Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të premten me udhëheqës të vendeve arabe fqinje të Izraelit për të diskutuar të ardhmen e Gazës, ndërsa Izraeli rifilloi sulmet ajrore në këtë territor palestinez pas përfundimit të armëpushimit shtatëditor Izrael-Hamas. Të paktën 178 palestinezë u vranë dhe 589 u plagosën nga sulmet ajrore, tha ministria e shëndetësisë e Gazës. Sekretari Blinken u takua me homologët e tij nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania dhe Bahreini, së bashku me përfaqësues të Autoritetit Palestinez, në kuadrin e konferencës së klimës COP28 të OKB-së në Dubai, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Sekretari Blinken është në udhëtimin e tij të tretë në Lindjen e Mesme që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit, një grup i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, pasi filloi sulmet ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor, duke masakruar 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 240, rreth 100 prej të cilëve u liruan në këmbim të të burgosurve palestinezë gjatë armëpushimit të sapopërfunduar shtatë-ditor. Bisedimet me ministrat e jashtëm arabë u përqëndruan tek lufta Izrael-Hamas dhe si të dërgohen më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, u tha Sekretari Blinken gazetarëve përpara se të hipte në avionin e kthimit për në Uashington.

Ai tha se folën gjithashtu për “çfarë ndodh të nesërmen (e luftës) në Gaza dhe se si ne mund të shkojmë në rrugën drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe të sigurt për izraelitët dhe palestinezët, në fakt për të gjithë në rajon”. Sulmet ajrore dhe sulmi tokësor i Izraelit në Gazë, që synojnë eliminimin e Hamasit, kanë lënë më shumë se 15 mijë të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Ushtria izraelite tha se forcat tokësore, ajrore dhe detare goditën mbi 200 objektiva terrori, siç i quajti, që nga momenti i përfundimit të armëpushimit. U bombardua rëndë Khan Younis, në Gazën jugore, duke i shtyrë banorët të largoheshin drejt zonave perëndimore, thanë gazetarët në terren të agjencisë së lajmeve Reuters. OKB-ja tha se luftimet do ta shtojnë edhe më tej situatën e rëndë të emergjencës humanitare. “Ferri mbi tokë është rikthyer në Gazë”, tha Jen Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së në Gjenevë.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, kritikoi ashpër pasojat e sulmeve të reja izraelite ndaj civilëve në Gazë, në veçanti fëmijëve. “Sot personat në pushtet vendosën rifillimin e vrasjes së fëmijëve në Gazë”, tha ai nëpërmjet një lidhjeje me video nga Rafah, në Gazë. Ai e quajti konfliktin “një luftë ndaj fëmijëve”. Zoti Elder foli për mungesa në ushqim, ujë dhe shërbime sanitare në Gazë dhe bëri thirrje për një armëpushim të zgjatur. Ai tha se alternativa është e paimagjinueshme për një popull që po jeton tashmë në një makth. “Mosveprimi, në thelb, është miratim i vrasjes së fëmijëve”, tha ai.

Izraeli planifikon për një zonë të çmilitarizuar në Gazë

Ndërkohë, Izraeli u ka paraqitur disa prej vendeve fqinje planet për të krijuar një zonë të çmilitarizuar në anën palestineze të kufirit të Gazës me Izraelin, për të shmangur sulmet e ardhshme pas përfundimit të luftës, thanë burimet egjiptiane dhe rajonale sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Izraeli ja ka komunikuar planet e tij të pasluftës Egjiptit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Turqisë, si pjesë e objektivave të tij të ardhshme të sigurisë për Gazën. Ophir Falk, këshilltar për politikën e jashtme i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se qeveria izraelite ka një plan me tre faza për Gazën e pasluftës: shkatërrimin e Hamasit, çmilitarizimin e Gazës dhe çradikalizimin e këtij territori.

“Një zonë e ndërmjetme mund të jetë pjesë e procesit të çmilitarizimit”, tha zoti Falk, megjithëse ai nuk tha nëse këto plane ishin ndarë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë vendet arabe. Vendet arabe e konsiderojnë të pamundur objektivin e Izraelit për të shkatërruar Hamasin, një grup i konsideruar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se është më shumë se thjesht një forcë militante që mund të mposhtet.

Reagimi ndërkombëtar

Izraeli dhe Hamasi kanë fajësuar njëri-tjetrin për prishjen e negociatave, megjithëse Shtëpia e Bardhë veçoi Hamasin, duke vënë në dukje se nuk kishte arritur të nxirrte një listë të re pengjesh për t’u liruar, siç u kërkua për zgjatjen e armëpushimit.

Presidenti turk Tajip Erdogan i tha homologut të tij nga Emiratet, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan në kuadrin e takimit të nivelit të lartë për klimën COP28 në Dubai se rifillimi i sulmeve izraelite në Gaza ishte “shumë negativ”, njoftoi zyra e Presidentit Erdogan të premten. Turqia informoi nëpërmjet një deklarate se po punonte për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm, duke bërë më të mirën për të ndalur “masakrën” e Izraelit, por se bota myslimane duhej të vepronte në unison.

“Ndërsa diskutojmë krizën klimatike, nuk mund ta injorojmë krizën humanitare që po shpaloset në territoret palestineze pranë nesh”, u tha zoti Erdogan udhëheqësve gjatë fjalimit të tij zyrtar në konferencën COP28. “Situata aktuale në Gazë përbën një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit; ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari sipas ligjit ndërkombëtar”, tha ai. Komentet e zotit Erdogan u mbështetën nga Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe nga Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani. “Bombardimi i vazhdueshëm i Gazës ndërlikon përpjekjet e ndërmjetësimit dhe përkeqëson katastrofën humanitare”, tha ministri i Katarit.

Egjipti gjithashtu po bën përpjekje maksimale me partnerët e tij për të rivendosur armëpushimin në Gazë sa më shpejt të jetë e mundur, thuhet në një deklaratë të Diaa Rashwanit, kreu i Shërbimit Shtetëror të Informacionit të Egjiptit. Megjithatë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se Hamasi kupton vetëm forcën “dhe për këtë arsye ne do të vazhdojmë të veprojmë derisa të arrijmë objektivat e luftës”. Ai foli ndërsa hipte në një nga avionët luftarakë të Izraelit për të vëzhguar sulmin. “Rezultatet janë mbresëlënëse”, tha ai.

Në një konferencë pro-izraelite në qytetin amerikan Denver, në Kolorado, ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan tha: “Jemi në një luftë për të ardhmen e Izraelit, për mbijetesën e shtetit hebre”. Ai tha më tej se: “Jemi në një luftë kundër të keqes së vërtetë, të keqes që qoftë nëse e quan veten Iran, Hamas, Hezbollah, ISIS apo al-Kaida, ndan të njëjtin objektiv hegjemonist për përhapjen e ideologjisë së tij radikale dhe mposhtjen e qytetërimit perëndimor përmes terrorit barbar dhe dhunës”.

Guvernatori i Kolorados, Jared Polis tha se: “Ka shumë dhimbje. Është përkeqësuar nga fakti që ne po shohim rritjen e antisemitizmit dhe urrejtjes në Amerikë, në mbarë botën, demonët antisemitë të dikurshëm që të gjithë shpresonim të ishin mposhtur tashmë të ushqyer nga mediat sociale që përdoren për të përforcuar retorikën dhe dezinformimin e rrezikshëm”. Në Uashington, demonstruesit pro-palestinezë mbajtën një vigjilje lutjeje dhe tubim përpara ambasadës së Izraelit.

Lirimi i pengjeve

Rikthimi i luftimeve vjen pas një armëpushimi shtatë-ditor që mundësoi lirimin e pengjeve izraelite të kapur nga Hamasi gjatë sulmit të tij terrorist të 7 tetorit, në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael. Të enjten, Hamasi liroi tetë pengje izraelite në kuadrin e zgjatjes së armëpushimit, dhe pak më vonë Izraeli liroi 30 të burgosur palestinezë, ndërsa negociatorët u përpoqën të zgjasnin sërish pauzën e luftimeve. Dy gra u liruan pasdite dhe gjashtë të tjera u liruan pak para mesnatës. Ky ishte grupi i shtatë i pengjeve të liruar sipas marrëveshjes së armëpushimit të përkohshëm mes Hamasit dhe Izraelit.

Izraeli fillimisht kërkoi që grupi militant të lironte të paktën 10 pengje çdo ditë që armëpushimi të vazhdonte, por një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit tha se asnjë peng tjetër nuk do të lirohej të enjten. Katari ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit. Zëdhënësi i Katarit tha se Izraeli i pranoi tetë pengjet sepse Hamasi të mërkurën kishte liruar dy pengje shtesë, të dyja gra izraelito-ruse.

Hamasi kishte thënë se mund të lironte edhe dy qytetarë të tjerë izraelito-rusë, por grupi militant përfundimisht nuk veproi kështu. Hamasi gjithashtu kishte thënë më parë se do të dorëzonte trupat e tre pengjeve izraelite të enjten, por nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur. Nga ana tjetër, Izraeli liroi 30 palestinezë nga burgjet në Izrael. Deri më sot, Hamasi ka liruar 105 pengje dhe Izraeli ka liruar 240 të burgosur palestinezë. Hamasi është cilësuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe të tjerë. Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb