirë për të planifikuar pushimet, pasi unë, përveç koncerteve kam edhe projekte të tjera, që duhet t’i përfundoj pa mbaruar stina.

Po dasmë, do të kemi?
Dasmë do të ketë… Por jo këtë vit (qesh).

ALARMI I XHENSILES
Në cilën orë e vendos zakonisht alarmin në mëngjes? Cila është melodia e tij?
Në varësi të punëve që kam. Kohët e fundit zgjohem me “Ring the Alarm” (qesh).

Je tip që alarmohesh shpejt? Çfarë të alarmon?
Ohhh, shumë! Jam shumë skeptike dhe gjëja më e vogël më alarmon. Por kam një gjë të mirë, që nuk i alarmoj të tjerët dhe nuk krijoj gjendje paniku. Jam e vetëkontrolluar dhe gjej gjithmonë momentin dhe mënyrën e duhur për të treguar që jam në alarm.

Kush të vë në alarm më shpesh? Si e përballon?
Koha më vë në alarm, dhe njerëzit që nuk janë korrektë.

Sa vjeçe ke qenë kur ra alarmi i dashurisë për Besin?
Sapo i kisha mbushur të 17-at.

Alarmohet ai kur ti fik celularin? Po kur kthehesh vonë nga dalja me shoqet?
Jo, jam shumë e përgjegjshme. Gjithnjë lajmëroj përpara se të më bjerë bateria. Nuk mbaj mend ndonjë rast që dikush të jetë alarmuar se telefoni im ka qenë i fikur ose nuk është hapur.

A e kanë vënë alarmin për dasmë familjet tuaja?
Jo, aspak! Ata janë përkrahës dhe bashkëpunues të çdo vendimi që ne marrim dhe në ç’kohë duam ne. Por si dëshirë e kanë shprehur të dyja palët. Këtë s’e mohojmë dot (buzëqesh)!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb