TIRANE – Në fillimet e tranzicionit (Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm)” me autor ish-Kryeministrin e Qeverisë së Stabilitetit 1991, Ylli Bufi, vjen si botimi më i ri i Shtëpisë Botuese “UET-Press”. Ky botim, pjesë e kolanës ‘Scripta Manent’, vjen në kuadër të botimeve mbi Tranzicionin shqiptar, ku janë përfshirë libra studimorë, me kujtime dhe publicistikë nga studiues ose aktorë të drejtpërdrejtë të kësaj periudhe, si Preç Zogaj, Servet Pëllumbi, Spartak Ngjela, Adrian Civici etj. Promovimi i tij bëhet të premten, në orën 13:00. “GSH” boton sot disa pjesë nga libri.

Nga: YLLI BUFI*
Kur Komiteti Qendror i PPSH ia bëri këtë propozim, Ramiz Alia e pranoi pa asnjë hezitim dhe u largua nga drejtimi i partisë. Në rrethe të ngushta të grupit parlamentar (jo në mbledhje të tij) u diskutua edhe rreth mundësisë së kandidimit të një figure relativisht më të re, që nuk kishte pasur funksione të larta politike në drejtimin e Partisë së Punës. Meraku ishte se në rastin e zgjedhjeve të parakohshme dhe, eventualisht, në krijimin e një mazhorance të re të përbërë nga partitë opozitare, Alia mund të jepte dorëheqjen edhe nga posti i presidentit të Republikës. Në rast se opozita do të fitonte zgjedhjet e parakohshme dhe do të formonte qeverinë e saj, një President i Republikës i zgjedhur nga mazhoranca e mëparshme, do të ishte një mundësi mjaft e mirë për të ekuilibruar drejtimin e vendit. Por kjo mbeti një ide, që nuk u bë asnjëherë publike. Ky dyshim u vërtetua pothuaj një vit më vonë, kur Ramiz Alia dha dorëheqjen pas fitimit të zgjedhjeve të marsit të vitit 1992 prej PD-së, duke i hapur rrugë zgjedhjes së Berishës si president i Republikës.
Të nesërmen e miratimit të Dispozitave Kushtetuese, më 30 prill 1991, u zhvillua seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Seanca do të zhvillohej me debat, gjë që sapo ishte miratuar në dispozitat kushtetuese. Duke propozuar në emër të PPSH kandidaturën e R. Alisë, DEPUTETI XHELIL GJONI THA:
“…Shoku Ramiz është sot personaliteti politik më i shquar i vendit tonë. Ai gëzon një popullaritet të padiskutueshëm brenda vendit dhe një afirmim të gjerë në shkallë ndërkombëtare. Ne të gjithë kemi pasur rastin të njohim mençurinë, maturinë, gjakftohtësinë dhe shpirtin e tij demokratik në zgjidhjen e situatave delikate e plot konfliktime që kemi kaluar, cilësi këto aq të domosdoshme për një udhëheqës, për një kryetar shteti. Zhvillimet demokratike të viteve të fundit janë një prirje e natyrshme dhe objektive e historisë së shoqërisë sonë. Ato janë vepër e gjithë popullit, por në këto zhvillime roli i Ramiz Alisë ka qenë i madh. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ç’rrugë të vështirë kemi përshkuar derisa erdhëm këtu. Besoj se të gjithë jemi të një mendjeje që prezenca dhe ndikimi i Ramiz Alisë në këto ngjarje ka qenë me rëndësi historike për evitimin e traumave dhe të tronditjeve sociale, shpesh të paevitueshme në faza kalimtare, për ta realizuar demokracinë tonë sipas shprehjes së tij, vetëm me mjete demokratike. Ne, të nderuar deputetë, kemi nevojë edhe për më tutje për një figurë të tillë. Është garanci e paqes sociale dhe e qetësisë, e shpresëdaljes nga situata e rënduar dhe shprehja e unitetit të popullit. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta miratojmë kandidaturën e tij njëzëri.”
ME TONE MË REALISTE ISHTE DISKUTIMI I DRITËRO AGOLLIT,
që midis të tjerash, u shpreh:
“…Në këto procese, në pika të nxehta kulmore, ai është përpjekur ta ruajë shoqërinë nga ndeshjet e përgjakshme sociale masive. Në saje të këtij kujdesi nuk kanë ndodhur ngjarje të llahtarshme si në ndonjë vend të Europës Lindore. Unë do të mendoja që Ramiz Alia, duke u zgjedhur si President i Republikës dhe duke filluar aktivitetin në një periudhë të re, të një Kuvendi pluralist, është e domosdoshme:
E para, të shkëputet nga nostalgjia e së kaluarës, nostalgji që pak a shumë e kanë mjaft prej nesh, e cila e dëmton veprimtarinë e një burri shteti, pasi ia tërheq prapa një pjesë të energjive, në kohën kur e sotmja dhe e ardhmja i kërkojnë ato më të plota dhe më të pasuruara.
E dyta, të veprojë më shpejt dhe më në kohë, pa shumë lëkundje në kapjen e momentit përparimtar e demokratik të lindur në procesin e demokratizimit. Të mos shtyhet momenti e të mos zgjidhet me vonesë, pasi kjo e dëmton zhvillimin ekonomik, politik, shoqëror e shpirtëror të vendit .
Ramiz Alia është i prerë drejt përparimtares, e do atë, por përqafimi i kësaj përparimtareje nuk duhet të bëhet me vonesë. Shkaku i përqafimit me vonesë mund të jetë edhe kujtesa e së kaluarës dhe nostalgjia për të kaluarën…”
KRYEMINISTËR
Negociatat për formimin e Qeverisë
Më datë 5 qershor 1991, në mesditë, më thirri në takim presidenti i Republikës. Unë isha në dijeni se, pas dorëheqjes së Nanos, ai kishte filluar procesin e konsultimit me kryetarët e partive për caktimin e kryeministrit. Prandaj, duke vajtur në presidencë, më shkoi mendja se mund të ishte fjala për një propozim për të më ngarkuar me detyrën e kryeministrit. E mendova këtë, ndoshta, sepse isha pjesë e kabinetit qeveritar. Qysh prej korrikut të vitit 1990, kisha kryer detyrën e ministrit të Industrisë Ushqimore, fillimisht, në qeverinë e drejtuar prej Adil Çarçanit dhe, më pas, në dy qeveritë jetëshkurtra të F. Nanos. Kjo periudhë ishte nga më të vështirat, sepse vendi ishte në anarki të plotë dhe gjendja ekonomike ishte katastrofike.
Ky mendim më trazoi disi. Fillova të bluaj në mendje se, po të ishte e vërtetë kjo, a duhej ta pranoja apo ta refuzoja një propozim të tillë. Kur mendova se e gjithë kjo ngarkesë mund të rëndonte mbi supet e mia, mëdyshja për ta refuzuar detyrën e re bëhej edhe më e madhe. Çfarë mund t’i thosha presidentit Alia për të justifikuar mospranimin tim, nëse do të ma bënte një propozim të tillë? Thjesht një “Jo, nuk e pranoj” apo…?
Me të tilla pyetje në kokë, u gjenda para zyrës së tij. Hyra brenda dhe, pasi u takuam me njëri-tjetrin, Presidenti nisi drejt e në temë: “Ylli, kam vendosur, pasi jam konsultuar edhe me shokët e tjerë, ta propozoj ty detyrën e kryeministrit”.
Duke shprehur, ndoshta, më shumë hezitim, sesa kundërshtim, i thashë: “Po pse duhet të jem unë, shoku Ramiz? Ka edhe të tjerë…” dhe i përmenda disa emra.
“Ne i kemi menduar dhe ata që përmende ti, por duke qenë në qeveritë e fundit, ti e njeh mirë situatën që po kalon vendi, ke më shumë përvojë se të tjerët dhe, kryesorja, je i pranueshëm nga të gjithë”.
Me thënë të drejtën, këto fjalët e fundit, që tha Alia, më ngrohën dhe më lëkundën ca. Sepse, kur tha që unë isha i pranueshëm “nga të gjithë”, mendova që e kishte fjalën edhe për drejtuesit e opozitës. Me sa dukej, ai kishte biseduar edhe me ta. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse mbështetja e opozitës për drejtimin e një qeverie të koalicionit, jo vetëm ishte e domosdoshme, por, në ato kushte që po kalonte vendi, ishte edhe vendimtare për punën normale të qeverisë.
Kur e pashë që presidenti nuk po lëvizte nga propozimi që më bëri, ndjeva se “forcat” e mia për ta refuzuar, më lanë. Nuk thashë asgjë më dhe, me sa dukej, këtë Alia e mori si miratim nga ana ime.
Kështu rrodhi, pak a shumë, ajo bisedë me presidentin e Republikës. Dola nga zyra e tij i qetë në pamje, por i trazuar së brendshmi, në kokë më vinin mendime nga më të ndryshme. Isha i ndërgjegjshëm për barrën e madhe që po më ngarkohej dhe më mundonte shqetësimi nëse do ta përballoja si duhet, sepse shumë gjëra nuk vareshin prej meje. Me këto mendime, nxitova drejt e në shtëpi, pasi mendova se kështu do të qetësohesha disi emocionalisht, duke e ndarë lajmin me familjarët e mi, që ata të mos e mësonin nga televizori.
Për mua dhe për ministrat e tjerë të rinj, tashmë, ishte e qartë se kishim hyrë në rrugën pa kthim të ndryshimit të sistemit politik. Ndryshimet duhet të bëheshin me shpejtësi. Bashkë me ministrat Ismail Ahmeti, Skënder Gjinushi, Alfred Uçi, Pajtim Ajazi, këtë preokupim ia shprehëm Ramiz Alisë në një takim që patëm me të. Ishte fundi i marsit 1991. Qeveria ishte e bllokuar. Ajo nuk ishte në gjendje të vendoste për asgjë. Qeveria e re, e krijuar pas zëvendësimit të kryeministrit Çarçani me Fatos Nanon dhe të ministrave të tjerë që ishin anëtarë të Byrosë Politike, ishte më shumë një qeveri kujdestare deri në zgjedhjet e para pluraliste. Por, sidoqoftë, në këtë qeveri filluan të hidheshin hapat e parë të kalimit në sistemin e ri politik dhe në ekonominë e tregut.
Zyra e kryeministrit nuk ishte e panjohur për mua. Aty kisha qenë me dhjetëra herë, si zëvëndësministër dhe si ministër, kur kryetar qeverie ishte Adil Çarçani, dhe muajt e fundit, kur kryeministër qe Fatos Nano. Ishte një zyrë e mobiluar thjesht, me mobilie në ngjyrë të çelët, me tavolinat në formë “T”-je, siç preferoheshin atëherë. Kur hyra në atë zyrë, tani si kryeministër i porsaemëruar, çuditërisht, mendja më shkoi jo tek Adil Çarçani, i cili, zakonisht, kur hynin ministrat, ngrihej nga vendi, i jepte dorën secilit dhe i priste gjithmonë qetësisht, por, instinktivisht, kujtova Mehmet Shehun, i cili edhe sot kujtohet si një njeri i ashpër. Në luftë dhe pas çlirimit ai kishte vrarë njerëz pa gjyq. Ai ishte edhe autori i vdekjes së babait tim. Në vitin 1957, kur unë isha vetëm 9 vjeç, babai vdiq papritur. Vetëm pas vetëvrasjes së M. Shehut, pas hetimeve që u kryen rreth saj, familja jonë mësoi të vërtetën e përplasjes së madhe që babai kishte pasur me M. Shehun, si dhe faktin që vdekja e tim eti kishte qenë pasojë e një helmimi. Ndoshta, kjo është dhe arsyeja përse familja ime dhe të afërmit e mi nuk e pritën me kënaqësi lajmin e emërimit tim si kryeministër….
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: